Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se përmes Inspektoratit Qendror të Tregut është duke zhvilluar aksione inspektuese me qëllim parandalimin dhe luftimin e shitjes ilegale të cigareve elektronike për personat e mitur.
Sipas njoftimit, gjatë pjesës së parë të muajit qershor 2026, inspektimet janë fokusuar kryesisht në bizneset që operojnë në afërsi të shkollave dhe që merren me shitjen e cigareve elektronike në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Vushtrrisë, Ferizajt dhe Vitisë.
“Shkeljet e evidentuara gjatë këtyre inspektimeve janë në procedurë trajtimi dhe do të ndiqen sipas dispozitave ligjore përkatëse. Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Tregut do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme inspektuese në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MINT.
