Insajderi
Analiza

1 milion euro në bunker furgoni, por pa prova në dosje: Si dështoi kërkesa e Prokurorisë për paraburgim? Insajderi sjell dokumentin e plotë

Insajderi
11 March 2026 - 13:20
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
1 milion euro në bunker furgoni, por pa prova në dosje: Si dështoi kërkesa e Prokurorisë për paraburgim? Insajderi sjell dokumentin e plotë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Tre shtetas nga Shqipëria të kapur në Merdare me rreth 1 milion euro ‘cash’ u liruan nga paraburgimi pasi Gjykata Themelore në Prishtinë konstatoi se Prokuroria Speciale nuk kishte paraqitur prova konkrete që i lidhin ata me veprën penale. Insajderi publikon të plotë kërkesën e prokurorisë.

Visar Duriqi

Si është e mundur që një operacion spektakolar ku sekuestrohen 1 milion euro cash në një bunker furgoni të përfundojë me lirimin e të dyshuarve? Përgjigjja fshihet në këtë kërkesë të Prokurorisë Speciale, të cilën Gjykata Themelore e cilësoi si të pabazuar në prova dhe thjesht një “narrativë” supozimesh.

Për herë të parë, Gazeta Insajderi e boton të plotë, faqe për faqe dhe fjalë për fjalë, kërkesën PPS.nr.32/2026. Ky dokument tashmë shërben si dëshmia kryesore se si një dosje e pakompletuar mund të dështojë para ligjit, pavarësisht shumës së parave të gjetura.

DOKUMENTI I PLOTË: KËRKESA E PROKURORISË SPECIALE

REPUBLIKA E KOSOVËS REPUBLIKA KOSOVA /Departamenti për hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar /

PPS.nr.32/2026 Date: 25.02.2026 Numri i lëndës: 2026:0013473 Datë: 25.02.2026

Gjykatës Themelore në Prishtinë Departamentit Special Gjyqtarit të procedurës paraprake

25. 02. 2026 E PRANUAR

Në pajtim me nenet 182, 184, 185 dhe 187 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kundër të pandehurve:

  1. Edmir Ahmagjokaj, nga i ati Hysen, dhe i nënës Bute e vajzërisë Muja, i lindur me datën 15.10.1087 në Tropojë, me vendbanim në Tiranë, rr. Souk i ri, me vendqëndrim në Rr. Ibrahim Rugova, p.n., fshati Mushtisht, me nr. Personal…., me profesion vozitës, ka të kryer shkollën e mesme, i gjendjes së dobët ekonomike, i martuar, baba i dy fëmijëve, shqiptar, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i ndaluar me datën 24.02.2026 në ora 17:30.
  2. Aurel Kaziu, nga i ati Shkëlqim, dhe i nënës Festime e vajzërisë Tershalla, i lindur me datën 19.02.1998 në Tiranë, me vendbanim në Kamës rr. Martin Camaj nr.19, me nr. Personal…., me profesion vozitës, ka të kryer shkollën e mesme, i gjendjes së dobët ekonomike, i martuar, baba i dy fëmijëve, shqiptar, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i ndaluar me datën 24.02.2026 në ora 17:30.

[Faqe 2]

  1. Ardit Laska, nga i ati Nike, dhe i nënës Luljeta e vajzërisë Ndoj, i lindur me datën 11.03.2006 në Tiranë, me vendbanim në Qafmale, Shkodër, me nr. personal …., me profesion vozitës, ka të kryer shkollën e mesme, i gjendjes së dobët ekonomike, i martuar, baba i dy fëmijëve, shqiptar, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i ndaluar me datën 24.02.2026 në ora 17:30.

parashtroj këtë: KËRKESË për caktimin e paraburgimit

SEPSE

Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është e fituar përmes aktiviteti kriminal ashu që më datë 24.02.2026, rreth orës 13:00, kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes pikës kufitare në Merdare, me automjet të tipit “Sprinter” me targa shqiptare AB…., të cilin e drejtonte i pandehuri Edmir Ahmagjokaj, në automjet ndodheshin edhe të pandehurit Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, gjatë kontrollit nga zyrtarët doganorë, pasi janë pyetur nëse posedonin diçka për deklarim, me vetëdije të plotë dhe duke ditur apo së paku duke pasur arsye të dijë se pasuria e fshehur përbënte fitime të siguruara nga aktivitet kriminal, kanë deklaruar rrejshëm se nuk kishin asgjë për të deklaruar, me qëllim fshehjen dhe maskimin e burimit, pas kalimit të automjetit në skaner, janë vërejtur dendësi të theksuara dhe vijëzime jo të zakonshme në pjesën e poshtme të automjetit, gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, nga zyrtarët doganorë në bashkëpunim me policinë e Kosovës, duke përdorur pajisje teknike videoskop dhe mjete për hapje, në një hapësirë të modifikuar në bunker, brend janë gjetur 18 (tetëmbëdhjetë) pako me bankënota të prerjeve 10€, 20€, 50€, 100€ dhe 200€, në shumë të përgjithshme sipas vlerësimit fillestar rreth 1,000,000 (një milion) euro, me këto veprime, të pandehurit, në bashkëkryerje, kanë fshehur dhe maskuar, burimin dhe vendndodhjen e pasurisë që përbënte fitime nga aktivitet kriminal, kanë transportuar dhe tentuar ti transferojnë mjete financiare me qëllim paraqitjen e tyre si të ligjshme, kanë poseduar dhe ushtruar kontroll mbi këto mjete financiare, duke qenë në dijeni për origjinën e tyre të kundërligjshme

  • me këtë të pandehurit në bashkëkryerje Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, kishin për të kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës nr. 06/L-074, lidhur me nenin 56 par. 1 pika 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit Nr.05/L-096.

Arsyetimi

Më datë 25.02.2026, Prokuroria ka pranuar Kallëzimin Penal nga Dogana e Kosovës kundër të pandehurve: Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska.

Sipas kallezimit, të pandehurit më datë 24.02.2026, rreth orës 13:00, hynë në territor me një furgon të tipit Sprinter, me targa shqiptare AB128JM, të cilin e voziste i…

[Faqe 3]

…pandehuri Edmir Ahmagjokaj, i shoqëruar nga dy të pandehurit e tjerë, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska.

Pasi zyrtarët doganor dhe ata policor dyshuan për transport të mundshëm të sendeve të paligjshme, u krye kontroll i detajuar duke përdorur pajisjet në dispozicion, përfshirë videoskopet dhe pajisje dore për hapje. Gjatë kontrollit, në një hapësirë postfabrikante u gjetën 18 pako që përmbanin para në banknota të ndryshme (10, 20, 50, 100 dhe 200 euro), me vlerë totale fillestare rreth 1,000,000 euro (një milion euro).

Prokuroria, më datë 24.02.2026, ora 17:30, lëshoi Aktvendim për ndalimin e të pandehurve Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska.

Deklaratat e të pandehurve

Edmir Ahmagjokaj: Në deklaratën e dhënë hetuesit doganor më 24.02.2026, i pandehuri deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për paratë e gjetura në furgon. Ai shpjegoi se kishte udhëtuar në Gjermani më 22.02.2026 për të punuar në shpërndarje postash për klientë të ndryshëm. Ai qëndroi në hotel rreth orës 22:00 dhe planifikonte të nisej drejt Shqipërisë më 25.02.2026, ora 10:00.

Aurel Kaziu: Në deklaratën e dhënë hetuesit doganor më 24.02.2026, i pandehuri deklaroi se më 21.02.2026 ishte nisur nga Tirana për në Gjermani me një furgon blu, të cilin e kishte ndryshuar në Kosovë me furgonin që u ndalua nga dogana (targa AB….). Furgonin nga Kosova për në Tiranë e kishte marrë kompania. Ai tha se kishte qëndruar një natë në Dortmund dhe më pas takuar Edmir Ahmagjokaj në Köln, ku kishin ngrënë së bashku dhe më pas vazhduan udhëtimin për në Shqipëri. Për paratë e konfiskuara, deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni.

Ardit Laska: Në deklaratën e dhënë hetuesit doganor më 24.02.2026, i pandehuri deklaroi se punonte herë pas here në Gjermani, për periudha deri në tre muaj. Ai mohoi çdo lidhje me paratë e konfiskuara. Sipas tij, kishte kontaktuar kompaninë Euro Travel përmes Instagramit për mundësinë e transportit Gjermani-Shqipëri. Kompania i kishte dhënë numrin e kontaktit të Aurel Kaziut dhe lokacionin e pikës së nisjes. Më 23.02.2026, ai së bashku me Aurel Kaziun dhe Edmir Ahmagjokaj ishin nisur nga Dortmund për në Shqipëri.

Tani të pandehurit: Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, gjenden në ndalim për 48 orë sipas Aktvendimit për ndalim të PSRK-së, dhe konsiderojmë që është e domosdoshme që të ju caktohet masa e paraburgimit.

1. Përcaktimi për masën e sigurisë dhe kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit:

[Faqe 4]

Prokurori i shtetit konsideron se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, të cilat janë paraparë me nenin 163 të KPP, Rrjedhimisht, në këtë çështje penale ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit:

1.1. Kanë kryer vepra penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare si kusht themelor për caktimin e paraburgimit, në rastin konkret të pandehurit dyshohen për kryerjen e veprave penale serioze,

1.2. Nga rrethanat e këtij rasti penal janë plotësuar edhe të gjitha kushtet e veçanta për caktimin e paraburgimit, si në vijim:

1.2.1. Kushtet nga neni 163 (par. 2, nënpar. 2.5, pika 2.5.1) і KPP: Rreziku i ikjes i të pandehurve dhe nevoja për masë paraburgimi Të pandehurit në rastin konkret janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Gjatë kontrollit doganor dhe bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, në automjetin që udhëtonin janë gjetur 18 pako me banknota të prerjeve 10€, 20€, 50€, 100€ dhe 200€, me vlerë fillestare rreth 1,000,000 euro, të fshehura dhe të pa deklaruara, duke synuar fshehjen e burimit të tyre, i cili dyshohet të jetë nga aktiviteti kriminal. Të pandehurit deklaruan rrejshëm se nuk posedonin asgjë për t’u deklaruar, duke tentuar të maskojnë aktivitetin e paligjshëm.

Duke pasur parasysh natyrën e veprës penale, mënyrën e kryerjes së saj, koordinimin mes të pandehurve dhe faktin se të njëjtit mund të shfrytëzojnë lidhjet e tyre nëpër Evropë, ekziston një rrezik real dhe i bazuar që, nëse lirohen, ata mund të përpiqen të arratisen dhe të bëhen të pakapshëm për organet e drejtësisë. Ky rrezik shtohet edhe nga vlera e konsiderueshme e dënimit me të cilin ballafaqohen, si dhe nga cilësitë personale dhe aktivitetet e tyre të organizuara për transport dhe fshehje të parave. Në këto rrethana, ekziston një rrezik i lartë që të pandehurit të shmangen nga përgjegjësia penale, të ndikojnë në dëshmitarë ose të manipulojnë provat. Për këtë arsye, masat e paraburgimit janë të domosdoshme për të garantuar prezencën e tyre në procedurën penale.

1.2.2. Kushtet nga neni 163 (par. 2, nënpar. 2.5, pika 2.5.1) i KPP: Rrezik të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat Ekzistojnë arsye të bazuara për të besuar se të pandehurit mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprës penale, ose, për shkak të rrethanave të veçanta, mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar…

[Faqe 5]

…në dëshmitarë, ose bashkëpjesëmarrësit. Në këto kushte, konsiderohet e nevojshme të merret parasysh masa e paraburgimit.

Nëse të pandehurit qëndrojnë në liri, ekziston rrezik i lartë që ata të përpiqen të manipulojnë provat e çështjes penale, të ndikojnë në dëshmitarë për të fshehur informacionin, ose të koordinojnë mes vete strategjinë e mbrojtjes për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore. Ky rrezik mbështetet edhe në veprimet konkrete të tyre: fshehja e shumës së konsiderueshme monetare në automjet, deklarimet e rrejshme dhe përpjekjet për të maskuar burimin e parave, si dhe planifikimi i udhëtimit dhe koordinimit mes të pandehurve për transportin e parave.

1.2.3. Kushtet nga 163 (par. 2 nënpar. 2.5, pika 2.5.2) i KPP: Pesha e veprës penale Veprat penale për të cilat dyshohen dhe hetohen të pandehurit janë të natyrës së rëndë dhe kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në këtë rast, kemi të bëjmë me fshehjen dhe transportin e shumës së konsiderueshme monetare prej 1,000,000 euro, të cilat ishin të pa deklaruara dhe të fshehura në automjet, duke synuar të maskojnë burimin e tyre, i cili dyshohet të jetë nga aktiviteti kriminal. Këto veprime atakojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë interesin publik, duke dëmtuar masivisht të mirat e përgjithshme.

Më tej, mënyra e kryerjes së veprës – përdorimi i një automjeti të modifikuar me bunker për fshehje të parave, deklarime të rrejshme të të pandehurve dhe koordinim mes tyre tregon që veprimet ishin të qëllimshme dhe të planifikuara, gjë që rrit peshën e përgjegjësisë penale. Cilësitë personale dhe aktivitetet e të pandehurve, si udhëtimet dhe kontaktet për organizimin e transportit të parave, tregojnë rrezikun e përsëritjes së veprave penale të natyrës së njëjtë ose edhe më të rëndë nëse ata lirohen.

Duke u bazuar në këto rrethana, vlerësohet se ekziston një rrezik real që të pandehurit, nëse lihen në liri, mund të kryejnë sërish veprime të njëjta ose të ngjashme, duke penguar procedurën penale dhe duke kërcënuar interesin publik. Kjo i justifikon masat e ndalimit dhe mbajtjes së tyre në paraburgim.

– Pamjaftueshmëria e masave tjera për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale: Prokurori duke u bazuar në rrethanat e këtij rasti, vlerëson se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë të procedurës është më së i domosdoshëm edhe i arsyeshëm për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale. Prokurori para se të përcaktohet për këtë masë ka vlerësuar të gjitha masat tjera alternative për sigurimin e prezencës të të…

[Faqe 6]

…pandehurit në procedurë penale të parapara me nenin 171 të KPP¹, por ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, edhe nëse caktohen/urdhërohen në kombinim dy apo më shumë masa, andaj kërkesa për caktimin e paraburgimit, me arsyet e theksuara është e bazuar në ligj, e arsyetuar si dhe e argumentuar në tërësi.

Ne rastin konkret, konsiderojmë se përgjegjësia e të pandehurve është aq e madhe, që paraburgimi për këtë rast është e vetmja masë e duhur e sigurisë e cila në mënyrë efektive mund ti zvogëlojë rreziqet procedurale të përshkruara më lart.

Për këtë arsye, sipas neneve 182, 184, 185, 186 dhe 187 të KPPK, duke konsideruar se janë te përmbushura te gjitha kushtet për caktimin e paraburgimit kundër te pandehurve, kërkojmë nga gjyqtari i procedurës paraprake, që:

  • Të caktoj seancën dëgjimore – neni 185 të KPPRK dhe
  • Të caktoj masën e paraburgimit kundër te pandehurve: Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska

(Vula e Prokurorisë Speciale)

Prokurore Speciale Shenaj Berisha

Arsyetimi i Gjykatës: Kur “supozimi” nuk bëhet dot “provë”

Ndonëse kapja e 1 milion eurove në kufi bëri bujë, Gjykata Themelore në Prishtinë, në vendimin e saj të rivendosjes (9 mars 2026), e ka hedhur edhe një herë poshtë këtë kërkesë. Gjykata argumentoi se prokurori i shtetit nuk përshkroi asnjë provë konkrete që lidh të pandehurit me veprën.

REFUZOHET kërkesa e prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr.32/2026 e datës 25.02.2026 për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në vendimin e 9 marsit dhe urdhërohet që të dyshuarit do të mbrohen në liri.

Gjykata gjeti se në këtë rast nuk përmbushet kushti thelbësor nga neni 184, par.1, pika 1.1 të Kodit të  Procedurës Penale, përkatësisht Prokuroria nuk arriti të vërtetojë se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.

Sipas vendimit “fakti se kontrolli është kryer në prani të të pandehurve dhe se gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare, është vetëm pretendim i prokurorisë i paraqitur në kërkesë për caktimin e paraburgimit dhe në kallëzim penal të doganës, mirëpo në momentin e vendosjes nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake në lidhje me kërkesën për caktimin e paraburgimit, nuk ka pasur asnjë provë që e vërteton këtë pretendim”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe pas vendimit të Apelit, mbetet pranë qëndrimit se në këtë rast mungojnë dy nga provat kryesore, pa të cilat nuk mund të krijohet dyshimi i bazuar dhe se Gjykata nuk mund të mbështetet vetëm në supozime të Prokurorisë, se pasuria e caktuar është gjetur te personi i caktuar, pa pasur dhe siguruar provat nga ana e Prokurorisë që detyrimisht kërkohen nga ligji.

“Faktet apo rrethanat faktike në procedurë penale janë objektit shqyrtimi, nuk janë mjete prove”, thuhet në vendim.

Pra, thuhet se në fazën e vendosjes nga gjyqtari i procedurës paraprake lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit, ka munguar prova që garanton se mjetet e pretenduara monetare, janë gjetur te të pandehurit dhe se «gjykata e shkallës së parë me bindje të plotë mbetet pranë qëndrimit se në kohën kur është vendosur për kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen”.

Lidhur me këtë vendim, avokati i njohur Betim Shala, në një prononcim për Gazetën “Insajderi”, ka konfirmuar se situata juridike ishte e qartë.

“Unë e kam parë situatën njëjtë sikurse Gjyqtari i procedurës paraprake,” tha Shala për Insajderin. “Prokuroria ka dështuar që të sjellë prova materiale që mbështesin kërkesën. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që e ka detyruar gjykatën të mos i dërgojë në paraburgim.”

Avokati Shala sqaroi tutje se kjo nuk do të thotë se hetimi ka dështuar, por se kërkesa për burgosje ishte e dobët. “Kjo nuk nënkupton që hetimi nuk mund të vazhdojë, por kushtet që duhet të plotësoheshin sipas Kodit të Procedurës Penale për t’i mbajtur të dyshuarit në paraburgim, thjesht nuk ishin plotësuar nga ana e Prokurorisë”, i ka thënë Shala Insajderit.

Gazeta Insajderi ishte mediumi i parë që raportoi se edhe pse tre shtetasit shqiptarë u arrestuan pasi që në mjetin motorik me të cilin po udhëtonin skaneri i Doganës së Kosovës zbuloi afro 1 milion euro, ata u lanë të lirë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Pas këtij raportimi nisi një lloj beteje mes Gjykatës e Prokurorisë në publik, e me reagime edhe publike e komunikata, e cila rezultoi me një vendim të Gjykatës së Apelit për ta dërguar rastin edhe një herë në rivendosje, por edhe kësaj here Gjykata vendosi që Prokuroria Speciale nuk koshte sjellur prova të mjaftueshme.

Lexo raportimet e Insajderit për këtë rast:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark