Kompania e pronarit të afërt me VV-në shpërblehet sërish me tender në Podujevë - Ofertoi më shtrenjtë dhe tejkaloi vlerën e parashikuar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Kompania e pronarit të afërt me VV-në shpërblehet sërish me tender në Podujevë – Ofertoi më shtrenjtë dhe tejkaloi vlerën e parashikuar

    Insajderi
    15 May 2025 - 15:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi po vazhdon t’a shpërblejë me tenderë kompaninë e afërt me pushtetin e VV’së. Kompania EING COM, dhe pse kishte ofertuar me çmim më të madh se kompania tjetër dhe kishte tejkaluar edhe vlerën e parashikuar të kontratës, u shpall fituese e tenderit për asfaltimin e disa rrugëve në fshatrat e Podujevës. Insajderi sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Podujevës, para një jave ka nënshkruar kontratë për “Asfaltimin e rrugëve në fshatrat Shajkofc, Sfeqël, Surkish dhe Dumosh”.

    Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 126,000.00 euro.

    Për këtë tender kanë konkurruar dy kompani. NNT ABC SH.P.K, me ofertë 95,562,21 euro.

    Dhe kompania EING COM SH.P.K, me ofertë 141,984.28 euro.

    E fituese është zgjedhur sërish kompania EING COM me çmim 141,984.28 euro.

    Ani pse ka kaluar vlerën e parashikuar të tenderit për 15 mijë e 984 euro më shumë.

    Madje ka ofertuar për 46,422 euro më shumë, se kompania tjetër konkurruese.

    Kompania EING COM ka pronar biznesmenin, Eljesah Podvoricën. Gazeta Insajderi ka raportuar vazhdimisht për tenderët që EING COM ka fituar nga partia në pushtet, Vetëvendosja.

    Kush është Eljesah Podvorica

    Eljesah Podvorica, jo rrallë herë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari, Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.

    Dyshja shihen në një fotografi në shoqëri edhe të disa personave për rreth.

    Podvorica, gjithashtu në vitin 2019 ishte parë në shoqërinë e deputetit të VV-së, Nijazi Isakut.

    “Në kafe me tre luftëtarët e lirisë. UÇK-së”, shkruhej në postim.

    Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Podujevës, se a ka ndikim afërsia e Podvoricës, që ai të vazhtojë të zgjedhet fitues i tenderëve në këtë komunë, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje edhe në kompaninë e Eljesah Podvoricës, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

    Lexo raportimet e Insajderit për tenderët e fituar nga kompania në fjalë:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    28 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark