Operatori ekonomik “Xhema Bulls” dhe pronari Xhemajl Rrahmani tashmë janë subjekt i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Insajderi ka siguruar dokumente ekskluzive pas ndërhyrjes së detyruar të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, të cilat hedhin dritë mbi zhdukjen pa gjurmë të qindra kafshëve të importuara. Ky operim i paautorizuar shpërfilli çdo kontroll veterinar.
Dosja e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, e përcjellë në Prokurori, liston një varg shkeljesh flagrante që shpërfaqin operimin e paligjshëm të kompanisë “Xhema Bulls”.

Sipas konstatimeve të inspektoratit, gjatë muajit nëntor 2025, kjo kompani ka importuar plot 298 krerë gjedhe të destinuara ekskluzivisht për therrje.
Megjithatë, në vend që t’u nënshtroheshin rregullave rigoroze të sigurisë, ka ndodhur e kundërta: kompania ka injoruar shtatë vendime të inspektoratit veterinar kufitar që e obligonin dërgimin e kafshëve në thertore të licencuara brenda 72 orëve.
Për rrjedhojë, kafshët janë zhvendosur në lokacione të paautorizuara, duke humbur gjurmët për autoritetet kontrolluese. Si pasojë e këtij devijimi, nuk ekziston asnjë dëshmi apo procesverbal që vërteton se këto kafshë janë therrur në thertore të licencuara apo në kushte higjienike.”
Po ashtu, Inspektorët kanë konstatuar se në disa raste, këto kafshë janë shitur direkt në tregun e lirë, pa asnjë kontroll veterinar, gjë që përbën rrezik të lartë për shëndetin e qytetarëve.

Tri vepra penale mbi shpinën e “Xhema Bulls”
Bazuar në gjetjet e AUV-it, mbi pronarin Xhemajl Rrahmani rëndojnë dyshime të arsyeshme për konsumimin e tri veprave të rënda penale sipas Kodit Penal të Kosovës: mashtrimi, rrezikimi i shëndetit publik, si dhe keqpërdorimi i pozitës ekonomike/autorizimeve.
“Ky subjekt nuk i është përmbajtur akteve ligjore në fuqi, duke rrezikuar sigurinë e zinxhirit ushqimor,” thuhet në kërkesën e AUV-it drejtuar Prokurorisë, ku kërkohet edhe sekuestrimi i dokumentacionit dhe masa ndaluese ndaj operatorit.

Publikimi i këtyre shkeljeve erdhi vetëm pas një beteje administrative.
Insajderi kishte bërë kërkesë për qasje në dokumente që në janar të këtij viti, duke kërkuar “Vendimet për shfuqizimin e pezullimit të këtyre licencave, duke përfshirë arsyetimet ligjore dhe teknike mbi të cilat është bazuar ky vendim”.
Megjithatë, AUV-i i vuri ato në dispozicion vetëm pasi u arrit intervenimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, pas ankesës së parashtruar.
Lidhur me këto gjetje të rënda, është kërkuar një koment edhe nga kompania “XHEMA BULLS L.L.C.”, por të njëjtit nuk janë përgjigjur, deri më tani.
Përveç kompanisë, Insajderi ka drejtuar pyetje zyrtare edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për të konfirmuar ecurinë e hetimeve, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, as ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
/Insajderi