Insajderi
Lajme

Abazi pretendon se konsulenti në moshë të shtyrë që po paguhet 2.500 euro në muaj nga KEK’u e negocioi marrëveshjen e qymyrit me Maqedoninë e Veriut

Insajderi
19 August 2026 - 17:52
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Abazi pretendon se konsulenti në moshë të shtyrë që po paguhet 2.500 euro në muaj nga KEK’u e negocioi marrëveshjen e qymyrit me Maqedoninë e Veriut
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ish-deputeti, Haki Abazi ka kritikuar marrëveshjen për shitjen e linjitit të Kosovës te Maqedonia e Veriut, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që kontratën ta bëjë publike dhe të japë sqarime për mënyrën se si është negociuar ajo.

Përmes një postimi, Abazi ka thënë se marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht operatorit publik maqedonas, parasheh shitjen e linjitit të Kosovës në vlerë prej 70 milionë eurosh.

“Shit lirë në terr, për me ble dritë shtrenjtë!”, ka shkruar Abazi, duke kërkuar transparencë të plotë për marrëveshjen.

Ai ka ngritur pyetje lidhur me mënyrën se si është përcaktuar çmimi dhe kushtet e shitjes.

“Kush dhe si ka negociuar? Si është arritur ky çmim? Në çfarë kushtesh dhe mbi çfarë kriteresh është bazuar kjo shitje?”, ka shkruar ai.

Sipas deklarimeve zyrtare, çmimi është 24 euro për ton, që sipas Abazit nënkupton rreth 2.9 milionë tonë linjit. Ai ka theksuar se linjiti në Kosovë është kryesisht sipërfaqësor dhe ka ngritur pyetje se sa sipërfaqe toke do të dëmtohet nga nxjerrja e tij.

Abazi ka theksuar gjithashtu se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë përsipër eskavimin dhe bartjen e linjitit, duke pretenduar se operatorët vendorë të eskavimit dhe transportit në Kosovë janë përjashtuar nga mundësia për të përfituar nga kjo veprimtari.

Sipas tij, kjo nënkupton që pala maqedonase do të përcaktojë edhe se kush do ta kryejë punën dhe kush do të përfitojë në territorin e Kosovës.

Abazi ka ngritur disa pyetje lidhur me marrëveshjen, duke kërkuar të bëhet e ditur nëse ekzistojnë studime të fizibilitetit dhe ato mjedisore.

Ai pyet nëse është bërë ndonjë vlerësim se ku dhe çfarë do të nxirret, sa do të dëmtohet biodiversiteti dhe kush do të jetë përgjegjës për rikthimin e hapësirës së shfrytëzuar në gjendjen e mëparshme pas eksploatimit.

Po ashtu, ai ka kërkuar sqarime se kush do të merret me helmet që, sipas tij, lirohen gjatë procesit, toksifikimin dhe ndotjen e ujit e të rrjedhave, si dhe për ndikimin në shëndetin publik.

Abazi ka ngritur edhe çështjen e dëmtimit të infrastrukturës rrugore primare dhe sekondare, duke pyetur se kush do të paguajë dëmet eventuale në rrugët e ndërtuara me paratë e taksapaguesve.

Ai ka pyetur gjithashtu se çfarë vlere ka toka si tokë bujqësore para nxjerrjes së linjitit dhe çfarë vlere do të ketë pas eksploatimit, si dhe kush do ta kompensojë humbjen eventuale.

Një tjetër çështje që Abazi e ka ngritur është ndikimi i marrëveshjes në CBAM dhe në obligimet e Kosovës ndaj Komunitetit të Energjisë.

Ai ka pyetur nëse është analizuar ndikimi i marrëveshjes në Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) dhe në obligimet ndaj Komunitetit të Energjisë.

“Sa do të paguajë Kosova për CO2-në e liruar nga nxjerrja dhe djegia e këtij qymyri në Maqedoni, në bazë të obligimeve të CEFTA-s, Direktivave të BE-së, Green Deal-it dhe inventarizimit të gazrave me efekt serrë? Shesim linjitin lirë sot, për të paguar gjobën e karbonit nesër?”, ka shkruar Abazi.

Abazi ka ngritur pyetje edhe për rolin e një zyrtari të KEK-ut, i njohur si “Raça”.

“Cili është roli i zyrtarit të njohur si Raça në KEK në këtë marrëveshje? Cilat janë kompetencat e tij dhe me urdhër të kujt punon?”, ka pyetur Abazi.

Ai ka thënë se mungesa e transparencës dhe mosqartësimi i rolit të tij, si dhe ajo që e quan afërsi të përfolur me rrethin e pushtetit, e bëjnë marrëveshjen problematike.

Për Ismet Raçën, Gazeta Insajderi kishte raportuar në mars të këtij viti se ai ishte shpallur fitues i një tenderi emergjent të KEK-ut për konsulent në Mihje, me vlerë 15 mijë euro. Raça ishte paraparë të paguhej 2 mijë e 500 euro në muaj për gjashtë muaj, për asistencë lidhur me minierat dhe prodhimin e qymyrit, ndërsa kishte qenë ofertuesi i vetëm në këtë tender. Insajderi kishte raportuar gjithashtu se para publikimit të procesverbalit të hapjes së ofertave kishte marrë informacione se tenderi dyshohej se ishte i kurdisur për Raçën, pretendim të cilin ai e kishte mohuar kur ishte kontaktuar nga gazeta.

Po ashtu, Abazi ka pyetur se kush është Boro Mackovski nga pala maqedonase dhe pse, sipas tij, shqiptarët janë përjashtuar nga marrëveshja.

“Kush është Boro Mackovski në anën maqedonase? Pse asnjë nga përfaqësuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk është përfshirë në marrëveshje, kur bëhet fjalë për një marrëveshje ndërshtetërore me Kosovën?”, ka shkruar ai.

Në fund, Abazi ka kritikuar deklarimet e ministres lidhur me marrëveshjen, duke i cilësuar “përtej çdo niveli profesional” dhe në kundërshtim, sipas tij, me dokumentet e aprovuara në Kuvendin e Kosovës, përfshirë Strategjinë për Energji dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore.

“Ky nuk është menaxhim i resurseve. Kjo është shitje në terr”, ka shkruar Abazi.

Ai e ka përmbyllur reagimin me frazën: “Shit lirë në terr, për me ble dritë shtrenjtë!”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark