"Mish me krimba"/ Thellohet skandali i kompanisë “MC Food”- AUV refuzon importin e mbi 13 tonëve peshk të ngrirë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Mish me krimba”/ Thellohet skandali i kompanisë “MC Food”- AUV refuzon importin e mbi 13 tonëve peshk të ngrirë

    Insajderi
    17 July 2025 - 15:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania “MC Food sh.p.k.” e biznesmenit Izet Sheqiri, e përfshirë më herët në skandale me trafikim të drogës dhe shkelje të rënda të standardeve të sigurisë ushqimore, është përballur me një tjetër rast të ngjashëm. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka refuzuar importin e rreth 14 tonëve peshk të ngrirë, pasi, sipas vendimit zyrtar, ngarkesa nuk i përmbush standardet për tregun kosovar dhe është urdhëruar të kthehet në vendin e origjinës.

    Mira Avdimetaj

    Gazeta Insajderi ka siguruar një dokument zyrtar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes një kërkese për qasje në dokumente publike, i cili tregon se më 21 shkurt 2025 është marrë vendim për refuzimin e importit të 13.4 tonë peshk të ngrirë nga Maqedonia e Veriut.

    Sipas vendimit të nënshkruar nga Inspektori Veterinar Kufitar, ngarkesa me peshk e llojit Merluccius hubbsi (i njohur ndryshe si hake), e eksportuar nga kompania “Metro AD” nga Shkupi dhe e importuar nga “MC Food SH.P.K.” nga Lipjani, është refuzuar për qarkullim publik në Kosovë.

    Arsyeja e refuzimit, sipas dokumentit, është se ngarkesa nuk i përmbushte rregullat dhe aktet ligjore mbi importimin e dërgesës. Vendimi është marrë pas analizës e cila konstatoi parregullsi në përmbushjen e kërkesave ligjore për etiketim dhe kontroll të cilësisë.

    Ngarkesa e refuzuar kishte një peshë bruto prej 13,469 kg dhe peshë neto prej 12,602 kg, dhe ishte e dedikuar për tregun kosovar.

    “Mc Food” solli në treg mish të infektuar me krimba

    Gazeta Insajderi ka siguruar edhe vendimin e vitit 2023, përmes së cilit Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, kishte konstatuar se 21,874 kg mish peshku të lloji Hake (Golden) dhe Hake (Merlu) janë gjetur të treg të infektuar me këtë krimb të rrezikshëm nga e njëjta kompani.

    Në këtë vendim tregohet se këta mish peshku është importuar nga Spanja në Kosovë nga kompania “MC FOOD” Sh.P.K. me pronar Izet Sheqirin.

    Por kush është Izet Sheqiri?

    Biznesmeni Izet Sheqiri, pronar i kompanisë “MC FOOD” Sh.P.K., është emër i njohur për autoritetet ligjzbatuese në Kosovë. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim, pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër tij në nëntor të vitit 2022, lidhur me njërin nga rastet më të mëdha të kapjes së drogës në vend – 400 kilogramë kokainë që nga Brazili përfunduan në depon e kompanisë së tij në Lipjan.

    Sasia e drogës ishte zbuluar në maj të vitit të kaluar, brenda një kamioni, që mbante mish të importuar.

    Kamioni, pronë e “MC FOOD”-it, kishte si destinacion përfundimtar Kosovën, ndërsa kokaina ishte fshehur në ngarkesën e mishit. Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Gazeta Insajderi, kompania është në bashkëpronësi të Izet Sheqirit dhe biznesmenit nga Shqipëria, Bledar Halilaj.

    Sheqiri zotëron 60% të aksioneve të firmës, ndërsa Halilaj 40%.

    Gazeta Insajderi pati raportuar ekskluzivisht për të bëmat e Sheqirit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark