Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka finalizuar një hetim disa mujor që lidhet me dyshime për parregullsi në një aktivitet të prokurimit publik në rajonin e Gjilanit.
Sipas njoftimit, hetimet janë zhvilluar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe kanë rezultuar në sigurimin e provave të rëndësishme. Autoritetet dyshojnë se një operator ekonomik ka paraqitur dokumentacion në kundërshtim me kërkesat ligjore të prokurimit publik.
Po ashtu, ekzistojnë dyshime të bazuara se dokumentet e dorëzuara kanë qenë të pasakta ose të pavërteta, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Nga veprimet hetimore është krijuar dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra penale “Mashtrim në prokurimin publik”. Personi i dyshuar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa prokurori kompetent ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike dhe se hetimet e mëtejshme për këtë rast do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore.