Mbi 100 kafshë të importuara në Kosovë, që do të duhej t’i nënshtroheshin kontrolleve rigoroze veterinare, kanë përfunduar në tregun e zi duke anashkaluar çdo hallkë të sigurisë ushqimore. Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e denoncimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kundër kompanisë ‘Erijoni Group SH.P.K’, e cila ekspozon një skemë të rëndë të zhdukjes së gjurmëve të kafshëve të gjalla dhe sfidimit të hapur të autoritetit shtetëror nga pronari Mirsad Bunjaku.
Gazeta Insajderi sjell detajet ekskluzive të kësaj dosjeje, e cila zbardh aktivitetin e dyshimtë të kompanisë në fjalë.
Dokumentet, të cilat i ka parë Insajderi, përshkruajnë një situatë alarmante për sigurinë ushqimore në vend, duke dokumentuar hap pas hapi se si u anashkaluan thertoret e licencuara dhe kontrollet e detyrueshme veterinare.
Nga zhdukja e kafshëve deri te shitja ilegale në treg
Sipas njoftimit zyrtar që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i ka përcjellë Prokurorisë, shkeljet e kompanisë “Erijoni Group SH.P.K” nuk janë raste të izoluara, por një varg veprimesh sistematike që kanë goditur direkt sigurinë ushqimore.
Dosja zbardh faktin se 103 kafshë të importuara janë zhvendosur në destinacione të paautorizuara.
Në vend që t’u nënshtroheshin procedurave të therjes së kontrolluar, ekziston dyshimi i bazuar se këto kafshë janë shitur direkt në tregun e lirë, pa asnjë garanci për gjendjen e tyre shëndetësore apo cilësinë e mishit që ka përfunduar te konsumatori.
Po ashtu konstatohet mungesë e evidencës mbi procesin e therjes, pasi subjekti nuk ka paraqitur dëshmi që vërtetojnë se kafshët janë therur në thertore të licencuara.
Përveç këtyre, operatori ka shfaqur një shpërfillje totale ndaj autoritetit të shtetit, duke injoruar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha vendimet dhe urdhëresat e lëshuara nga inspektoriati veterinar kufitar.
Ajo që e bën këtë rast edhe më skandaloz është fakti se “Erijoni Group SH.P.K” është recidiviste në shkeljen e ligjit.
Vetëm gjatë muajit dhjetor 2025, ndaj këtij subjekti janë lëshuar 7 vendime të njëpasnjëshme, të cilat janë injoruar totalisht nga kompania.
Dokumenti i siguruar konfirmon se pronari i subjektit “Erijoni Group SH.P.K”, Mirsad Bunjaku, rezulton i dënuar paraprakisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë, përmes aktgjykimit dënues K.nr. 215/24, për shkelje të natyrës së ngjashme. Sipas njoftimit të AUV-it, subjekti ka vazhduar me veprimtarinë e tij duke mos iu përmbajtur dispozitave ligjore në fuqi.

Mbështetur në këto gjetje, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kërkuar zyrtarisht nga Prokuroria Themelore e Prishtinës inicimin e hetimeve penale për tri vepra specifike.
Kërkesa bazohet në dyshimet për Mashtrim, Rrezikim të shëndetit publik, si dhe Keqpërdorim të pozitës apo autorizimit ekonomik.

Publikimi i këtyre detajeve erdhi vetëm pas një rezistence të gjatë administrative.
Gazeta Insajderi kishte nisur kërkesën për qasje në dokumente që në janar të këtij viti, duke kërkuar: “Vendimet për shfuqizimin e pezullimit të këtyre licencave, duke përfshirë arsyetimet ligjore dhe teknike mbi të cilat është bazuar ky vendim”. Edhe pse bëhej fjalë për një rrezik publik, AUV fillimisht refuzoi të ofronte qasje.
Dokumentet e mësipërme u dorëzuan vetëm pas intervenimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ku Insajderi kishte parashtruar ankesë për mbylljen e paligjshme të informacionit.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar kompaninë “Erijoni Group SH.P.K” dhe pronarin Mirsad Bunjaku për të marrë një version të tyre mbi këto akuza të rënda, por deri në publikimin e këtij shkrimi, të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Përveç kompanisë, Insajderi ka drejtuar pyetje zyrtare edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për të konfirmuar ecurinë e hetimeve, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, as ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Lexo edhe:
/Insajderi