Insajderi
Hulumtime/Analiza

Tender me negocim / “CETIS”, e afërt me Martin Berishajn, shpërblehet me afro 300 mijë euro

Insajderi
10 December 2025 - 10:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Tender me negocim / “CETIS”, e afërt me Martin Berishajn, shpërblehet me afro 300 mijë euro
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 28 dhjetorin si datën e zgjedhjeve parlamentare, pas moskalimit të mandatarit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje. Një nga arsyetimet e saj kryesore ishin shqetësimet për procedura dhe tenderë. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me praktikën e vjetër të tenderëve me negocim. Vetëm sot janë dhënë dy tenderë njëburimorë.

Njëra nga kompanitë fituese është “CETIS”, e cila në zgjedhjet lokale të fundit u përfshi në një skandal për fletëvotime me gabime në kodet e vendvotimeve.

Kompania sllovene sërish është kontraktuar për shtypjen e fletëvotimeve, një tender që do t’i kushtojë buxhetit 275 mijë euro.

Kjo kompani përmendet gjithashtu për lidhjet e saj me Martin Berishajn.

Në anën tjetër ky nuk është i vetmi tender i dhënë me negocim.

Në njoftimin e publikuar në e-prokurim, KQZ ka bërë të ditur se ka dhënë kontratë edhe për “Transmetimin e videospoteve dhe radiospoteve në televizione dhe radio për edukim dhe informim të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës”, shkruan Insajderi.

Vlera e kësaj kontrate është rreth 66 mijë euro dhe fitues është shpallur kompania “RED MILL SH.P.K.”.

Kompania CETIS dhe kontrata me KQZ-në

CETIS është kompani me bazë në Celje, Slloveni, e specializuar në shtypje të dokumenteve të sigurisë si pasaporta, karta identiteti, dokumente civile dhe materiale zgjedhore. Në Kosovë, CETIS është përzgjedhur nga KQZ për prodhimin e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Sipas të dhënave financiare të publikuara, grupi CETIS realizoi 113.6 milionë euro të ardhura në vitin 2024, duke operuar në mbi 50 shtete.

Procesi i shtypjes së fletëvotimeve për Kosovën është zhvilluar nën mbikëqyrjen e delegacionit të KQZ-së, në ambientet e kësaj fabrike në Slloveni.

Por, telashe në Mitrovicë në Mitrovicën e Jugut, gjatë balotazhit të zgjedhjeve lokale ishin paraqitur.

Një pjesë e fletëvotimeve rezultuan me gabime teknike dhe mospërputhje në formatim, duke ngritur shqetësime për vlefshmërinë e rezultatit.

Lidhjet e Berishajt me CETIS

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, figuron si aksionar me 10% në kompaninë shqiptare “Nacional Sh.A.”, me aktivitet fillestar në “organizimin e llotarive dhe lojërave të fatit”.

Në dokumentet themeluese të kësaj kompanie, ndër aksionarët listohen edhe: “CETIS”, “Stil”, “Nirvana” dhe “Lucrum”, me pronarë sllovenë e kroatë.

Sipas të dhënave, Berishaj nuk e ka deklaruar këtë hisje në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, ndonëse është i detyruar me ligj si zyrtar publik.

Kjo lidhje e drejtpërdrejtë mes CETIS-it – që shtyp fletëvotimet për KQZ-në – dhe ambasadorit kosovar ka ngritur dyshime për konflikt interesi dhe mospërputhje me standardet e transparencës që kërkohen nga institucionet shtetërore./insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark