×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Diçka nuk është mirë psiqikisht..”- Avokati i të akuzuarit kryesor për 400 kg kokainë deklarohet për Insajderin

    Insajderi
    11 October 2023 - 14:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kadri Sheqiri nuk është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin që po dyshohet për 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili. Për mungesën e tij, një sqarim dha avokati i tij, Xhafer Maliqi, ku mes tjerash përdori shprehjet si “sjellje labile e devijante”, kur para gjykatës përshkroi dhe dha arsyetimin e mungesës së klientit të tij.

    Pas kësaj, Gazeta Insajderi ka kontaktuar avokatin Maliqi për të kuptuar më në detaje se çka ka dashur të thotë.

    Avokati tha se në bisedën në telefon me të Kadri Sheqiri ka qenë tepër i qartë, ai ka dyshime se nuk është mirë psiqikisht.

    Për të njëjtin thotë se ekziston edhe një raport mjekësor, se vuan nga skizofrenia bipolare.

    Unë kam dashtë me thënë se ai diçka psiqikisht nuk është në rregull. Ka tre javë që nuk e kam takuar. Mendoj, pra mendimi im është subjektiv se edhe dje kur kam bisedu me të në telefon ka qenë biseda tepër i paqartë në përgjigje. Por për këtë janë ekspertët e mjekësisë jo unë, dhe ka dokumente në shkresa të lëndës, ka mendim të mjekut që vuan prej skizofrenisë bipolare”, ka thënë avokati për Insajderin.

    Ndërkohë, gjykata sot ka njoftuar se do të lëshojë urdhëresë për sjelljen me detyrim në sallë të Sheqirit.

    Në këtë rast, të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), janë Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe Fehmi Bytyqi.

    Për rastin, InDoks dy vjet më parë kishte realizuar një dokumentar ekskluziv.

    Të akuzuarit Izet Sheqiri, Kadri Ibrahimi dhe Faton Vrajolli gjenden nën masën e paraburgimit, kurse i akuzuari Fehmi Bytyqi është nën masën e arrestit shtëpiak, ndërsa i akuzuari Kadri Sheqiri gjendet në liri.

    Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.

    Në këtë shqyrtim gjyqësor kishte ndryshuar trupi gjykues, ku gjyqtari Arben Hoti është ndërruar me gjyqtari Valon Kurtaj.

    Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

    Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramëve kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove. 

    Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shty, ndërsa e radhës pritet të mbahet më 16 tetor 2023.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark