
ZKA ka gjetur shkelje në procesin e dhënies dhe menaxhimit të pronës publike në tetë komuna. Në mesin e tyre është edhe ajo e Podujevës që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i VV-së.
Gazeta Insajderi
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur shkelje në tetë auditime që lidhen me temën “Dhënia në shfrytëzim dhe menaxhimi i pronave komunale të dhëna me qira”.
Gjetjet përfshijnë komunat e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Podujevës, Suharekës, Fushë Kosovës dhe Vushtrrisë, shkruan Insajderi.
Çka thuhet në raport për Komunën e Podujevës?
Raporti nxjerrin në pah shkelje serioze në menaxhimin e pronave komunale dhe mosrespektim të ligjit.
Sipas ZKA-së, Komuna e Podujevës nuk ka arritur të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave të dhëna me qira, duke e lënë administrimin e tyre në gjendje të dobët.
Nga mostrat e testuara, mbi 95% kanë rezultuar me parregullsi, duke përfshirë mosrespektimin e kushteve kontraktuale dhe mosrealizimin e obligimeve financiare.
Një nga shfrytëzuesit e pronës kishte edhe obligim të papaguar mbi 65,000€.
“Në 11 raste të kontratave aktive të shqyrtuara, shfrytëzuesit nuk ju kishin përmbajtur kushteve të përcaktuara me kontratë, si për pagesën e obligimeve kontraktuale ashtu edhe për angazhimin e punonjësve të paraparë me kontrata. Vlen të theksohet se njëri prej tyre kishte obligim të papaguar mbi 65,000€“, thuhet në raport.
Ndërsa edhe në ankande ZKA ka gjetur se përfituesit nuk kanë plotësuar kriteret e kërkuara.
Përfundimi i ZKA-së
Raporti thekson se Komuna e Podujevës nuk ishte në pajtueshmëri me ligjin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, si dhe me standardet e monitorimit dhe menaxhimit të kontratave.
Mungesa e veprimeve të duhura ka bërë që pronat të jepen në shfrytëzim pa aprovimin e Kuvendit Komunal, në mungesë të konkurrencës dhe me kushte të papërshtatshme.
Ky menaxhim i dobët ka ndikuar në zvogëlimin e të hyrave komunale, mosrespektimin e kushteve të kontratave dhe krijimin e borxheve të papaguara nga viti në vit.
Prandaj edhe ZKA i ka dhënë disa rekomandime Bulliqit si:
-Përfituesit e kontratave për pronat komunale të cilat ipen në shfrytëzim ti kenë plotësuar kriteret e pjesëmarrjes siç janë kërkuar në njoftimin publik, me ç ‘rast të siguroj transparencë, trajtim të barabartë të të interesuarve dhe pjesëmarrësve në ankand publik.
-Një proces objektiv, transparent dhe efikas duke publikuar njoftimin publik dhe
njoftimet për përfituesit .
-Për qiramarrësit të cilët nuk përmbushin kushtet e kontratës të marrë veprimet e nevojshme ligjore për ndërprerjen e kontratave meqenëse kemi të bëjmë me shfrytëzues të papërgjegjshëm në respektimin e kontratave, dhe për qiramarrësit kontratat e të cilëve janë me afat të pacaktuar në kundërshtim me ligjin, të marrë veprimet e nevojshme ligjore.
-Të bëjë raportime të rregullta, në mënyrë që Kuvendi Komunal të jetë i informuar dhe të ndërmerr veprimet e nevojshme në funksion të zbatimit të kontratave./insajderi.org/