Policia e Kosovës përgjatë ditës së djeshme njoftoi për arrestimin e një personi për mashtrim në prokurim publik. Dyshohet se dokumentet e prezantuara ishin me afat të skaduar. Bëhet fjalë për kompaninë “Infinitt SH.P.K”, me pronar Visar Krasniqin. Kjo kompani ka fituar një numër të madh tenderësh gjatë këtij viti.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, pas veprimeve operative-hetimore ka grumbulluar prova që ngrenë dyshime të bazuara se i dyshuari ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurim publik.
Rasti lidhet me aktivitetin e prokurimit me titull: “Furnizim me tabela të mençura për shkollat e mesme në Komunën e Gjilanit”. Hetimet paraprake tregojnë se Visar Krasniqi ka paraqitur certifikata në kundërshtim me standardet ISO, për të cilat ekzistojnë dyshime se kanë qenë me afat të skaduar, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm dhe manipulim të procedurës.
Krasniqi është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa Prokurori i çështjes ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, derisa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësinë penale në këtë rast.
Lidhur me tenderin në fjalë, ishin evidentuar një numër parregullsish. Fillimisht ka pasur ankesë nga një operator ekonomik, për çka është miratuar si e bazuar.
Infinitt SHPK ishte ofertuesi i dytë me çmimin më të shtrenjtë, gjegjësisht 975,45 euro. Tenderi është dhënë nga Komuna e Gjilanit në maj të këtij viti.

Në dosjen e tenderit, shihet se një nga kriteret kryesore të përshtatshmërisë ishte certifikata ISO 9001 2015, Certifikata ISO 14001 2015 dhe Certifikata ISO 20000, dokumente këto për të cilat dyshohet se Krasniqi i prezantoi si të skaduara.

Numri i madh i tenderëve, i fituar nga INFINITT SHPK
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik gjatë këtij viti ka prezantuar një pasqyrë mbi aktivitetet e zhvilluara në prokurimin publik. Në bazë të këtij raporti nëntë-mujor, figuron se kompania me numrin më të madh të kontratave përgjatë këtij viti është INFINITT SHPK.
Kompania e Krasniqit ka marrë 143 kontrata, me një diferencë prej afro gati 100 kontrata më shumë sesa kompania e dytë në listë- Europrint Group, e cila ka marrë 54 sosh.

Kjo kompani ka fituar tenderë nga institucione të ndryshme, si ato qëndroret edhe ato të nivelit lokal.
Një kontratë kornizë me vlerë të madhe së fundmi e ka nënshkruar edhe me Këshillin Prokurorial të Kosovës, në vlerë prej afro 60 mijë euro.
Vetëm përgjatë këtij muaji, kjo kompani ka nënshkruar 15 kontrata publike dhe një kornizë, vlera e së cilës rrumbullaksohet rreth 50 mijë euro.

“INFINITT” SH.P.K. është aktive në tenderët publikë. Në të kaluarën ka qenë në listën e zezë të OSHP’së.
Sipas përshkrimit në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, INFINITT e ka mjaft të zgjeruar veprimtarinë biznesore, megjithatë kryesorja mbetet tregtia me pakicë e librave nëpër dyqane të specializuara. /Insajderi.org/
