Një betejë ligjore që nisi në Bjeshkët e Nemuna po kulmon në shkallën më të lartë të drejtësisë në Kosovë. Prokuroria Themelore në Pejë ka vendosur të mos dorëzohet përballë vendimeve liruese të dy shkallëve të gjyqësorit, duke e dërguar rastin e vilave në Stankaj në Gjykatën Supreme. Në qendër të këtij procesi nuk janë vetëm ndërtimet pa leje, por familjarët, më saktë, vjehrrat e njerëzve që drejtojnë vetë sistemin gjyqësor: Albert Zogajt dhe Qerim Ademajt.
Visar Duriqi
Janari i vitit 2024 kishte nisur me një raportim për villa ilegale në malet afër Pejës. Në fshatin Stankaj. Por nuk ishin villat e kujtdo që po ndërtoheshin në një zonë të mbrojtur e që shteti duhej të kujdesej ta ruante, por ishin villat e familjarëve të krerëve të sistemit gjyqësorë: Albert Zogajt dhe Qerim Ademajt, njëri atë kohë kryesues e tjetri zëvëndëskryesuees i hic më pak se sa Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Prokuroria në Pejë pati konfirmuar për Gazetën Insajderi se kishte nisur fill hetimet.
Dhe, hetimet dërguan në aktakuzë. Por, nuk u akuzan as Zogaj e as zëvëndësi i tij, Ademaj, që në gusht të këtij viti e la këtë post për të shkaur në Gjykatën Supreme. As bashkëshortët e tyre, që ku në rastin e Zogajt dilte që ajo pronë ku u ndërtua villa ishte një herë pronë gruas së tij. Me akuzë përfunduan vjehrrat e tyre- nënat e grave të tyre. Kjo pasi që kur nisi hetimi, përmes dhurimit, prona kishte kaluar tek to.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë i ngarkon të akuzuarit Arian Hoxhaj, Hatmone Hoxhaj (vjehrra e Qerim Ademajt) dhe Sabrije Bicaj (vjehrra e Albert Zogajt) për veprën penale “Ndërtim pa leje”
Sipas dokumentacionit të siguruar nga Gazeta Insajderi, Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë ndërtuar objekte banimi pa lejen e autoriteteve kompetente brenda zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Pika më e fortë e akuzës është insistimi në “Veprën penale të vazhduar” (Neni 77 i KPRK), pasi që Prokuroria ka dokumentuar se punimet në këto vila janë zhvilluar në mënyrë aktive nga prilli deri në gusht të vitit 2019. Kjo periudhë është kritike: më 14 prill 2019 hyri në fuqi Kodi i ri Penal, i cili i shndërroi ndërtimet e tilla në vepra të rënda penale. Prokuroria argumenton se, meqë ndërtimi ka vazhduar edhe pas kësaj date, të pandehurit duhet të ndiqen sipas ligjit të ri e jo atij të vjetrit.
Pavarësisht pretendimeve të Prokurorisë, Gjykata Themelore në Pejë dhe ajo e Apelit kanë ndërtuar një mburojë liruese për të pandehurit e këtij rasti, pavarësisht që prokuroria kishte arritur ta provonte me fakte ekzistimin e veprës penale.
Por, Gjykatat janë nën menaxhim, së paku administrativ, të Këshillit Gjyqësor, e ku drejtues gjatë procesit gjyqësor ishin ende dy dhëndurët: Albert Zogajt dhe Qerim Ademajt.
Gjykata Themelore në Pejë i liroi të pandehurit nga akuza duke u bazuar në parimin e ligjshmërisë dhe atë të “ligjit më të butë”. Gjykata konstatoi se punimet kishin filluar në javën e parë të prillit 2019, kohë kur ndërtimi pa leje nuk ishte ende i inkriminuar si vepër penale sipas kodit që hyri në fuqi më 14 prill. Për më tepër, gjykata gjeti se të pandehurit ishin në “lajthim faktik dhe juridik të paevitueshëm”, pasi në atë zonë kishte vila të tjera të ndërtuara dhe asnjë organ kompetent nuk i kishte njoftuar apo inspektuar për t’u treguar se ndërtimi ishte i ndaluar. Sipas gjykatës, askush nuk mund të dënohet për një vepër që në momentin e kryerjes nuk ishte e përcaktuar me ligj si vepër penale.
Me aktgjykimin PA1.nr.1234/25 të datës 28 gusht 2025, Gjykata e Apelit ka vërtetuar lirimin e tyre. Kolegji i përbërë nga gjyqtarët Mehmet Ndrecaj, Abdullah Ahmeti dhe Zyhdi Haziri hodhi poshtë ankesën e Prokurorisë.
Arsyetimi i gjyqtarëve bazohet në parimin se “në kohën kur ndërtimi ka nisur, veprimi nuk ishte përcaktuar si i tillë me ligj”. Sipas gjykatës, meqë punimet filluan para datës 14 prill, aplikohet ligji më i butë që i liron ata nga përgjegjësia penale. Apeli konstaton se Prokuroria ka dështuar të provojë “dashjen”, duke e trajtuar procesin e ndërtimit si një akt që nuk mund të ndëshkohet pas faktit, pavarësisht se vilat u finalizuan në kohën kur ligji i ri ishte në fuqi.
Nga ‘pasuria e veçantë’ te dhurata për vjehrrën dhe blerja e pronës nga gratë
Përtej procedurave gjyqësore, hulumtimi i Insajderit zbulon një skemë të lëvizjes së pronësisë që ngre dyshime të forta. Sipas formularëve të APK-së, në vitin 2019, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, kishte deklaruar pronën në Stankaj si “pasuri e veçantë” të bashkëshortes së tij.
Mirëpo, në vitin 2020, kur hetimet për ndërtimet pa leje në Rugovë u intensifikuan, kjo pronë “ndërroi krahë”. Në deklarimin e pasurisë së vitit 2020, Zogaj deklaron se“…sqaroj se e njëjta (bashkëshortja) si pronare e vetme e asaj prone (pasuri e veqantë e saj) i’a ka dhuruar nënës së saj.”
Dhe kjo dhuratë nuk doli pa një “sherr”. Vjehrra e Zogajt, Sabrije Bicaj më vonë u deponua në Dosjën e Prokurorisë në Pejë si e akuzuara që përfundoi në bankën e të pandehurve dhe që u lirua nga kolegët e dhëndrit të saj në Gjykatën e Apelit. I njëjti model figuron edhe për familjarët e ish-zëvendëskryesuesit të KGJK-së, Qerim Ademaj: Dhurim i pasurisë nga e bija tek nëna, dhe kjo e fundit përfundon me aktakuzë.
Problematike, në deklarimin e pasurisë duket edhe fakti që pasuria, në rastin e Albert Zogajt, është deklaruar si “pasuri e veçatë”, derisa në dokumentet që ka siguruar Gazeta Insajderi, ajo nuk del që tek bashkëshortja e tij ka ardhur në ndonjë formë të veçantë, por direkt si blerje. Rëndom, pronat e blera gjatë martesës, nga cilido, burri apo gruaja, regjistrohen si “pronë e përbashkët”.
Bazuar në dokumentin zyrtar të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) që i ka Gazeta Insajderi është detajuar kronologjia e pronës ku u ndërtuan pa leje villat e vjehrrave të drektuesve të KGJK-së.
Dokumenti kadastral konfirmon se në vitin 2019, përmes lëndës me numër 0129369-19, është bërë bartja e posedimit me bazë “Blerje” për pronën në Stankaj. Sipas këtij regjistri, blerëset fillestare të kësaj pasurie nga shitësi Bajram Kurtaj ishin Adelina Bicaj Zogaj (bashkëshortja e Albert Zogajt) dhe Have Hoxhaj Ademaj (bashkëshortja e Qerim Ademajt), të cilat posedonin nga 1/2 e pjesës ideale të pronës.
Kronologjia e dokumentit tregon se vetëm një vit më pas, në vitin 2020, është realizuar një tjetër transaksion nën kodin 0043323-20, i cilësuar si “Bartje – dhurim”. Përmes këtij akti, pasuria ka kaluar nga bashkëshortet e zyrtarëve të lartë tek Sabrije Bicaj dhe Hatmone Hoxhaj. Ky ndryshim në regjistrat kadastralë shpjegon arsyen pse në aktakuzën e Prokurorisë dhe në aktgjykimin e Apelit si të akuzuara figurojnë “vjehrrat”, ndërsa blerëset reale të tokës në kohën kur po nisnin ndërtimet ishin bashkëshortet e krerëve të sistemit gjyqësor.
Testi final i integritetit të sistemit gjyqësor
Për të luftuar me ndërtimet paleje në zonnën e mbrojtur, Prokuroria në Pejë pati nisur një betejë ligjore. Një aktakuzë, ku të akuzuar përfunduan: Arian Hoxhaj, Hatmone Hoxhaj (vjehrra e Qerim Ademajt) dhe Sabrije Bicaj (vjehhra e Albert Zogajt) për veprën penale “Ndërtim pa leje”.
Deri tash, kundër organit të akuzës i doli edhe Gjykata Themlore në Pejë, edhe vet Gjykata e Apelit.
Por, ky institucion del që nuk do ta ndalë betejën për këtë rast, pavarësisht që në lidhje familjare dalin bash drejtuesit e sistemit gjyqësor.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për Insajderin se tashmë kanë kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që të parashtrojë kërkesë për Mbrojtje të Ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.
Ironia e këtij rasti qëndron në faktin se Gjykata Supreme është vendi ku Albert Zogaj dhe Qerim Ademaj shërbejnë si gjyqtarë. Pyetja që mbetet për sistemin e drejtësisë është: A do të mbrohet ligji që ndalon ndërtimet pa leje në Park Kombëtar, apo do të vërtetohet amnistia për vjehrrat e krerëve të gjyqësorit, duke krijuar një precedent ku për t’i shpëtuar dënimit mjafton t’ia dhurosh pronën ilegale një të afërmi?
Këto janë pyetjet që në një formë Insajderi i ka bërë tek drejtuesit e KGJK-së.
Në kuadër të këtij hulumtimi, Insajderi u ka dërguar pyetje Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogajt, dhe ish-zëvendëskryesuesit Qerim Ademajt. Interesi i gazetës u fokusua në sqarimin e rrethanave të blerjes së pronave në Stankaj nga bashkëshortet e tyre në vitin 2019, si dhe në motivet e dhurimit të këtyre pasiveve tek vjehrrat e tyre vetëm një vit më vonë, pikërisht kur nisi ndjekja penale.
Zogaj dhe Ademaj janë pyetur specifikisht nëse ky transferim i pronësisë ishte një tentativë për të shmangur përgjegjësinë penale dhe njollosjen e imazhit të tyre si drejtues të lartë të sistemit të drejtësisë. Pyetjet kanë adresuar gjithashtu konfliktin e mundshëm të interesit, duke pasur parasysh se personat që u akuzuan (vjehrrat) dhe më pas u liruan nga akuza për ndërtim pa leje, u gjykuan nga kolegë dhe vartës të tyre në Gjykatën e Pejës dhe atë të Apelit.
Ata janë pyetur edhe nëse njihen me personin Bajram Kurtaj që ua shiti fillimisht grave të tyre pronën në stankaj, dhe se kush e ka bërë pagesën për blerjen e parcelave.
Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm dhe pritjes përtej afateve të arsyeshme, as Albert Zogaj dhe as Qerim Ademaj nuk kanë kthyer deri tash përgjigje në pyetjet e dërguara nga Gazeta Insajderi.
Pasi që rasti do të shkoi tash në trajtim në Gjykatën Supreme, e ku vend pune aty kanë edhe Zogaj edhe Ademaj, që të dy gjykatës, Insajderi i ka pyetur, por ende nuk janë përgjigjur, nëse do të përdorin eventualisht njohjen me kolegët në të njëjtin institucion për të ndikuar në një vendim në favor të vjehrrave e kundër Prokurorisë. /Insajderi.org/