Gazeta Insajderi përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) ka arritur të sigurojë raportin final të Muharrem Mustafës, i cili u pagua 7,779 euro nga Posta e Kosovës që të përgatis një dokument që parasheh mbështetjen e procesit të ristrukturimit në ndërmarrjen publike. Ky proces ka filluar që nga 2022-a, ndërkaq Mustafa është angazhuar më 2024-ën.
Gazeta Insajderi është përpjekur ta sigurojë si dokument raportin final që përshkruan punën e Mustafës tash e dhjetë muaj. Kërkesën për qasje në dokumente publike e ka parashtruar vitin e kaluar, mirëpo nga Posta e Kosovës kanë thënë se është ende draft.
“Ju njoftojmë se dokumentet/draft struktura dhe të gjitha dokumente që lidhen me ristrukturim të PK Sh.A., të konsulentit të jashtëm të z. M. Mustafa janë ende drafte, dhe si të tilla edhe me ligjin për qasje në dokumente publike nenin 1.2(Dokument Publik– nënkupton çdo akt, fakt apo informatë në formë elektronike apo me zë, formë të shtypur, në incizime vizuale apo audiovizuale të prodhuara apo mbajtura nga institucioni publik)., andaj si të tilla nuk janë dokumente ende të aprovuara përkatësisht të prodhuara nga PK Sh.A., siç kërkon neni 1.2 i ligjit për qasje në dokumente publike. Në momentin që struktura organizative e PK Sh.A., aprovohet nga BiD-i., do të bëhen dokumente publike dhe të qasshme për të gjithë“, u tha në përgjigjen e zëdhënësit të Postës, në tetor të 2024-ës.

Gazeta Insajderi ka parashtruar edhe një herë kërkesë këtë vit, pasi që ka parë se i njëjti dokument i është dorëzuar sindikatës së Postës së Kosovës. Nga kjo ndërmarrje publike kanë thënë në qershor se ende konsiderohet si dokument i brendshëm.
“Ju falënderojmë për interesimin tuaj dhe njëkohësisht kërkojmë ndjesë për vonesën në kthimin e përgjigjes, e cila ka ardhur për shkak të angazhimeve të paracaktuara brenda Postës së Kosovës. Sa i përket kërkesës suaj për qasje dokumente publike, ju njoftojmë se ky dokument aktualisht konsiderohet si material pune i brendshëm dhe nuk është miratuar ende nga Bordi i Drejtorëve të PK Sh.A“, është thënë në përgjigjen e tyre.

Insajderi ka bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), ku pas shkresës njoftuese të këtij institucioni për mundësi eventuale për gjobë, nga Posta e Kosovës e kanë përcjell raportin final të Muharrem Mustafës, konsulentit të jashtëm që mori afro tetë mijë euro për një dokument.
Gazeta Insajderi përmes burimeve të saja ka marrë vesh se Muharrem Mustafa është i angazhuar në Presidencën e Kosovës. Insajderi ka insistuar të dijë nëse Posta e Kosovës ka qenë në dijeni për angazhimin e tij në Presidencë dhe nëse e ka shqyrtuar si rast të konfliktit të interesit, por të njëjtit s’kanë pranuar të përgjigjen për një gjë të tillë.
Çka përmban ky dokument?
Konsulenti Mustafa ka realizuar intervista dhe anketa me stafin e Postës së Kosovës.
Në gjetjet e tij, si sfida kryesore i kualifikon “mos anëtarësimin në Unionin Postar Universal dhe investimet e pakta kapitale në infrastrukturë”.
Ndonëse nuk nevojitet ndonjë hulumtim i madh për ta kuptuar këtë, konsulenti i jashtëm e potencon si sfidë operimin me humbje të ndërmarrjes publike tash e më shumë se 10 vite.
Po ashtu, në dokumentin që e ka siguruar Gazeta Insajderi, për shpenzime të mëdha fajsohet personeli.
“Sfidë mbetet operimi me humbje i ndërmarrjes dhe se shpenzimet e Postes së Kosovës sh.a kryesisht janë shpenzime të pagave të personelit, konkretisht 84 % janë shpenzime për paga të personelit dhe 16% janë shpenzime operative“, thuhet në gjetjet e Mustafës.
Ky dokument lë të nënkuptohet se procesi i ristrukturimit mund të sjellë edhe shkurtime të vendit të punës, meqë thuhet se “struktura hierarkike është komplekse”.
Konsulenti i jashtëm sjell shembuj nga shërbimet postare nga Zvicra dhe Italia, ku i rekomandon Postës së Kosovës digjitalizim të shërbimeve me qëllim të rritjes së të hyrave.
Ndërkaq, për shembull të keq merr Postën Shqiptare dhe atë të Maqedonisë së Veriut.
“Pavarësisht përpjekjeve për të përshtatur strukturën organizative me sfidat e tregut dhe teknologjitë
e reja, performanca financiare nuk është e kënaqshme për shkak të shpenzimeve të larta operative
dhe ritmit të ngadaltë të modernizimit. Për këtë arsye, Posta Shqiptare nuk rekomandohet të merret
si model për transformim dhe përshtatje ndaj sfidave të tregut“, thuhet në gjetjet e konsulentit.
“Nga analiza e kryer mbi situatën aktuale të Postes së Kosovës tregohet qartë se struktura aktuale e Postës së Kosovës sh.a. është e mbingarkuar dhe nuk është e përshtatshme për të përballuar sfidat e tregut dhe zhvillimet teknologjike”, thuhet tek gjetjet e dokumentit.
Në detajet e kontratës, theksohej se angazhimi i këtij konsulenti nga Posta e Kosovës është 60 ditë, apo dy muaj. I bie që Muharrem Mustafa për këtë raport, për një muaj u pagua 3889 euro.
Gazeta Insajderi ka marrë vesh se një dokument i natyrës së ngjashme është përgatitur edhe më herët nga një komision i përbërë nga stafi i brendshëm i Postës së Kosovës. Kjo, pasi që Posta e Kosovës, njësoj sikurse Telekomi i Kosovës, ka filluar procesin e ristrukturimit që nga 2022-a.
Largimi nga puna dhe humbja në gjykatë
Bashkëshortja e heroit, Ilaz Kodra, ishte larguar nga puna në Postën e Kosovës. Ajo ishte duke kryer funksionin e Koordinatores së Zyrave të Postës në Skenderaj.
Pas vendimit, Kodra vendosi ta padis menaxhmentin e këtij organi, për largim nga puna pa ndonjë arsyetim.
Procesi gjyqësor zgjati me muaj të tërë. Gati dy vite. Deri më 27 shkurt 2024.
Ky institucion erdhi në përfundim se pretendimet e menaxhmentit të Postës nuk kanë asnjë bazë.
Pra, Gjykata thotë se “Kodra ka përmbushur detyrat dhe përgjejgjësit e saj ashtu që asnjëherë nuk ka qenë e përfshirë në keqpërdorimin e mjeteve financiare të Juet Credits”.
Kësisoj, është vërtetohet se menaxhmenti i Postës ka kryer shkelje të kontratës së punës, vendimi ka qenë në kundërshtim të plotë me Ligjin e Punës.
“Gjithashtu është vërtetuar se vendimi i Postës për shqiptimin e masave disiplinore ishte në kundërshtim të plotë sipas ligjit të punës, rregulloret e brendshme e të paditurës, kontratën e punës, dhe me performancën e kënaqshme të paditëses për arsye se paditësja edhe në datën e pretenduar me vendimin e kundërligjshëm ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e saj ashtu që asnjëherë nuk ka qenë e përfshirë në keqpërdorimin e mjeteve financiare të Jute Credites”, thuhet në vendim.
Si rezultat Posta u detyrua që Kodrës t’ia kompensojë diferencën në pagat të papaguara prej ditës së largimit të përkohshëm deri në kthimin e saj në vendin dhe pozitën e njëjtë të punës dhe t’ia paguajë shumën prej 7 mijë euro “në emër të dëmit jo material për dhimbje shpirtërore”. /Insajderi.org/