Vullnet Gashi, djali i biznesmenit Burim Gashi, është dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për aksidentin me fatalitet të ndodhur në vitin 2023, ku humbi jetën këmbësori Ferhat Bejtullahu.
Përveç dënimit me burgim, gjykata i ka shqiptuar Gashit edhe dënim plotësues për marrjen e patentë-shoferit, ndërsa i është ndaluar pajisja me patentë-shofer për një periudhë prej katër vjetësh.
Sipas aktakuzës, Gashi në momentin e aksidentit ishte duke drejtuar automjetin pa patentë-shofer dhe në shiritin e dedikuar për autobusë dhe taksi.
Ai kishte goditur me veturë këmbësorin Ferhat Bejtullahun, i cili si pasojë e lëndimeve të marra nga aksidenti kishte humbur jetën.
Çfarë thuhet tjetër në aktakuzë?
Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, derisa ishte duke drejtuar veturën pa patentë shoferi, në shiritin e djathtë të dedikuar vetëm për lëvizjen e autobusëve dhe taksive, nga pakujdesia kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Sipas aktakuzës, ai duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, gjendjen dhe llojin e rrugës, në mënyrë që të ndalonte mjetin para çdo pengese që mund të paraqitej, kishte rrezikuar trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve.
Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa tani i ndjeri F.B. ishte duke kaluar rrugën, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, jashtë vendkalimit të këmbësorëve, nga ana e majtë në të djathtë, në drejtim të lëvizjes së automjetit, në ato momente në shiritin e mesëm të trafikut ishte duke lëvizur një kamion.
Me të arritur pranë “Euro Roleta”, i pandehuri me pjesën e parë ballore të automjetit e kishte goditur tani të ndjerin F.B., i cili, si pasojë e lëndimeve të marra, kishte ndërruar jetë.
Aktakuza thotë se Raporti i Autopsisë i datës 12 dhjetor 2023 tregon se vdekja e tani të ndjerit F.B. ishte e dhunshme dhe kishte ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë. Në raport, sipas aktakuzës, tregohen edhe lëndimet trupore që kishte marrë tani i ndjeri si pasojë e aksidentit.
Me këtë, i pandehuri Vullnet Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.