Insajderi
Hulumtime/Analiza

Afera milionëshe me prona në Prishtinë | Denoncohet shkelja e vendimit të Gjykatës, Prokuroria e lë rastin vetëm si shënim zyrtar

Insajderi
10 July 2026 - 21:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Afera milionëshe me prona në Prishtinë | Denoncohet shkelja e vendimit të Gjykatës, Prokuroria e lë rastin vetëm si shënim zyrtar
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pavarësisht aktakuzës për falsifikim dokumentesh dhe urdhrit përfundimtar të Gjykatës që ndalon çdo aktivitet në pronën kontestuese në Veternik, punimet ndërtimore dhe dhënia me qira e lokaleve kanë vazhduar. Pala e dëmtuar thotë se ka dorëzuar prova të reja në Polici, ndërsa Prokuroria nuk ka nisur procedim të ri penal- e ka veç me ‘shënim zyrtar’

Gazeta Insajderi

Edhe pse ekziston një aktakuzë dhe një vendim përfundimtar i Gjykatës për bllokimin e një prone të dyshuar se është përfituar me dokumente të falsifikuara, punimet ndërtimore dhe dhënia me qira e lokaleve në kompleksin në fjalë po vazhdojnë.

Pala e dëmtuar ka denoncuar shkelje të urdhrit ndalues përfundimtar, por Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka trajtuar rastin vetëm si “shënim zyrtar”. Më 10 korrik 2026, pala e dëmtuar ka dhënë një deklaratë të detajuar në Policinë e Kosovës.

Sipas saj, prona në fjalë (parcela kadastrale 1743-0, në zonën e Veternikut, Prishtinë) është pronë e ligjshme e familjes dhe kjo mbështetet me dokumentacion përkatës.

Po sipas denoncimit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë Urdhër Ndalues Përfundimtar ndaj të dyshuarit kryesor dhe kompanive të lidhura, “LIRIMI & ACL” sh.p.k. dhe “MIRI CONSTRUCTION”, duke ndaluar çdo shitje, dhënie me qira, investim apo punim në ngastrën kadastrale 10433-0. Në deklaratë thuhet se Policia e Kosovës kishte vendosur shirita sigurie në vendngjarje, por ata janë këputur në mënyrë të përsëritur.

Pala e dëmtuar pretendon se, pavarësisht urdhrit të Gjykatës, kompanitë kanë vazhduar punimet, përfshirë instalimin e dritareve, ndërsa objektet janë reklamuar dhe janë dhënë me qira për biznese të ndryshme, mes tyre një market, një gjellëtore dhe lokale të tjera afariste.

Si prova, denoncimit i janë bashkëngjitur 15 fotografi dhe 3 video që, sipas palës, dokumentojnë shkeljet. Për këtë rast tashmë është ngritur aktakuzë, e cila bazohet në dyshimet për përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Po ashtu, ekziston edhe një vendim përfundimtar i Gjykatës që urdhëron bllokimin e pronës dhe ndalimin e çdo aktiviteti mbi të.

Megjithatë, sipas denoncimit, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, nuk po e zbaton në tërësi vendimin gjyqësor, duke lejuar vazhdimin e punimeve dhe transaksioneve. Pavarësisht pretendimeve për këputje të shiritave policorë dhe zhvillim të punimeve në kundërshtim me urdhrin gjyqësor, Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka nisur procedim të ri penal, por e ka përcjellë rastin në Polici vetëm si “shënim zyrtar”.

Pala e dëmtuar kërkon veprime urgjente nga Prokuroria, përfshirë intervistimin e të dyshuarve, arrestimet sipas ligjit dhe zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës.

Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi zbatimin e vendimeve gjyqësore, mbrojtjen e pronës private dhe funksionimin e institucioneve përgjegjëse në një aferë që, sipas Prokurorisë, kap vlera milionëshe.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Ylber Hysenit, Afrim Gashit dhe Melihate Gashit për një aferë milionëshe me prona në lagjen Veternik të Prishtinës.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohen se kanë vepruar në bashkëpunim për të uzurpuar një pronë me vlerë të madhe duke përdorur dokumente të falsifikuara, përfshirë një vendim të dyshimtë të vitit 1961 nga arkivat serbe, i dorëzuar përmes postës DHL.

Sipas Prokurorisë, ky dokument është përdorur për të mashtruar zyrtarët e Kadastrit dhe për ta regjistruar pronën në emër të nënës së ndjerë të Ylber Hysenit, Zojë Hyseni.

Aktakuza thotë se, nga janari i vitit 2021 deri në vitin 2024, Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi, në bashkëpunim, kanë mashtruar palën e dëmtuar duke fshehur se pronat nuk i takonin familjes Hyseni. Pas regjistrimit të pronës me dokumente të dyshuara si të falsifikuara, ata, sipas Prokurorisë, e kanë parceluar tokën, kanë lidhur kontrata shitjeje dhe kanë përfituar miliona euro.

Sipas aktakuzës, Ylber Hyseni ka përfituar rreth 114 mijë euro, ndërsa Afrim Gashi, si person i autorizuar për shitjen e parcelave, ka përfituar mbi 3.2 milionë euro.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark