Në hierarkinë e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Faik Sylejmani ushtron detyrën e Drejtorit të Departamentit Ligjor, përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave ligjore dhe financiare brenda institucionit. Dokumentet e siguruara nga Insajderi tregojnë se ai ka qenë përfitues i një transferi prej disa mijë eurosh nga llogaria e institucionit, të cilat kanë qëndruar në llogarinë e tij private për shtatë muaj
Nga: Visar Duriqi
Hulumtimi i vazhdueshëm mbi menaxhimin e fondeve brenda Byrosë Kosovare të Sigurimit ka nxjerrë në dritë praktika të pazakonta të qarkullimit të mjeteve monetare mes institucionit dhe zyrtarëve të lartë. Në mesin e këtyre gjetjeve, figuron edhe një transaksion financiar që implikon drejtpërdrejt drejtuesin e zyrës që do të duhej të ishte gardiania e ligjshmërisë në këtë institucion.
Sipas një shkrese zyrtare të siguruar nga Insajderi, vetë Sylejmani e konfirmon realizimin e transaksionit përmes një deklarate me shkrim.
“Nga llogaria bankare e Byrosë është realizuar një transfer në shumën prej 5,000.00 € në llogarinë time bankare, me datë 17.05.2022”, shkruan ai.
Bazuar në të njëjtin dokument, mjetet kanë qëndruar në llogarinë private nga data 17 maj 2022 deri më 19 dhjetor 2022. Sylejmani sqaron se shuma është kthyer në tërësi në llogarinë e Byrosë pas kësaj periudhe.
“Kjo shumë është kthyer në tërësi në llogarinë e Byrosë, me datë 19.12.2022, fakt që dëshmohet përmes urdhërpagesës bankare, e cila i bashkëngjitet kësaj përgjigjeje”,ka shkruar juristi Faik Sylejmani.
Në urdhërpagesën e kthimit është përdorur përshkrimi: “Kthim i mjeteve sipas transferit të datës 17.05.2022”, që lidhet drejtpërdrejt me transferin fillestar. Në të njëjtën shkresë, Sylejmani thekson se, sipas vlerësimit të tij, ky transaksion nuk ka prodhuar mospërputhje në raportimet financiare.
“…nuk ka pasur e as nuk ka ndonjë mospërputhshmëri me mostrat e audituara, bilancin e gjendjes apo raportet financiare për periudhën përkatëse, të cilat mund të gjurmohen dhe verifikohen lehtë nga departamenti i financave”, ka shkruar Syljmani në një dokument që e ka Gazeta Insajderi.
Dokumentet e siguruara nuk specifikojnë bazën ligjore mbi të cilën është mbështetur ky transfer, autorizimin paraprak nga organet drejtuese apo natyrën e këtij transaksioni si detyrim i Byrosë ndaj zyrtarit.
Byroja Kosovare e Sigurimit operon nën mbikëqyrjen e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Sipas Rregullores mbi Qeverisjen Korporative të Siguruesve, transaksionet që përfshijnë personat e brendshëm të institucionit duhet t’u nënshtrohen kontrolleve strikte për të parandaluar përdorimin e fondeve për qëllime jo-institucionale.
Sipas praktikave standarde të kontabilitetit, çdo transfer i mjeteve jashtë llogarive të institucionit duhet të shoqërohet me një dokument mbështetës, si faturë, vendim i bordit ose kontratë specifike shërbimi. Dokumentacioni i siguruar në këtë rast nuk ofron të dhëna për ekzistencën e një dokumenti të tillë paraprak.
BKS, si organizatë jofitimprurëse, menaxhon fonde të cilat financohet nga një përqindje e policave të sigurimit që paguhen nga qytetarët dhe diaspora, gjë që e vendos transparencën e saj financiare nën interesin publik.
Ky rast ndërlidhet me hulumtimet e mëparshme të Insajderit mbi menaxhimin e fondeve brenda BKS-së:
Mbi 400 mijë euro në arkat kufitare. Raportimet mbi mospagesën e rregullt të mjeteve të grumbulluara në pikën e Merdarës në llogaritë bankare të BKS-së.
Skema e “punëve shtesë”.Dokumentimi i bonuseve dhe pagesave për projekte të ndryshme ndaj zyrtarëve të lartë dhe personelit të IT-së.
Shpenzimet për udhëtime. Raportimet për udhëtime grupore të zyrtarëve në Selanik dhe Londër të financuara nga buxheti i institucionit.
Insajderi i ka dërguar një kërkesë zyrtare për koment Faik Sylejmanit duke kërkuar sqarime specifike mbi, bazën ligjore të transferit të 5 mijë eurove; autoritetin që ka miratuar këtë transaksion; dhe nëse i njëjti është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me këtë praktikë, e cila, deri tash dihet se është aplikuar në të paktën 16 raste të tjera brenda institucionit.
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Sylejmani nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.
Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për Byrosë e Sigurimeve, përfshirë hetimet mbi skemën e dëmeve të fryra të aksidenteve që çuan në arrestime të shumta në fillim të vitit 2026. Në hulumtimet e tij, gazeta ka zbuluar parregullsi në menaxhimin financiar, mungesë kontrolli mbi shpenzimet dhe dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. Ky seri raportimesh ka ekspozuar një model të vazhdueshëm të dështimit të mbikëqyrjes institucionale brenda këtij institucioni./Insajderi.org/