Ish-kandidati për deputet i PDK’së, Visar Korenica, ka reaguar pas raportimit të Gazetës Insajderi lidhur me “Kosmonte Foods”, kompanisë së multimilionerit Lulzim Begaj, të cilës iu gjetën baktere të rrezikshme në produktin e peshkut. “Kosmonte Foods” ishte shpallur investitor strategjik nga Qeveria Kurti.
Korenica me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se, sipas burimeve të tij, zyrtarë të lartë shtetërorë kanë tentuar të ndikojnë që të dhënat për bakteriet e rrezikshme të mos dalin në publik, shkruan Insajderi.
“Lere qe mezi jane dhene detajet per gjetjetet nga AVUK, edhe ato me shume presioni per ti mbajtur te fshehura, sipas burimeve te mia, zyrtare te larte shteterore madje i kane ndihmuar kesaj kompanie qe te mos dalin faktet ne publik. Per me teper, dyshohet qe edhe mishi i pules qe paketohet ne Bosnje, eshte me origjine nga Serbia. Pra mos u cuditni qe kjo te del e verteta”, ka shkruar Korenica.
Sipas Korenicës, nga kjo kompani janë donatorë të Lëvizjes Vetëvendosje. Korenica ka pretenduar edhe se familjarë zyrtarëve të lartë të kësaj partie janë të punësuar në “Kosmonte Foods”.
“Ish ministrja Hajdari, qe la nam ne kete ministri me Rezerva te vjedhura, eshte mire me dale me tregu sakte per presionin e madh qe ka pas per ta bere investitor strategjik”, ka thënë më tej Korenica.
“Buka e popullit ka me ju vra, bre hajna tipik, e super kriminela”, përmbyll shkrimin ai.
Raportimi i Gazetës Insajderi për “Kosmonte Foods”
Dokumentet zyrtare që ka siguruar Insajderi e të cilat Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pranoi t’i dorëzonte vetëm pas intervenimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi shpërfaqin një situatë alarmante: pesë mostra të produkteve të peshkut të kësaj kompanie kanë rezultuar pozitive me bakterin e rrezikshëm Listeria monocytogenes.
Sipas këtyre raporteve laboratorike, të cilat AUV tentoi t’i mbante të fshehura nga janari i këtij viti kur Insajderi parashtroi kërkesën, rezulton se brenda një periudhe dymujore (shtator – nëntor 2025), Salmoni dhe Peshku i tymosur i “Kosmonte Foods” kanë dështuar vazhdimisht në testet e sigurisë ushqimore.
Sipas dokumentit të Laboratorit Ushqimor dhe Veterinar që posedon Insajderi, rezultatet e mostrave të testuara konfirmojnë një seri dështimesh të njëpasnjëshme në standardet e sigurisë: më 16 shtator 2025 peshku i tymosur rezultoi pozitiv, duke u pasuar nga dy mostra të salmonit të tymosur më 30 shtator dhe 1 tetor që po ashtu dolën pozitive.
Situata alarmante u rikonfirmua edhe në javët pasuese, ku analizat e datës 29 tetor dhe ato të 14 nëntorit 2025 rezultuan sërish pozitive me praninë e bakterit të rrezikshëm.
Lidhur me rezultatet e këtyre produkteve ushqimore, Insajderi ka kërkuar një koment edhe nga kompania “Kosmonte Foods”, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Edhe pse dokumentet zyrtare konfirmojnë praninë e bakterit të rrezikshëm në pesë mostra të ndryshme, as nga AUV-i dhe as nga “Kosmonte Foods” nuk kanë treguar nëse këto produkte janë asgjësuar apo janë tërhequr nga tregu.
Çka është bakteri listeria monocytogenes?
Listeria monocytogenes është një bakter i rrezikshëm që shkakton një infeksion serioz të quajtur listeriozë.
Ai konsiderohet si një nga patogjenët më shqetësues për sigurinë ushqimore, sepse ndryshe nga shumë baktere të tjera, ai ka aftësinë të rritet edhe në temperatura të ftohta (brenda frigoriferit). /Insajderi.org/