Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur në Lipjan, ku prindërit pretendohet se kanë keqtrajtuar fëmijën e tyre të mitur. Të dy prindërit kanë përfunduar në pranga, ndërsa i mituri aktualisht është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lidhur me rastin, Insajderi ka kontaktuar Qendrën për Punë Sociale në Lipjan për të kuptuar më shumë detaje mbi gjendjen dhe masat e marra.
Drejtoresha e QPS-së në Lipjan, Makfirete Shamolli, ka konfirmuar për Insajderin se menjëherë pas marrjes së informacionit kanë ndërmarrë masa emergjente për mbrojtjen e fëmijës.
“Qendra për Punë Sociale ka vepruar në përputhje me kompetencat e saj ligjore dhe detyrimin për të ndërhyrë menjëherë në rastet kur ekziston rrezik për mirëqenien e fëmijëve. Masat e ndërmarra, përfshirë largimin e përkohshëm të fëmijës nga familja, janë ndërmarrë si masa mbrojtëse emergjente, bazuar në vlerësimin profesional mbi situatën”, tha ajo.
Shamolli shtoi se rasti tashmë është në duart e organeve të drejtësisë dhe se QPS-ja është në bashkëpunim të plotë me institucionet relevante.
“Rasti është referuar dhe është në trajtim nga organet e drejtësisë. Për të mos cenuar hetimet, QPS nuk mund të ofrojë detaje shtesë në këtë fazë”, u shpreh Shamolli për Insajderin.
Në lidhje me këtë, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala tha se të dyshuarit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.
Fëmija ishte dërguar në QKUK me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve.
Sipas QKUK-së, fëmija ishte pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ekziston dyshimi për kequshqyerje.
“Bazuar në të dhënat nga Klinika e Pediatrisë në QKUK, ju informojmë se një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, thuhet nga QKUK.
Ai është hospitalizuar në Klinikën e Pediatrisë, Reparti i Kujdesit Intensiv Pediatrik, ku po merr trajtim intensiv për plagët dhe mbështetje psikosociale.
Organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, janë të përfshirë në rast, në përputhje me procedurat për mbrojtjen e fëmijëve.
/Insajderi