×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Rasti i 400 kg kokainë në Lipjan – Si i ndryshoi Kadri Sheqiri deklaratat duke u shndërruar në “dëshmitar bashkëpunues” e kë po e fajëson ai?

Insajderi
06 December 2022 - 15:30

Seanca gjyqësore ndaj shtatë të akuzuarve në rastin e 400 kg kokainë, të cilat në maj të 2021-ës nga Brazili përfunduan në depon e “Mc Food”, në Lipjan ka dështuar të mbahet. Për shkak mungesës së njërit prej të akuzuarve. Kadri Sheqiri. Sheqiri kishte 9 vite që po punonte si komercialist tek kompania e djalit të axhës së tij, Izet Sheqiri, të cilën prokuroria po e akuzon si “koka” e grupit kriminal. Kadri Sheqiri ka dhënë deklaratë të ndryshme pranë organeve të rendit. Gazeta Insajderi ju sjell të gjitha deklaratat e personit që parashihej të shpërndante narkotikët nëpër Kosovë, e i cili përfundoi duke bashkëpunuar me Prokurorin e Shtetit.

Të hënën e 5 dhjetorit, gjykata nuk ka mundur të jap përgjigje se pse Kadri Sheqiri nuk ishte i pranishëm në sallën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ani pse ka qenë nën masën “lajmërim në stacion policor”. I pranishëm nuk ka qenë as avokati i tij.

Në një sqarim të shpejt gjykatësi ka thënë që nuk mund të thuhet me saktësi se a është ftuar në mënyrë të rregullt.

Gazeta Insajderi ju sjell ekskluzivisht deklaratat e Kadri Sheqiri para organeve të rendit, që nuk ishin gjithnjë të njëjta.

Kadri Sheqiri ka 9 vite që punon në kompaninë “Mc Food” që merret me shitjen e mishit të pulës. Aty u punësua tek djali i axhës, Izet Sheqiri, pronar i kompanisë. Prokuroria e Shtetit po e cilëson atë si “kokën” e grupit kriminal, të cilët u zunë në flagrancë me 400 kg kokainë, që u sollën nga Brazili.

Kadriu në “Mc Food”, kishte pozitën e komercialistit-agjentit të shitjes. Ndërsa thotë se iu kërkua nga Faton Vrajolli, zëvendësdrejtori i kompanisë që ta luante rolin e ‘dillerit”. Kishte për detyrë të shpërndante drogën në disa pika në Prishtinë, potencialisht edhe jashtë Prishtinës.

Me Vrajollin, të cilin prokuroria ka e akuzuar për (organizator të grupit) ka deklaruar se njihet që 10-15 vite, e që ai i kishte kërkuar ta shpërndante drogën, e në këmbim do të merrte 60 mijë euro.

Planin së bashku e kishin bërë qysh nga muaji mars i 2021.

 Paraprakisht, dyshja ishin takuar në dy lokacione në njërën prej kafiterive në lagjen “Arbëria” në Prishtinë si dhe në “Tregun e Veturave”.

“…pasi që i pandehuri Faton Vrajolli e njofton për rrugëtimin e substancës narkotike, i njëjti njoftohet me detyrat e tij rreth shpërndarjes se substancës narkotike, ku sipas planit, pas arritjes se substancës narkotike në depon e kompanisë, kishte për ta bërë shpërndarjen në pika të caktuara në Prishtinë dhe jashtë saj gjatë periudhës kohore 20-25 Maj 2021 sipas rekomandimeve paraprake të të pandehurit Faton Vrajolli, për të cilën gjë ishte pajtuar dhe se në këmbim të këtij aktiviteti kriminal do të shpërblehej me para në shumë prej 60,000 € (gjashtëdhjetë mijë) euro”, thuhet në aktakuzën e sigurua nga Gazeta Insajderi.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, Kadri Sheqiri ndodhet në arrest shtëpiak, por që çuditërisht mungoi në seancën e parë dëgjimore.

Nga “nuk jam në dijeni për drogën” tek “kam vendosur ta tregojë të vërtetë” – si i ndryshoi Kadri Sheqiri deklaratat  

Gazeta Insajderi ka siguruar deklaratat Kadri Sheqirit, të të dhënë pranë hetueseve policorë e Prokurorit të rastit. Ai është marrë në pyetjet në muajin maj, qershor, shtator dhe tetor të 2021-ës.

Provat

Deklaratën e parë e ka dhënë, një muaj pasi u zunë në flagrancë Me datë 18.05.2021, Kadri Sheqiri ka deklaruar se përgjatë 9 viteve punë në “Mc Food”, nuk ka vërejtur ndonjë sjellje të dyshimtë përkatësisht të paligjshme të ndonjërit prej punëtorëve të kësaj kompanie e aq më pak të pronarit, Izet Sheqiri.

Ai ka deklaruar se e kishte kuptuar nga djali i një punëtori që në “Mc Food”, kanë zbarkuar patrulla të Policisë.

“Unë kam provuar ta telefonoj dikë nga Mc Food për të pyetur se çka ka ndodhur, askush nuk përgjigjej, jam nisur në drejtim të depos së Mc Food  kur arrita ju tregova Policisë se punojë këtu pastaj më lejuan të hy brenda dhe më informuan lidhur me ngjarjen. Unë nuk kam ditë asgjë derisa më njoftoi policia”, deklaronte ai përcjell Insajderi.

I pyetur se a kishte vërejtur diçka të dyshimtë përgjatë kohë sa punonte në këtë kompani ai është përgjigjur “Jo, asnjëherë  nuk kam menduar dhe nuk kam dyshuar që në kompaninë Mc Food gjendet drogë ose diçka e dyshimtë”.

Si përfundim, para hetueseve policore ka theksuar se nuk ka qenë fare në dijeni lidhur me këtë çështje dhe se nuk ka çka tjetër të shtojë.

Pas pyetjeve të parashtruara nga hetuesit policorë, Kadri Sheqiri me kërkesë të tij merret në pyetje nga prokurori i rastit.

Pikërisht me datë 26 qershor të 2021-ës, Kadri Sheqiri kishte marrë vendim ta thoshte të vërtetën e tij.

“Arsyeja e kërkesës ka qenë që kam dashur të them të vërtetë lidhur me rastin, përgjegjësinë time, thjeshtë nuk dua të rri në burg për askënd”.

Konfirmon se 9 vite ka punuar si komercialist në “Mcc Food”, që merret me shitjen e mishit të pulës që merret kryesisht nga Brazili. Tutje shpjegon që roli që i ishte dhënë është shpërndarës i substancës narkotike.

Ai tha se Faton Vrajollin, të cilin prokuroria e cilëson si “udhëheqës të grupit” kriminal ka kërkuar nga ai që ta kryej një punë “e ajo ka qenë prej datës 20 deri 25 maj 2021 me shku në Lipjan kompaninë “Mcc Food”, me i marrë 5-6 paketa dhe më së shumti 10 paketa me drogë, të cilat duhej shpërndarë në Prishtinë por mund ndodhë edhe jashtë Prishtinës”.

Dhe për këtë shërbim, Kadri Sheqiri ka deklaruar se Faton Vrajolli ia kishte ofruar 60 mijë euro. Madje që i njëjti e kishte para përgatitur edhe në rast se ndalohet nga policia, si të veprojë.  

“Për shpërndarje Fatoni më ka thënë se unë mallin ta jap me faturë në rast nevoje nëse të ndal dikush rrugës përmes faturës dëshmohet  se në ngarkesë mbanë mall (mish pule)”, ka thënë i pandehuri Sheqiri përcjell Insajderi.

Përkundër që djal i axhës së tij multimilioneri, Izet Sheqiri akuzohet nga Prokuroria si “organizatori/mbikëqyrësi i grupit”,  Kadri Sheqiri ka refuzuar ta fajësojë atë.

Nga deklaratat e tij lë të kuptohet se si fajtorë sheh vetëm Faton Vrajollin që në kompani kishte pozitën e zëvendësdrejtorit.

I pyetur nga prokurori se “A e ka përmendur Fatoni , drejtorin e kompanisë Izetin?”.

Kadri Sheqiri deklaroi “Jo, nuk e ka përmend ashtu siç e thashë edhe më lartë ai ka kërkuar nga unë të mos e dijë askush, as drejtori, as dikush tjetër”.

Ai ka theksuar se vetëm Faton Vrajolli merret me furnizimin e kompanisë me mall.

Të njëjtat deklarata i ka dhënë edhe në muajin shtator 02.09.2021. Fajtorin e vetëm e lë, Faton Vrajollin.

Kadri Sheqiri u deklaruar edhe me 22.10.2021. Ka deklaruar të njëjtat gjëra, se nuk di asgjë për rastin .

“Unë sinqerisht po ju them se ajo çka kam thënë herëve të kaluara është e vërtetë dhe nuk di asgjë tjetër më tepër”, teksa ka shtuar se presion dhe shqetësim ka për familjen time e jo për vete.

Si rrjedhojë, Prokuroria ka vendos  të bashkëpunojë me të pandehurin, Kadri Sheqiri. Duke e cilësuar atë “dëshmitar bashkëpunues”.

“Gjatë fazës së procedurës hetimore të zhvilluar nga PSRK, i pandehuri Kadri Sheqiri ka shprehur gatishmërinë  dhe vullnetin që të bashkëpunojë me prokurorinë dhe ta dëshmoj të vërtetën në gjykatë me qëllim të zbardhjes të së vërtetës në rastin konkret, zbulimit të informacioneve për veprimet e tij inkriminuese dhe të bashkëpandehurit Faton Vrajolli si dhe ndjekjen e suksesshme  të kryerëseve tjerë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë derisa konfirmohet se gjykata ka aprovuar me 18 nëntor të 2021-ës kërkesën e Sheqirit për bashkëpunim, gjegjësisht t’i jepet epiteti “dëshmitar bashkëpunues”.

Deklarata përfundimtare e Kadri Sheqirit para prokurorit të rastit: Ka veç një fajtor, Faton Vrajollin

Ndërkohë, prokuroria ka deklaruar se dëshmitari bashkëpunues Kadri Sheqiri, në dëshminë e tij ka deklaruar ka qenë në dijeni që substanca narkotike do të vij së bashku me produktin ushqimor kompaninë MC FOOD.

Sipas tij, rreth dy muaj para se të arrij substanca narkotike në kompaninë “Mcc FOOD”, kishin biseduar me të pandehurin Faton Vrajolli duke bërë planin e shpërndarjes se narkotikut nëpër pika të caktuara në kohë të caktuara.

Dëshmitari bashkëpunues tutje sipas prokurorisë, deklaron se sipas planit pasi të mbërrij substanca narkotike brenda datave 20 deri me 25 maj 2021 të shkoj në Lipjan në kompaninë “Mcc FOOD”, aty t’i merr 5, 6, me së shumti 10 paketa me drogë, të cilat duhet që t’i shpërndaj në Prishtinë por që mund të ndodhë edhe jashtë Prishtinës dhe për këtë shërbim Faton Vrajolli e ka njoftuar se do të shpërblehet me 60 mijë euro, në momentin që do të përfundoj shpërndarja.

Dëshmitari, gjithmonë sipas prokurorisë tutje sqaron se ka pranuar ta kryej këtë detyrë dhe se Faton Vrajolli i ka thënë se mallin do ta jap me faturë në rast nevoje nëse të ndalon dikush rrugës, përmes faturës të dëshmosh se në ngarkese mbanë mall (mish pule).

“Tutje dëshmitari ka deklaruar se gjatë një takimi që kishte me të pandehurin Faton Vrajolli, në Dragodan në parkingun e një lokali i njëjti e ka pyetur të pandehurin Faton Vrajolli, se a mbet ajo puna ashtu siç kemi folur në takimin e pare i njëjti i është përgjigjur se mos u merr me atë punë kurrë se është kryer ajo marrëveshje, nuk ki nevojë të më thirresh në telefon, vetëm mbaj mend datat 20-25 maj 2021, brenda këtyre datave do ta bësh transportin e mallit ku të them unë dhe sipas faturës që ta shkruaj”, thuhet në dosje.

I pandehuri Kadri Sheqiri, tani dëshmitar bashkëpunues deklaron tutje se e ka pyetur të pandehurin Faton Vrajolli, se malli a do të vije nga Shqipëria, i njëjti i është përgjigjur, jo çfarë Shqipërie, andej kah vjen mishi do vije edhe malli-droga.

“Tutje dëshmitari bashkëpunues në pyetjet e prokurorit, ka deklaruar se i pandehuri Faton Vrajolli dy vitet e fundit ka ndryshuar në aspektin e pasurisë, sepse ka vozitur vetura si: Porsche, Audi Q7, BMW dhe se i njëjti ka dëgjuar se ka blerë shtëpi në Suedi apo Danimarkë”.

Gjithashtu dëshmitari bashkëpunues deklaron se në momentin kur policia ka bastisur kompaninë “MC FOOD” Sh.p.k., ka qenë në Dragodan në njërën prej gjellëtoreve të kësaj ane duke ngrenë bukë dhe aty ka pranuar një telefonatë nga një person i cili i ka thënë, paska polic në “Mcc FOOD”, në atë moment kam hip në kerr dhe kam shkuar në “MC FOOD” dhe aty jam arrestuar nga policia.

Në pyetjen e prokurorit se cila ishte arsyeja që ke shkuar në kompaninë “Mcc FOOD”, kur e kuptove se aty janë prezent policia, dëshmitari bashkëpunues thotë se ka menduar se kanë hyrë hajnat e kanë vjedhë substancën narkotike që ka pasur me ardhë ashtu siç ka thënë Faton Vrajolli.

Pas dëshmisë së Kadri Sheqirit, prokuroria ka dal në kolaudim se Faton Vrajolli e dinte saktësisht se prej nga dhe kur do të vinte droga në Lipjan.

Kadri Sheqiri së bashku me Izet Sheqirin, Faton Vrajollin, Kadri Ibrahimin dhe Fehmi Bytyqin akuzohet se nga koha e pacaktuar deri më 15 maj 2021, duke vepruar si pjesë e grupit kriminal të organizuar dhe në bashkim të strukturuar kriminal, me dashje, dijeni e me qëllim të përfitimit financiar, secili nga ta kanë vepruar në forma të ndryshme me qëllim të realizimit të aktivitetit kriminal.

Tanimë, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 6 muaj burgim efektiv të akuzuarin Naim Morina për veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës penale”, në rastin për rastin e 400 kg kokainë të vendosur në mish të ngrirë që kishte ardhur nga Brazili në Kosovë.

Ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet me 21 dhjetor./GazetaInsajderi

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark