Insajderi
Hulumtime/Analiza

Afera milionëshe me prona në Prishtinë | Qeveria Kurti refuzon ta kryejë konfiskimin për të cilin mori vendim Gjykata, deponohet kallëzim penal

Insajderi
21 May 2026 - 15:40
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Afera milionëshe me prona në Prishtinë | Qeveria Kurti refuzon ta kryejë konfiskimin për të cilin mori vendim Gjykata, deponohet kallëzim penal
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Moszbatimi i vendimit gjyqësor për konfiskimin e pronës në Veternik ka nxitur një përplasje të re institucionale. Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar nuk ka vepruar sipas urdhrit të gjykatës, duke lënë të pandryshuar gjendjen në terren. Ndërkohë, mbi parcelën në fjalë është ngritur një kompleks banesor me përmasa të mëdha. Rasti tashmë është zhvendosur në hetim penal, me kallëzim ndaj zyrtarëve përgjegjës të AAPSK-së

(Ky artikull është edituar)

Visar Duriqi

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po përballet me një skandal të rëndë që përfshin moszbatimin e vendimeve gjyqësore për sekuestrimin e pronave të fituara përmes krimit. Në qendër të kësaj afere është Ministria e Drejtësisë, e cila, sipas pretendimeve, po refuzon të bllokojë një pronë milionëshe në lagjen Veternik të Prishtinës.

Për këtë dështim shtetëror, rasti tashmë ka kaluar në rrafshin penal. Përfaqësuesit e familjes së dëmtuar, Nexhat dhe Gursel Sadiku, kanë njoftuar zyrtarisht Ministrinë e Drejtësisë se ndaj zyrtarëve kompetentë të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) rëndojnë akuzat për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” (neni 414 i KPRK-së) dhe “Mashtrim” (neni 323 i KPRK-së).

Sabotimi i vendimit të Gjykatës nga Agjencia nën Ministrinë e Gërvallës

Gjykata kishte lëshuar një urdhër përfundimtar (PN.nr.251/22) për marrjen nën administrim të kësaj pasurie të konfiskuar. Sipas ligjit dhe aktvendimit të datës 17 shtator 2025, AAPSK, që funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë, kishte për obligim ta ekzekutonte këtë urdhër brenda 15 ditëve nga dita e dorëzimit.

Megjithatë, zyrtarët përgjegjës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim. Ky mosveprim – që në thelb përbën refuzim për zbatimin e një vendimi gjyqësor – u ka mundësuar personave të dyshuar të vazhdojnë tjetërsimin dhe nxjerrjen e përfitimeve nga pasuria me prejardhje kriminale.

Në njoftimin dhe kërkesën urgjente drejtuar drejtpërdrejt ministres Donika Gërvalla, avokatja e palës, Saranda Keqekolla Sadiku, ka kërkuar që Ministria të përdorë autoritetin e saj dhe të detyrojë Agjencinë që ta marrë pronën nën menaxhim.

Arsyetimi i Qeverisë: “Në terren gjetëm 160 banesa e 150 garazha”

Pasi Gazeta Insajderi kërkoi përgjigje zyrtare dhe paralajmëroi publikimin e hulumtimit, Ministria e Drejtësisë përmes Zyrës për Komunikim Publik, ka ofruar një arsyetim që lidhet me ndryshimin e gjendjes në terren.

Sipas Ministrisë, zyrtarët e AAPSK-së kanë konstatuar se mbi parcelat e sekuestruara nga Gjykata është ndërtuar një kompleks masiv banesor me katër hyrje, 160 banesa, 18 lokale dhe 150 garazha.

Ministria pretendon se ka kërkuar sqarime shtesë nga gjyqtarja e rastit, me arsyetimin se në vendim përmenden vetëm ngastrat kadastrale dhe jo objektet e ndërtuara mbi to.

Për pasojë, Agjencia ka vendosur të evidentojë gjendjen dhe të presë një vendim të ri nga Gjykata.

Për më tepër, pavarësisht shkresës zyrtare të protokolluar dhe provave të dorëzuara nga përfaqësuesit ligjorë të palës, Ministria e Drejtësisë deklaroi se nuk ka njohuri nga organet kompetente që ndaj zyrtarëve të Agjencisë është ushtruar kallëzim penal.

Çfarë thotë aktakuza ndaj Ylber Hysenit dhe Afrim Gashit për pronën në Veternik?

Sipas dosjes zyrtare të Prokurorisë, mbi të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë u bazua për të lëshuar urdhrin ndalues (PN.nr.251/22), i dyshuari kryesor Ylber Hyseni ngarkohet për veprat penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” (neni 395, paragrafi 1 i KPRK-së) dhe “Mashtrim” (neni 323, paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 dhe nenin 77 të KPRK-së).

Dosja specifikon se ky grup kishte përdorur një vendim plotësisht të falsifikuar të një organi serb të vitit 1961, në emër të Zojë Hysenit (nëna e Ylber Hysenit), për të tjetërsuar ngastrat kadastrale të familjes Sadiku.

Në këtë bazë, i dyshuari Afrim Gashi dhe persona të tjerë kishin lidhur kontrata biznesi dhe marrëveshje ndërtimi me kompani investitore. Sipas aktakuzës, përmes kësaj skeme janë manipuluar procedurat gjyqësore dhe është mundësuar ndërtimi masiv në parcelën milionëshe, duke prekur drejtpërdrejt të drejtat e pronarëve legjitimë, Nexhat dhe Gursel Sadiku.

Çka thuhet në kallëzim penal?

Kallëzimi penal, i dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë më 20 prill 2026 (nën numrin e dokumentit 04386741), i adresohet Departamentit për Krime të Rënda – Njësisë për Krime Ekonomike. Ky dokument i dorëzuar nga avokatja Saranda Keqekolla Sadiku godet drejtpërdrejt zyrtarët përgjegjës të AAPSK-së, duke i ngarkuar ata nën cilësimin si persona N.N. (të paidentifikuar me emra individualë në ballinë të akuzës) për bashkëkryerje në veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” (Neni 414, par. 1, 2 dhe 3) dhe “Mashtrim” (Neni 323, par. 1 dhe 4, lidhur me nenin 31 për bashkëkryerje) të KPRK-së.

Në shkresat e lëndës dhe në njoftimin zyrtar që avokatja ia ka dërguar Ministres së Drejtësisë, Donika Gërvallës, theksohet se ky grup zyrtarësh kompetentë (N.N.) ishte vënë zyrtarisht në dijeni për muaj të tërë përmes kërkesave të protokolluara për urgjencë, por dështuan të ekzekutonin urdhrin e prerë dhe afatin 15-ditor të Gjykatës.

Sipas kallëzimit të dorëzuar në emër të palës së dëmtuar, Nexhat dhe Gursel Sadiku, shpërfillja e Urdhrit Ndalues Përfundimtar të Gjykatës nuk ishte një neglizhencë apo harresë administrative, por është bërë “me qëllim që personave N.N. t’u mundësojnë të tjetërsojnë dhe përfitojnë nga pasuria e cila dyshohet se është fituar me vepër penale”.

Sipas të njëjtit pretendim, ky veprim në grup ka krijuar një gjendje të pakthyeshme në terren, duke mundësuar ndërtimin e përshpejtuar të kompleksit banesor dhe duke vështirësuar kthimin e pronës te pronarët legjitimë./ Gazeta Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark