Prokuroria Speciale zhvilloi një aksion në Prizren dhe në Ferizaj lidhur me një tender të dyshimtë të kompanisë rajonale të mbeturinave në Prizren, “Eko Regjioni”, lidhur me pesë kamionë dhe një autofshesë dhënë më 2023-ën, vlera e së cilit shkonte në afro 400 mijë euro. Dyshohet se mjetet e punës s’janë përdorur më shumë se një herë. Për dyshimet për mashtrime në tender, në pranga ranë një biznesmen dhe një zyrtar i lartë i “Eko Regjionit”. Prapa “Eko Regjionit” qëndron kryeshefi ekzekutiv, Burim Shala, emri i të cilit figuronte në media për konflikt interesi.
Gazeta Insajderi raportoi përgjatë ditës se përgjatë aksionit të Prokurorisë Speciale, në pranga ra Arbër Gashi, menaxher i Njësisë së “Ekoregjionit” dhe Ragip Zejna, pronar i kompanisë “Dielli Construction”, i cili figuron aksionar i vetëm në këtë kompani.
Insajderi raportoi se rasti ka të bëjë lidhur me një tender të dyshimtë, në vlerë prej afro 400 mijë eurove, për blerjen e pesë kamionëve dhe një autofshese.
Tenderi ishte shpallur në mënyrë emergjente. Megjithatë, sipas burimeve përbrenda hetuesisë, këta kamionë s’ishin përdorur fare.
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë një pushkë automatike AK-47, si dhe para të gatshme.
Dyshime për konflikt interesi, ortakëri me shefin e dhunshëm- Kush është kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Burim Shala?
Komuna e Prizrenit në shtator të 2023-ës, me Shaqir Totajn e PDK’së në krye, i kishte dhënë tender kompanisë ‘Koha-B-Grup Shpk’, aksionar i së cilës është Burim Shala, kryeshef ekzekutiv në ndërmarrjen publike “EkoRegjioni”. Ai gëzon edhe raporte të mira me Totajn.
Kontrata me titull “Ofrimi i shërbimeve për projektin Treni si atraksion turistik në Komunën e Prizrenit” në periudhë kohore prej 36 muaj e cila kishte hyrë në fuqi me datën 17.06.2022 dhe ishte valide deri në vitin 2025, i ishte dhënë kompanisë ‘Koha-B-Grup Shpk’.
Aksionar në këtë kompani është kryeshefi Shala. Ai në një pëgjigje për Insajderin kishte mohuar se ka pasur ndikim që të dalë fituese kompania në të cilën ai ka aksione.
“Kurrë s’kam qenë pjesë e PDK-së as edhe ndonjë partie tjetër, jam Kryetar i Invalidëve të Luftës të UÇK-së”, kishte thënë ai për Insajderin.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e kishte shqyrtuar këtë rast për mundësi të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik dhe afërsinë që ka me Totajn. Megjithatë, më 2024-ën kishte vendosur ta mbyllë këtë rast në mungesë provash.
“Mbyllet rasti APK-DPKI-06-206/24, për zyrtarin e lartë z. Burim Shala, Kryeshef Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ekoregjioni” Sh.A në Prizren, për shkak se nuk ka prova që argumentojnë dyshimin e arsyeshëm për ekzistimin e gjendjes së konfliktit të interesit”, thuhet në vendimin e agjencisë që merret me çështjet e konfliktit të interesit.
Ortak i Shalës në firmën në fjalë është biznesmeni Burim Sallauka.
Në vitin 2019, Sallauka kishte grushtuar njërin nga kamerieret e tij në ambientet e restorantit.
Insajderi kishte siguruar videon e sulmit fizik, në të cilën shihet biznesmeni Sallauka [i veshur me bluzë ngjyrë hiri] teksa thërret pranë tij punëtorin e tij, kamarierin e restorantit, dhe e godet me grushte.
Sulmin fizik ndaj kamarierit të restorantit që ai menaxhon, Sallauka e vazhdon edhe në një hapësirë tjetër të restorantit, të pa incizuar nga kamerat.


Vajza e biznesmenit Sallauka, Dëbora Sallauka, kishte kandiduar për asambliste në zgjedhjet komunale të fundit. Për këtë, Albin Kurti dhe bashkëpartiaku i tij për kryetar të Prizrenit, Arben Abrashi, kishin vizituar që të dy në shtëpinë e tyre. /Insajderi.org/
