Komuna e Podujevës me më shumë të punësuar sesa e lejon ligji - opozita: Skandal punësimesh të paligjshme - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Komuna e Podujevës me më shumë të punësuar sesa e lejon ligji – opozita: Skandal punësimesh të paligjshme

    Insajderi
    29 May 2025 - 15:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Podujevës e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi ka tejkaluar numrin e të punësuarve të lejuar me ligj për vitin 2024. Raporti vjetor financiar tregon se 45 punonjës më shumë janë futur në listën e pagave publike në kundërshtim me Ligjin. Opozita e ka quajtur skandal dhe kërkon përgjegjësi për punësimet pa konkurse publike. Nga komuna nuk kanë dhënë ndonjë koment. Insajderi ju sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Podujevës kishte publikuar ‘Raportin Vjetor Financiar për vitin 2024’.

    Në këtë raport është raportuar edhe numri i punëtorëve sipas listës së pagave.

    Siç i është lejuar me ligjin e buxhetit, numri i punëtorëve në sektorin publik në komunën e Podujevës, duhet të ishte gjithsej 1994 punëtorë.

    Por, bazuar në këtë raport, komuna e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes ka punësuar punonjës më shumë se sa që i lejohet me ligj.

    Kjo pasi, numri aktual i punëtorëve deri në fund të vitit 2024 është 2039. Që po i bije 45 punonjës publik janë më shumë se që është e lejuar me ligj.

    Ani pse, është theksuar se “te numri i të punësuarve në arsim janë të përfshirë edhe mësimdhënësit në pushim të lehonisë, me sëmundje kronike dhe me normë jo të plotë të punës”. Mirëpo nuk është cekur nëse punësimi i tyre ka kaluar afatin gjashtë mujor.

    Sipas Ligjit me nenin 12 “Asnjë organizatë buxhetore nuk mund të tejkalojë numrin e të punësuarve në nivel të nën programit, në asnjë kohë gjatë vitit fiskal 2024 siç specifikohet në tabelat 3.1, 3.1.A, dhe 4.1 të bashkëngjitura në këtë ligj, përveç lehonive në sistemin e arsimit para universitar.

    Çdo tejkalim i numrit të lejuar të punësuarve, përveç lehonive në arsimin para universitar dhe ndarjeve buxhetore të parapara për çdo nën program konsiderohet shkelje ligjore dhe do të merren masa ligjore ndaj personave përgjegjës sipas strukturës së organizatës buxhetore bazuar në legjislacionin në fuqi”.

    Lidhur me këtë, kanë reaguar edhe nga opozita në këtë komunë. Sekretari i degës së LDK-së në Podujevë, Besim Latifi, e ka quajtur “skandal të punësimeve të paligjshme”.

    Ai ka ngritur edhe disa pyetje.

    “Kush po i punëson këta jashtëligjshëm? Kush po i fut në listat e pagave pa aprovim ligjor? Kush janë këta të punësuar jashtëligjshëm? Në cilat pozita janë sistemuar? Me çfarë konkursi e me çfarë procedure?.

    Buxheti është i qytetarëve, jo i partisë në pushtet për të rehatuar militantë dhe familjarë!”, ka shkruar ai.

    Gazeta Insajderi ka tentuar ta kontaktojë komunën e Podujevës, lidhur me këtë çështje, se a janë punësuar pa konkurse publike, dhe për sa muaj kanë punuar këta 45 persona.

    Mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje. Insajderi.org

    Gazeta Insajderi ka raportuar vazhdimisht për punësimet me baza partiake e familjare në komunën e Podujevës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark