
Telekomi i Kosovës ka shpërblyer kompaninë EU1 Servis sh.p.k., Vushtrri me vlerë 178.799.97 € për furnizim me vetura të përdorura, ndonëse kishte në dispozicion një ofertë shumë më të lirë, vetëm 139.240 € nga DEC Pro sh.p.k.
Bazuar në dokumentet e E-Prokurimit, shihet se Telekomi i Kosovës ka pranuar të paguajë rreth 40 mijë euro më shtrenjtë, duke i shkaktuar një dëm direkt buxhetit të vet dhe parasë publike.
Operatori me ofertën më të lirë, DEC Pro, është tërhequr nga gara pa ndonjë arsyetim, teksa Telekomi i Kosovës s’kishte kërkuar sigurimin e tenderit, përkundër që ligji e parasheh një gjë të tillë.
Si rezultat i tërheqjes së kompanisë më të lirë, tenderin e ka fituar kompania e vetme në garë, EU1 Servis.
Nga ndërmarrja publike kanë thënë për Gazetën Insajderi se ky tender është përsëritur dy herë për shkak të mospjesëmarrjes së ofertuesve.
“Në këto kushte, procedura ka vazhduar me OE që ka qenë në radhë, të cilit po ashtu i janë kërkuar dokumentet e nevojshme para se të shpallej fitues. Pasi i njëjti i ka dërguar dokumentet, është vazhduar procedura siç parashihet me ligj, pra shpallja e fituesit dhe nënshkrimi i kontratës, dhe aktualisht jemi në pritje të furnizimit sipas kontratës. Për sqarim, ofertuesi me çmim më të ulët, i cili është tërhequr nga gara, ka ofruar furnizimin me automjete të tipit Citroën, ndërsa ofertuesi i dytë, që është shpërblyer me kontratë pas tërheqjes së ofertuesit të parë, ka ofruar furnizimin me automjete të tipit Caddy Volkswagen, dhe dallimi në cilësi ndërmjet këtyre dy tipeve të automjeteve e arsyeton diferencën në çmim (edhe pse ky nuk ka qenë kriteri për të kontraktuar ofertuesin e dytë, por kontraktimi ka ndodhur pas tërheqjes së ofertuesit të parë)”, kanë deklaruar nga ndërmarrja.
Gazeta Insajderi është interesuar të pyes pse nuk është bërë sigurimi i tenderit dhe a është propozuar për listë të zezë. Nga Telekomi i Kosovës kanë thënë se nuk kanë dashur ta bëjnë barrë financiare për ofertuesit.
“Ligji për Prokurimin Publik nuk e bën të detyrueshëm sigurimin e tenderit, por e lë në diskrecion të Autoritetit Kontraktues. Në këtë rast, duke marrë parasysh se tenderi i parë ka dështuar pa asnjë ofertë, kushtet në procedurën e dytë janë lehtësuar që të inkurajohet pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë. Përveç kësaj, kërkesa për sigurim të tenderit do të kishte rritur kostot e ofertuesve, ndërsa maksimumi ligjor i sigurimit do të ishte vetëm rreth 3% e vlerës së planifikuar (rreth 4,200 €), që nuk do të ofronte përfitim të konsiderueshëm. Nuk kemi marrë veprime për ta futur në ndonjë listë të zezë, sepse në bazë të ligjit, tërheqja nga ofertimi në këtë fazë nuk e parasheh një gjë të tillë“, thuhet në përgjigjen e Telekomit.
Në bazë të kontratës, të cilën e ka parë Insajderi, Telekomi i Kosovës ka kërkuar vetura 11 vite të vjetra. 20 copë në njësi, të modelit Volkswagen Caddy dhe Opel Combo.
Në letrën standarde, operatori ekonomik ka bërë të ditur se do t’ju ofrojë vetëm vetura të markës Volkswagen Caddy, nën pretendimet se “tregu është më i gjerë i markës Volkswagen.
Gazeta Insajderi raportoi para dy javësh për një tender të dhënë nga Telekomi i Kosovës kompanisë që u lavdërua nga Qeveria Kurti. Bëhet fjalë për Ericsson Nikola Tesla, kompani kroate me seli në Kosovë, së cilës iu dha një tender në vlerë prej 1,7 milion euro. Me këtë kontratë, kjo firmë pritet që t’i renovojë disa shërbime teknike të ndërmarrjes publik.
Kjo nuk ishte hera e parë që Ericsson Nikola Tesla përfitonte tenderë në forma të negociuara nga Telekomi. Ata që nga 2022-a e deri më tani kanë përfituar përreth 30 milionë euro nga kontratat me ndërmarrjen publike.
Para hiç më larg se katër muajsh, e njëjta firmë e ka fituar një tender të negociuar në vlerë prej 1,3 milionësh. /Insajderi.org/