Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një grupi të dyshuar për veprimtari kriminale në Kosovë. Ky grup akuzohet se ka ndërmjetësuar sigurimin e dokumenteve të rreme me qëllim pajisjen e shtetasve turq me lejeqëndrim në vend, raporton Insajderi.
Megjithatë, gjyqtari Eroll Gashi ka konstatuar se Prokuroria nuk ka paraqitur baza të mjaftueshme ligjore për t’i mbajtur të dyshuarit në paraburgim. Në vendimin e tij, ai ka theksuar se të pandehurit kanë adresa të qëndrueshme në Kosovë, janë të integruar në jetën familjare dhe profesionale, si dhe se mes Kosovës dhe Turqisë ekzistojnë marrëdhënie të mira reciproke, çka sipas tij ul rrezikun që ata të shmangen nga procedura penale.
Për këto arsye, gjykata ka vlerësuar se nuk ka rrethana që e arsyetojnë vazhdimin e masës së paraburgimit.
Krerët e grupit dhe skema e mashtrimit
Sipas burimeve Insajderit brenda ekipit të hetimit, dy personat kryesorë të dyshuar si drejtues të këtij grupi janë Murat Demirtepe dhe Ihsan Kiliç. Këta persona figurojnë si pronarë të bizneseve të ndryshme të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Bizneset e tyre funksiononin nën petkun e “zyrave të ndërmjetësimit” për punësimin e të huajve. Skema funksiononte duke sjellë shtetas nga Turqia, shumë prej të cilëve raportohet se kishin të kaluar kriminale në vendin e tyre të origjinës.
Përmes dokumenteve të falsifikuara, këta shtetas regjistroheshin me kontrata pune në kompani fiktive në Kosovë. Më pas, ata aplikonin për lejeqëndrimi me qëllim punësimi.
Dokumentacioni shpesh i referohej punësimit në kompani të njohura si “Wolt”, por edhe në biznese të tjera të cilat, sipas hetimeve, ishin thjesht “në letër” – të regjistruara në ARBK, por pa ushtruar asnjë aktivitet real ekonomik.
Zgjerimi i aktivitetit kriminal
Përveç manipulimit me lejeqëndrimi, dyshimet rëndojnë se grupi arrinte të falsifikonte edhe patentë shoferët e Republikës së Kosovës për klientët e tyre.
Bilanci i operacionit policor
Gjatë aksionit, përveç dy të dyshuarve kryesorë (Demirtepe dhe Kiliç), janë arrestuar edhe disa persona të tjerë, thonë burime te Insajdrir.
Policia ka bastisur disa lokacione, përfshirë banesa dhe zyra që shërbenin si baza për përgatitjen e dokumentacionit të falsifikuar.