Insajderi
Lajme

“Viktima s’kishte dalë befasishëm në rrugë” – çka u tha në gjykimin për aksidentin me fatalitet që shkaktoi djali i biznesmenit Burim Gashi

Insajderi
25 June 2026 - 21:07
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Viktima s’kishte dalë befasishëm në rrugë” – çka u tha në gjykimin për aksidentin me fatalitet që shkaktoi djali i biznesmenit Burim Gashi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Vullnet Gashit, i cili po akuzohet për aksidentin me fatalitet të ndodhur në dhjetor të vitit 2023 në rrugën “Bill Clinton” (lagjia Dardania) në Prishtinë, ku si pasojë e goditjes nga vetura humbi jetën këmbësori Ferhat Bejtullahi.

Seanca e së enjtes u karakterizua nga dëshmitë e dy ekspertëve të komunikacionit, të cilët dhanë versione të ndryshme sa i përket mundësive teknike për shmangien e tragjedisë.

Eksperti i parë i komunikacionit rrugor, Ahmet Maxhuni, deklaroi para trupit gjykues se viktima nuk kishte dalë befasishëm në rrugë. Sipas tij, duke qenë se rruga ka tre shirita qarkullues në një drejtim dhe këmbësori u godit në shiritin e tretë, shoferi ka pasur kohë ta vërejë atë.

Maxhuni shtoi se prania e një kamioni me përmasa të mëdha në shiritin para të akuzuarit nuk mund të shërbejë si arsyetim, pasi Gashi duhej të tregonte kujdes të shtuar meqenëse kamioni ishte i ndalur. Ai potencoi gjithashtu se në asnjë dokument të lëndës nuk ka gjurmë se drejtuesi i automjetit ka frenuar përpara goditjes.

Në anën tjetër, eksperti i dytë, Durak Cakiqi, prezantoi një analizë hapësinore dhe kohore nga e cila rezulton se i akuzuari nuk ka pasur mundësi teknike ta evitojë aksidentin. Sipas Cakiqit, rruga e ndaljes së veturës ishte më e gjatë se distanca nga e cila shoferi ka mundur ta dallojë këmbësorin.

Ai shpjegoi se goditja ka ndodhur në sekondën e 53.52 të video-incizimit dhe se për shkak të lartësisë së ulët të veturës sportive, trupi i viktimës është hedhur më lart se sa në rastet me automjete standarde, duke u përplasur fillimisht në pjesën ballore e pastaj në xham. Cakiqi shtoi se aksidenti do të mund të evitohej vetëm nëse shpejtësia do të ishte nën 21 km/h, kurse mbi 40 km/h shmangia ishte analitikisht e pamundur.

Ky proces gjyqësor së fundmi ka kaluar në duart e gjyqtarit Driton Berisha, pas degradimit të gjyqtares së mëparshme, Naime Krasniqi-Jashanica. Në seancën fillestare të mbajtur në tetor të vitit 2024, i akuzuari Vullnet Gashi ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur në shkurt të vitit 2024, Vullnet Gashi po ngarkohet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Prokuroria pretendon se ditën e kritikë, Gashi po ngiste automjetin pa patentë shofer dhe po lëvizte në shiritin e dedikuar ekskluzivisht për autobusë dhe taksi. Ndonëse aktakuza specifikon se edhe i ndjeri F.B. po kalonte rrugën jashtë vendkalimit të këmbësorëve, prokuroria ngarkon të akuzuarin se nga pakujdesia nuk e përshtati shpejtësinë ndaj kushteve dhe gjendjes së rrugës.

Raporti i autopsisë konfirmoi se vdekja e viktimës erdhi si pasojë e traumave të shumëfishta dhe lëndimeve të rënda trupore të pësuara nga goditja.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark