Insajderi
Hulumtime/Analiza

Pjesë e listës së zezë, kontrata me institucione të tjera| Historiku i kompanisë kosovare që çoi vagonat për riparim në Serbi, kush “fshihet” prapa saj?

Insajderi
24 August 2026 - 13:08
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Pjesë e listës së zezë, kontrata me institucione të tjera| Historiku i kompanisë kosovare që çoi vagonat për riparim në Serbi, kush “fshihet” prapa saj?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Profitech SH.P.K. është kompani që ka marrë një numër kontratash nga institucione publike në Kosovë. E njëjta është futur edhe në listë të zezë nga Gjykata e Tenderëve lidhur me një tender më 2023-ën.

Në të dhënat publike të prokurimit, si pronarë të kompanisë figurojnë Petrit Doli, Edon Asllani, Burim Vrajolli dhe Erblin Asllani, raporton Gazeta Insajderi.

Profitech paraqitet si kompani që vepron kryesisht në fushën e tregtisë me shumicë të makinerive dhe pajisjeve.

Por aktivitetet e regjistruara sipas të dhënave në ARBK përfshijnë edhe tregtinë e automjeteve, veglave të makinerive, pajisjeve kompjuterike, punimet hidraulike dhe instalimet e ngrohjes e klimatizimit, si dhe riparimin e produkteve metalike.

Në prokurimin publik, kompania është shfaqur në procedura për furnizim me pjesë dhe pajisje për makineri e automjete, ndërsa ka marrë kontrata edhe për nevoja të institucioneve të ndryshme publike.

Profitech ka përfituar kontrata nga institucione të ndryshme publike. Ndër to janë KEK-u, KOSTT-i, KRU Prishtina dhe Ministria e Mbrojtjes.

Në vitin 2022, Ministria e Mbrojtjes ia dha kompanisë një kontratë prej 18,179 eurosh për furnizim me pajisje të fitnesit fizik për nevojat e FSK-së. Në atë procedurë ishin pranuar tri oferta.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), kompania ka marrë, ndër të tjera, një kontratë në vlerë prej rreth 1,397 eurosh për furnizim me pjesë ndërrimi për Damper Komatsu, si dhe një kontratë tjetër prej 6,496 eurosh për furnizim dhe montim të vinçit.

Nga KOSTT, Profitech ka marrë një kontratë në vlerë prej 38,909 eurosh për “Furnizim me pjesë rezervë për mirëmbajtjen e linjave – Vegla”.

Ndërkaq, nga KRU Prishtina, kompania ka përfituar një kontratë në vlerë prej 124,300 eurosh për furnizim me sulfat alumini.

Pjesa më e rëndësishme e historikut të kompanisë lidhet me tenderët e Trainkos-it për riparimin e vagonëve të udhëtarëve.

Në procedurën e parë, të hapur në fund të vitit 2022, Trainkos kishte paraparë 471,933 euro për riparimin e 10 vagonëve.

Profitech ishte ofertuesi i vetëm dhe kishte paraqitur ofertë prej 878,982.80 eurosh. Për shkak të dallimit të madh mes buxhetit të parashikuar dhe ofertës, procedura u anulua.

Trainkos e përsëriti procedurën disa herë gjatë vitit 2023.

Njëra prej procedurave të vitit 2023 është veçanërisht e rëndësishme, pasi në raportin e vet Trainkos e përshkruan si tenderim me “specifikim të ndryshuar”, duke theksuar se riparimi i mesëm ishte planifikuar të përfundonte në territorin e Kosovës.

Vlera e parashikuar e kësaj procedure ishte 354,394 euro, ndërsa procedura u anulua.

Në vitin 2024, Trainkos hapi një procedurë të re për riparimin e vagonëve, me vlerë të parashikuar prej 388,000 eurosh.

Edhe në këtë procedurë, Profitech ishte ofertuesi i vetëm.

Por, kësaj radhe nuk përfshihej kriteri që vagonat të riparoheshin brenda territorit të Kosovës.

Kompania ofroi 423,100.02 euro, pra rreth 35 mijë euro më shumë se vlera e parashikuar.

Pavarësisht tejkalimit të buxhetit, procedura vazhdoi dhe kontrata me Profitech-in u nënshkrua në maj të vitit 2024, në vlerë prej 423,100.02 eurosh.

Në raportin e Trainkos-it thuhet se oferta ishte rreth 9 për qind mbi buxhetin dhe se njësia kërkuese kishte konfirmuar rritjen e buxhetit.

Profitech po ashtu figuron në regjistrin e OSHP-së për operatorët ekonomikë të përfshirë në listën e zezë.

Në regjistrin e OSHP-së figuron një rast që lidhet me furnizimin me pajisje për stomatologji, ku autoritet kontraktues ishte Komuna e Gjakovës dhe operator ekonomik ishte Profitech. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark