Komuna e Zubin Potokut në mars të këtij viti me anë të një njoftimi kishte bërë të ditur që ka shpërblyer me tender për shtrimin e rrugës në Qabër dhe disa rrugica të kësaj komune konserciumin “Urban O.P” dhe “Bageri SHPK”. Megjithatë, kjo komunë ka hapur sërish mundësinë e ofertave më 15 tetor të këtij viti. Për tenderin në fjalë, janë ankuar dy kompani. Në ankesat e tyre pretendohet për favorzim të konserciumit dhe “shkelje të rënda ligjore”.
Gazeta Insajderi
Kompania “Bonn Projekt” i është drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit lidhur me tenderin për asfaltimin e rrugëve në Çabër dhe rrugicave në Zubin Potok. Në të, pretendohet për favorizim të konserciumit “Urban O.P” dhe “Bageri SHPK”, kompani këto të cilat në mars të këtij viti komuna kishte njoftuar se i kishte përzgjedhur për kryerjen e punimeve, raporton Gazeta Insajderi.
Në pretendimin e kësaj kompanie, thuhet se kompanitë në fjalë në konsercium kanë ofertuar çmim më të lartë sesa vlera e tenderit. Tutje, kompania aludon për një marrëveshje paraprake mes përfaqësuesve të firmave me zyrtarët komunalë.
“Duke vepruar në kundërshtim me nenin 108/B të LPP-së dhe me parimet e prokurimit publik, Autoriteti Kontraktues ka cenuar sigurinë juridike të procedurës dhe të drejtën e ankuesit, si dhe të drejtën tonë për pjesëmarrje në këtë aktivitet. Nga veprimet e ndërmarra shihet qartë se ka pasur favorizim të njëanshëm nga ana e AK-së për operatorin ekonomik “GOE”, i cili ka ofertuar madje me çmim më të lartë se vlera e tenderit. Kjo na bën të aludojmë në një marrëveshje paraprake ndërmjet disa zyrtarëve të AK-së dhe operatorit ekonomik në fjalë”, thuhet në ankesë.
Tenderin e dhënë në këtë mënyrë, kjo kompani e quan “kontrabandim”.
Megjithatë, ankesa është hedhur poshtë si jo e plotë nga Gjykata e Tenderëve. Në arsyetim thuhet se kompania që ka bërë ankesë nuk ka marrë pjesë në aktivitet të prokurimit, gjë që nuk e bën atë pale interesi sipas ligjit.
“Mbi bazën e asaj që OE nuk ka dorëzuar fare ofertë, OSHP konsideron se i njëjti nuk është palë e interesuar në kuptim të nenit 4 paragrafit 1 nënparagrafit 26 të LPP ku përcaktohet se “Palë e interesuar është personi që mund të dëshmojë interes material nga rezultati i aktivitetit të prokurimit të zbatuar nga autoriteti kontraktues në raport me një kontratë të veçantë publike ose konkurs projektimi duke përfshire cilindo person i cili ka qenë ose mund të jetë në rrezik të dëmtimit nga një shkelje e pretenduar”, thuhet në vendimin e OSHP’së, ku e lejon autoritetin kontraktues të procedojë më tutje me procedurat e prokurimit.
Në anën tjetër, kompania “Hydro Ing” po ashtu ankohet për favorizim, duke përmendur disa specifika të dosjes së tenderit.
“Duke marrë parasysh Ligjin për Prokurimin Publik, ku përcaktohet se vlera e punëve të ngjashme duhet të jetë së paku 1.5 herë më e lartë se vlera e kontratës së zotuar, në këtë rast shihet një favorizim i njëanshëm nga ana e AK-së, e cila ka kërkuar vlerën e punëve të ngjashme prej vetëm 75,000.00 eurosh, ndërkohë që vlera e kontratës është mbi 430,000.00 euro”, thuhet në ankesë.
Kompania tutje thotë se Komuna e Zubin Potokut shkeli nenin 8 të Ligjit për Prokurim Publik, pasi në dosje të tenderit ka kërkuar rimorkio me kapacitet minimal 75 ton, teksa “në listën e makinerisë mjeti më i rëndë që figuron ka peshë bartëse deri në 23 ton”.
“Kjo tregon qartë se kërkesat dhe ofertat nuk janë proporcionale mes vete dhe nënkuptojnë favorizim të kompanive apo të një kompanie të caktuar nga AK-ja“, thuhet në ankesë.
Përkundër kësaj, OSHP’ja këtë kërkesë të “Hydro Ing” e ka hedhur poshtë si të palejuar pasi kompania mund t’i drejtohet me ankesë Gjykatës së Tenderëve vetëm pas parashtrimit të kërkesës për rishqyrtim nga autoriteti kontraktues.
Kush janë “Bageri” dhe “Urban O.P”?
Më 9 gusht të 2024-ës, makineri pune ishin parë tek asfaltonin në vendbanimin “Lugina e Diellit”- një projekt i Qeverisë së Republikës së Serbisë në Veri të Kosovës që është kontestuar vazhdimisht ligjshmëria e tij nga autoritetet kosovare.
Punimet do të ndaloheshin nga Policia e Kosovës.
Pas disa ditësh pritje, kjo Prokurori i ka konfirmuar Gazetës Insajderi që ky asfaltim në “Luginën e Diellit” ishte punë që u bë jashtëligjshëm, dhe se ndaj një personi madje kishin iniciuar hetime penale.
Gazeta Insajderi kishte raportuar që komapnia së cilës iu ndërprenë punimet ishte“Urban O.P”.
Kjo firmë, që në platformën “prokurimi i hapur” del që më herët të ketë pasur edhe emrin “N.N.SH. “Urban”, por që me të njëjtin numër identifikues tash del si “Ruban O.P”, ka pasur edhe një ortak. Del që pos Ibish Ceranit, ortak ka qenë edhe Zija Ahmeti.
Në atë kohë, del që ka pasur kontratë me Ministrinë e Infrastrurës.
Ishte pjesë e një grumbulli kompanisë në tenderin për 2 “Mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) e A6, nga udhëkryqi A7 A6 deri ne kuqje në Konjuh si dhe rrugën Nacionale N9”, në vitin 2019.
Një vit më herët mori një tender nga komuna e Lipjanit për asfaltimin e një rruge në Babush, derisa në vitin 2020 del se ka marrë një tender për ndërtimi i infrastrukturës në Lagjen e Re në fshatin Frashër nga Mitrovica.
Kjo kompani ishte pjesë e konzorciumeve edhe në tenderin 30 milionësh të Ministrisë së Infrastrukturës së udhëhequr nga dyshja Liburn Aliu e Hysen Durmishi, tenderi i shoqëruar me shumë ankesa e dyshime për dallavere për mirëmbajtje të rrugëve rajonale deri në vitin 2025.
Ndërkaq, kompania “Bageri SHPK” ka gëzuar një numër të madh të tenderëve nëpër institucione publike. Ata kishin fituar edhe tenderin për një lot në rrugën Prishtinë-Podujevë.
Bujar Shabani i “Bageri” ka përfituar tenderë multimilionësh nga Ministria e Infrastrukturës, të cilën aktualisht e udhëheq “dosti” i tij, Hysen Durmishi.
Ndonëse pa ndonjë procedurë publike tenderuese, Ura e Ibrit vjet testohej nga kamionët e rëndë të “Bagerit”.
Shabani në nëntor të vitit që shkoi është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Më 20 nëntor 2024, Shabani e ka pranuar fajësinë derisa më 3 maj 2023 ai ishte deklaruar i pafajshëm ndaj akuzës se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”. /Insajderi.org/