Blendi” dhe Vetëvendosja: Një histori shpërblimesh me tenderë nga pushteti për biznesin që Kurti kishte promovuar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Blendi” dhe Vetëvendosja: Një histori shpërblimesh me tenderë nga pushteti për biznesin që Kurti kishte promovuar

    Insajderi
    24 July 2025 - 14:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Blenera Karaxha

    “Kompani të tilla do ta kenë gjithmonë mbështetjen tonë“, kështu kishte deklaruar Kurti në një vizitë në shtypshkronjën Blendi. Biznesi në fjalë është furnizues, i lidhur ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje që ia ka pa ‘hajrin’ pushtetit të tyre. Në vitet e fundit ka fituar dhjetëra tenderë, ndërsa vetëm gjatë këtij muaji është shpërblyer dy herë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes i kanë dhënë kontrata të reja. Insajderi sjell detajet.

    Minsitria e Mbrojtjes, ditën e djeshme (23.07.2025), ka njoftuar se ka dhënë tender për “Shërbimet dhe furnizim me mbuloja (tenda) dhe kamuflazhë per sisteme të armatimit dhe automjete per nevojat e FSK-së”.

    Sipas njoftimi të publikuar në e-prokurim , kontratën prej 27 mijë euro e ka fituar Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P.

    Në dosje janë dhënë edhe detaje se cilat punë duhet kryer.

    Po këtë muaj, e njëjta kompani ka marrë edhe një tender nga Ministria e Punëve të Jashtme për “shërbime të ndryshme për nevojat e MPJD-së”.

    Si u ‘shpërblye’ furnizuesi i VV-së?

    Ndërmarrja Tregtare Grafike “Blendi” O.P. është një nga kompanitë që ka fituar vazhdimisht tenderë nga institucionet nën drejtimin e Vetëvendosjes.

    Në nëntor të vitit 2024, Zyra e Kryeministrit i dha kësaj kompanie një kontratë në vlerë prej 11,390 eurosh për furnizime me materiale zyrtare. Pak muaj më parë, e njëjta zyrë i kishte dhënë një tjetër kontratë në vlerë prej 47,000 eurosh.

    Një muaj më vonë, përmes procedurave të negociuara, Shërbimi Korrektues i Kosovës, i kishte dhënë tender për kantinën e të burgosurve. Kontrata kishte një vlerë prej 298,783 euro.

    Ndërsa, edhe MPJD i dha një tender tjetër, që vlerën e parashikuar e kishte 90 mijë eurove.

    Kontrata ishte titulluar “Furnizime të ndryshme”.

    Lidhja e Ndërmarrjes Tregtare Grafike Blendi me pushtetin

    Kompania “Blendi” është ndër bizneset e rralla që u vizitua nga kryeministri Kurti.

    Ai madje i kishte dedikuar edhe një postim promovues duke thënë “kompani të tilla do ta kenë gjithmonë mbështetjen tonë“.

    “Japin shembull se si në Kosovë mund të përfitosh me punë”, thotë Kurti në videon e publikuar në vitin 2023.

    Kjo kompani është furnizues i lidhur ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Sipas, raportit Vjetor Financiar të publikuar në KQZ, për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023, Vetëvendosje nga kompania “Blendi” ka blerë mallra në vlerë prej 6120 euro.

    Në raportin e vitit 2022, te kompania e njëjtë, Vetëvendosje ka blerë mall në vlerë prej 6,300.32 euro.

    Sipas formularit “Lista e donacioneve të Subjekteve Politike për zgjedhjet lokale të vitit 2021”, po ashtu del se nga kjo kompani ishin blerë shërbime.

    “Shtypja e materialeve reklamuese”. Kështu quhet shërbimi që Vetëvendosje e kishte blerë nga NTG “Blendi” në vlerë prej 10, 015.26 euro.

    Blendi” mohon ndikimin e mundshëm

    Gazeta Insajderi, ka pyetur edhe kompaninë që po fiton tenderët se a ka ndikuar mbështetja për VV-së që të marrin tendere.

    Të njëjtit mohuan një gjë të tillë duke thënë se për dy tenderët që fituan këtë muaj, kanë ofertuar me çmimin më të ulët.

    “Ju njoftojmë se për të dy tenderët e përmendur, kompania jonë është shpallur fituese pasi kemi ofruar çmimin më të ulët dhe kemi plotësuar të gjitha kriteret. Procesi ka qenë tërësisht i bazuar në rregullat e prokurimit dhe nuk ka pasur asnjë ndikim të jashtëm.

    Kompania jonë operon që nga viti 1990 dhe është gjithmonë e hapur për bashkëpunim me të gjithë klientët potencialë, në bazë të kërkesave dhe kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve profesionale”, thuhet në përgjigje.

    “Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P”, si aktivitet primar e ka “Aktivitetet e tjera botuese”, ndërsa sekondar “Shtypje të tjera”./insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark