“Data 21 dhjetor është datë shumë e afërt, ka procedura, tenderë. Andaj e kam vlerësuar datën 28 dhjetor”, ishte arsyetuar Presidentja Vjosa Osmani kur caktoi datën e zgjedhjeve. Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me praktikën e vjetër të tenderëve me negocim. Vetëm sot janë dhënë dy tenderë njëburimorë.
Gazeta Insajderi
Presidentja Vjosa Osmani caktoi 28 dhjetorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, si pasojë e mos-kalimit të mandatarit të dytë të partisë Lëvizja Vetëvendosje. Ndër arsyetimet kryesore të saj ishin brengat për dhënie procedurash e tenderësh
Ndonëse partitë e tjera kryesore kërkuan që data e zgjedhjeve të jetë 21 dhjetori si shkak që i 28-ti është afër festave të fundvitit, presidentja Osmani vendosi për datën e dytë. Atë të cilën e propozoi Lëvizja Vetëvendosje. Krejt kjo, me arsyetimin se ka procedura e tenderë që kinse kërkojnë kohë.
Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me praktikën e vjetër të tenderëve me negocim. Sot janë dhënë dy tenderë njëburimorë, shkruan Insajderi.
Njëra nga kompanitë fituese është “CETIS”, e cila në zgjedhjet lokale të fundit u përfshi në një skandal për fletëvotime me gabime në kodet e vendvotimeve.

Kompania sllovene sërish është kontraktuar për shtypjen e fletëvotimeve, një tender që do t’i kushtojë buxhetit 275 mijë euro.
Kjo kompani përmendet gjithashtu për lidhjet e saj me Martin Berishajn.
Në anën tjetër ky nuk është i vetmi tender i dhënë me negocim.
Në njoftimin e publikuar në e-prokurim, KQZ ka bërë të ditur se ka dhënë kontratë edhe për “Transmetimin e videospoteve dhe radiospoteve në televizione dhe radio për edukim dhe informim të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës”, shkruan Insajderi.
Vlera e kësaj kontrate është rreth 66 mijë euro dhe fitues është shpallur kompania “RED MILL SH.P.K.”.

Kompania CETIS dhe kontrata me KQZ-në
CETIS është kompani me bazë në Celje, Slloveni, e specializuar në shtypje të dokumenteve të sigurisë si pasaporta, karta identiteti, dokumente civile dhe materiale zgjedhore. Në Kosovë, CETIS është përzgjedhur nga KQZ për prodhimin e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Sipas të dhënave financiare të publikuara, grupi CETIS realizoi 113.6 milionë euro të ardhura në vitin 2024, duke operuar në mbi 50 shtete.
Procesi i shtypjes së fletëvotimeve për Kosovën është zhvilluar nën mbikëqyrjen e delegacionit të KQZ-së, në ambientet e kësaj fabrike në Slloveni.
Por, telashe në Mitrovicë në Mitrovicën e Jugut, gjatë balotazhit të zgjedhjeve lokale ishin paraqitur.
Një pjesë e fletëvotimeve rezultuan me gabime teknike dhe mospërputhje në formatim, duke ngritur shqetësime për vlefshmërinë e rezultatit.
Lidhjet e Berishajt me CETIS
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, figuron si aksionar me 10% në kompaninë shqiptare “Nacional Sh.A.”, me aktivitet fillestar në “organizimin e llotarive dhe lojërave të fatit”.
Në dokumentet themeluese të kësaj kompanie, ndër aksionarët listohen edhe: “CETIS”, “Stil”, “Nirvana” dhe “Lucrum”, me pronarë sllovenë e kroatë.
Sipas të dhënave, Berishaj nuk e ka deklaruar këtë hisje në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, ndonëse është i detyruar me ligj si zyrtar publik.
Kjo lidhje e drejtpërdrejtë mes CETIS-it – që shtyp fletëvotimet për KQZ-në – dhe ambasadorit kosovar ka ngritur dyshime për konflikt interesi dhe mospërputhje me standardet e transparencës që kërkohen nga institucionet shtetërore./insajderi.org/