I emëruar nga Kurti Kryeinspektor, i arrestuar për keqpërdorim detyre- Hekuran Nikçi tash rrugës për t’u bërë kryesori i tenderëve në vend - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    I emëruar nga Kurti Kryeinspektor, i arrestuar për keqpërdorim detyre- Hekuran Nikçi tash rrugës për t’u bërë kryesori i tenderëve në vend

    Insajderi
    22 May 2025 - 10:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Emri i Hekuran Nikçit në media është lakuar kryesisht për shkelje ligji. Për mbajtje të pozitës dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Përkundër “hijes së zezë”, emnaku i tij, ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, siç duket ia ka mësyrë për ta bërë drejtor ekzekutiv në agjencinë qendrore të tenderëve. Në Agjencinë Qendrore të Prokurorimit (AQP).

    Ish-kryeinspektori qendror i punës, Hekuran Nikçi, për të cilin ka pasur kërkesa të përsëritura që të largohet nga kjo pozitë për shkak të mbajtjes së saj kundërligjshëm, tash po synon të bëhet edhe i pari i tenderëve në nivel vendi, shkruan Insajderi.

     Në listën e kandidatëve që e kanë kaluar fazën e verifikimit paraprak janë pesë kandidatë. Në mesin e tyre është edhe Nikçi.

    Emërimin e tij të kundërligjshëm e kishte konstatuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

    Sipas vendimit të Këshillit, për këtë pozitë kishte ishte shpallur fare konkurs publik, i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

    Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

    Sidoqoftë, Nikçi kishte vazhduar ta mbajë këtë pozitë përkundër se tri shkallët e gjykatës kishin konstatuar se po e mbante kundërligjshëm pozitën.

    Nikçi edhe Naim Shalaku, i cili është zyrtar i të hyrave dhe zotimeve në Inspektoratin e Punës, ishin arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në dosjen e siguruar nga Insajderi, thuhet se ai kishte keqpërdorur autoritetin e tij, duke i ndryshuar F.K. pozitën e punës, madje duke mos i dhënë mundësinë as të paraqiste ankesë për vendimin e marrë kundërligjshëm nga Nikçi. Për këtë veprim, sipas Prokurorisë, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Po ashtu, kur zëvendëskryeinspektori kishte vendosur që F.K. të kthehej në vendin e tij të punës, vend që e kishte ushtruar para vendimit të Nikçit, ky i fundit e kishte anuluar vendimin e zëvendësit të tij, Agim Millakut. Si pasojë, prokuroria thotë se ai ka kryer veprën penale “cënim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.

    Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar thuhet se është bërë nga ai, i cili kishte kërkuar inicimin e procedurës disiplinore për F.K.

    Nikçi, po ashtu, akuzohet për përdorim të paautorizuar të pasurisë së paluajtshme që i ishte besuar për shkak të pozitës që ushtronte, për përdorim të vulave, dokumentacioneve dhe mjeteve të tjera të punës. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark