Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vendosur që ta përjashtojë për gjashtë muaj nga pjesëmarrja në prokurim publik kompaninë “Europrint Group” Sh.P.K. Kjo, pasi që kjo firmë kishte refuzuar ta nënshkruante një kontratë të fituar për furnizim me jelekë për zgjedhjet lokale për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Më datë 19.01.2026, Paneli Shqyrtues mori vendim lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me jelekë për Zgjedhjet Lokale 2025” (nr. 320-25-7498-1-2-1), i iniciuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Subjekti i këtij shqyrtimi ishte operatori ekonomik Europrint Group Sh.p.k.
KQZ kërkoi diskualifikimin e operatorit me arsyetimin se i njëjti ka mashtruar dhe ka refuzuar të nënshkruajë kontratën. Sipas KQZ-së, pasi operatori u rekomandua për kontratë, ai deklaroi përmes email-it se nuk kishte llogaritur të ishte fitues dhe se furnitori i tyre nuk mund të siguronte jelekët me ngjyrat e kërkuara (hiri dhe e kaltër) brenda afateve, duke ofruar si alternativë jelekë me ngjyrë të verdhë.
Europrint Group Sh.p.k u mbrojt duke thënë se gjatë fazës së tenderimit kishin dorëzuar një mostër me ngjyrë të gjelbër dhe se specifikimet teknike fillestare nuk e specifikonin qartë ngjyrën. Ata pretenduan se kërkesa për ngjyra të tjera (hiri dhe kaltër) iu bë vetëm pas shpalljes si fitues dhe se oferta e tyre do duhej të eliminohej që në fillim nëse mostra nuk përputhej me kërkesat.
Paneli i OSHP’së konstatoi se dosja e tenderit e publikuar më 16 gusht të vitit të kaluar përmbante specifikime teknike shumë të qarta, ku në faqen 18 kërkoheshin specifikisht ngjyra e kaltër dhe ngjyra hiri. Për më tepër, operatori kishte dorëzuar një deklaratë me shkrim ku konfirmonte se do t’u përmbahej të gjitha specifikave teknike të dosjes në rast të marrjes së kontratës. Paneli e vlerësoi këtë si mashtrim, pasi operatori ishte në dijeni të kushteve që në momentin e tërheqjes së dosjes.
OSHP vendosi të aprovojë kërkesën e KQZ-së për diskualifikimin e Europrint Group Sh.p.k. Kompania është përjashtuar nga pjesëmarrja në prokurimin publik për një periudhë prej gjashtë muajsh, duke filluar nga data 14 janar deri më 14 korrik.
Europrint SHPK, “recidivist” i listës së zezë
Kompania në fjalë ishte futur në listë të zezë nga Telekomi i Kosovës edhe më 2024-ën. Ndërmarrja publike kishte vendosur ta anulonte në tërësi tenderin për furnizim me pajisje ‘Smart Box‘”‘ për shërbime televizive në vlerë prej afro një milioni.
“Europrint” ishte futur në listë të zezë për shkak të prezantimit të një dokumenti të rremë apo të falsifikuar në një proces tenderimi të iniciuar nga Spitali i Gjakovës.
Po ashtu, OSHP-ja kishte urdhëruar Spitalin e Gjakovës që ta bëjë konfiskimin e sigurisë së tenderit për biznesin “Europrint Group” Sh.P.K.

Pas kërkesës që komuna e Rahovecit i kishte bërë operatorit ekonomik “Europrint”, për dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar, nga kjo kompani kanë deklaruar se nuk kanë mundësi t’ua sigurojnë vërtetimin nga ATK, duke kërkuar që kontrata të nënshkruhet pa këtë dokument.
Në këtë rast, Komuna e Rahovecit kishte njoftuar se nuk mund të nënshkruajë kontratën meqë pala ndodhet në një proces gjyqësor.
Pas kësaj, KRPP-ja kishte njoftuar se një kontratë e tillë nuk mund të nënshkruhet duke i rekomanduar Komunës së Rahovecit të vazhdojë me tenderuesin e radhës.
Njësoj ishte vepruar edhe në rastin me Komunën e Vushtrrisë.
“Europrinty” njihet si kompani që ka përfituar miliona tenderë publikë në Kosovë.
Duke u bazuar në të dhënat e platformës “Prokurimi i Hapur”, “EUROPRINTY” ka përfituar afro 100 kontrata nga organizatat publike buxhetore.
Problemet e KQZ’së me taksi Tesla
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ia aprovoi kërkesën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) që ta vendos në listë të zezë kompaninë e taksive Tesla për tre muaj, pasi që kësaj të fundit i ishin gjetur parregullsi në tenderin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit të vitit që shkoi.
Në dokumentin e publikuar nga Gjykata e Tenderëve, thuhet se vendimi është marrë për aktivitetin e prokurimit “Auto taksi për ditën e zgjedhjeve të 12 tetorit dhe raundit të dytë”.
”APROVOHET, si e bazuar në dispozitën ligjore të nenit 99 par. 2 të LPP-së, kërkesa e Autoritetit Kontraktues – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për diskualifikim nga pjesëmarrja në prokurimin publik të OE E Taxi Tesla Sh.p.k, me nr: unik 811875931 – Prishtinë, lidhur me aktivitetin e prokurimit: Auto taksive për ditën e zgjedhjeve te zgjedhjeve te 12 tetorit 2025 dhe rundit te dyte, me nr: te prokurimit: 320-25-8784-2-3-6, iniciuar nga AK – Komisioni qendror i zgjedhjeve dhe i njejti diskualifikohet nga pjesmarrja ne prokurimin publik per nje periudhe prej tre (3) muajve, nga data: 18.12.2025 deri me 17.03.2026”, thuhet në dokumentin e publikuar nga OSHP’ja.
Siç thotë dokumenti, Tesla nuk i është përgjigjur kërkesës së KQZ’së, e cila i ka kërkuar dorëzimin e vërtetimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
“OE E Taxi Tesla Sh.p.k, e ka ngarkuar vertetimin e gjykates, ndersa nuk i eshte pergjigjur kerkeses se autoritetit kontraktues per dorezimin e vertetimit te ATK-se), dhe perkunder disa kerkesave OE E Taxi Tesla Sh.p.k, nuk eshte pergjigjur fare kerkeses se AK-se, me ndonje sqarim”, vijon dokumenti.
KQZ’ja kishte shpallur fitues fillimisht operatorin ekonomik Tesla për të kryer shërbimin e taksive për zgjedhjet lokale për transportimin e udhëtarëve. Vlera e parashikuar ishte tre mijë euro.
Megjithatë, edhe në vendimin për anulimin e tenderit bëhet e ditur se Tesla s’i kishte dorëzuar me kohë dokumentet e kërkuara të ATK’së nga KQZ’ja.
Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, nga kjo kompani kanë thënë se tenderi në fjalë ka pasur afat jashtëzakonisht të shkurtër për sigurimin e dokumentacionit të plotë.
“Rasti në fjalë ka ndjekur procedura të rregullta konkurrimi, ashtu si edhe tenderët e tjerë ku kemi marrë pjesë. Megjithatë, ky tender ka pasur një afat jashtëzakonisht të shkurtër kohor, çka ka krijuar vështirësi teknike dhe administrative në sigurimin në kohë të dokumentacionit të plotë. Pavarësisht kësaj, ne kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetin kontraktues, përmes telefonit dhe emailit, duke i njoftuar se dokumenti nga ATK do të dorëzohej sapo të na vihej në dispozicion. Menjëherë pas pranimit të dokumentit, ne e kemi dorëzuar atë, duke shprehur edhe gatishmërinë që shërbimin ta ofrojmë pa asnjë kosto shtesë, vetëm për të mos e lënë institucionin pa mbështetje. Megjithatë, përgjigjja nga KQZ-ja ka qenë se dokumenti është dorëzuar me vonesë dhe tenderi i është dhënë një operatori tjetër“, është thënë në përgjigjen e tyre. /Insajderi.org/