Organizohej nga dy të huaj, si realizohej prostitucioni në “zemër” të Prishtinës? Detaje tronditëse nga dosja e Prokurorisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Organizohej nga dy të huaj, si realizohej prostitucioni në “zemër” të Prishtinës? Detaje tronditëse nga dosja e Prokurorisë

    Insajderi
    28 May 2025 - 14:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Besnik Gashi

    Fabiana Anais Cobo Vega, shtetase e Perusë dhe Batuhan Beyoglu me nënshtetësi të Kosovës dhe nacionalitet turk, vitin e kaluar dolën përpara gjykatores si të dyshuar për organizim të prostitucionit dhe shitblerje të narkotikëve. Ata dyshohen se së bashku kanë operuar si grup kriminal në mundësimin e shërbimeve seksuale përmes “shoqërueseve” që i merrnin nga Amerika Latine dhe i strehonin në një apartament në rrugën “Bajram Kelmendi”. Pra, në qendër të Prishtinës. Gazeta Insajderi sjell detaje tronditëse nga ky rast:

    Gazeta Insajderi iu është drejtuar fillimisht me pyetje Gjykatës Themelore në Prishtinë për ta pyetur nëse është ngritur aktakuzë, mirëpo tash e dy ditë s’ka marrë përgjigje.

    Në dosjen e Prokurorisë Speciale, të cilën e ka parë Insajderi, jepen detaje tronditëse që tregojnë se si dy shtetas të huaj organizonin dhe realizonin prostitucionin në “zemër” të kryeqytetit.

    Siç e përshkruan prokuroria, të pandehurit realizonin organizimin, rekrutimin, transportimin, transferimin dhe strehimin e femrave nga Amerika Latine ose vende të tjera për në Kosovë, me qëllim që të ofrojnë shërbime seksuale.

    Të njëjtit, Vega dhe Beyoglu, të cilët në gjykatore paraqiten si çift, dyshohet se i detyruan që përmes rrjetit social ‘WhatsApp‘ të komunikojnë me persona të tjerë me qëllim të realizimit të prostitucionit.

    Ndërkaq, Prokuroria bën të ditur se përmes aplikacionit “Booking” arrijnë të sigurojnë banesat me qëllim të realizimit të veprimtarisë së prostitucionit.

    Që të gjitha “eskortat”, dy të pandehurit dyshohet t’i kenë strehuar në një apartament tek rruga “Bajram Kelmendi” në Prishtinë, në të cilin po ashtu kanë realizuar prostitucionin.

    E gjithë kjo, me qëllimin që shumën e fituar nga klientët përmes realizimit të prostitucionit ta ndajnë në 50 për qind me dy të pandehurit.

    Çdoherë sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Beyoglu po ashtu ka shpërndarë edhe substanca narkotike të cilat i ka fshehur tek “shoqërueset” e huaja.

    Vendimi i fundit i gjykatës që e ka parë Insajderi, i cili është i vitit të kaluar, është se ndaj të pandehurve është caktuar masa e paraburgimit. Prokuroria Speciale e arsyeton këtë kërkesë meqë me lënien në liri, ekziston rreziku se mund ti fshehin, asgjësojnë apo ndryshojnë provat.

    Që të dy, dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Trafikim me njerëz”. Ndërkaq, Beyoglu veç vetë dyshohet për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark