Insajderi
Analiza

Afera me barnat nga India – Kjo është kompania e afërt me pushtetin që u përfshi në vendimin e AKPPM-së

Insajderi
24 September 2026 - 15:45
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Afera me barnat nga India – Kjo është kompania e afërt me pushtetin që u përfshi në vendimin e AKPPM-së
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

AKPPM ka ndaluar përkohësisht shitjen, furnizimin dhe shpërndarjen e 48 produkteve medicinale të prodhuesit indian “Swiss Parenterals”. Në dokumentin zyrtar, përveç prodhuesit në Indi, vendimi u dërgohet edhe dy kompanive në Kosovë, “Dreni Pharm” dhe “Liri-Med”. Kjo e fundit, në pronësi të biznesmenit Lirim Mustafa, është përballur ndër vite me gjoba për vonesa në furnizim dhe me raste të produkteve të bllokuara, por gjatë vitit 2026 ka vazhduar të marrë kontrata të reja nga institucionet shëndetësore.

Gazeta Insajderi

Një vendim i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, i datës 27 gusht 2026, nxjerr në pah aferën me ilaçe të dyshimta nga India në Kosovë.

Agjencia ka vendosur masa të përkohshme mbrojtëse ndaj produkteve të kompanisë indiane “Swiss Parenterals Ltd.”, pasi autoritetet evropiane kanë konstatuar probleme serioze në respektimin e standardeve të europiane.

Por dokumenti zyrtar ka edhe një detaj tjetër me rëndësi për Kosovën.

Në fund të dokumentit, AKPPM përcakton se vendimi i dërgohet edhe dy kompanive kosovare: Dreni Pharm dhe Liri Med Sh.P.K.

Vendimi i plotë

48 barna ndalohen përkohësisht – në listë edhe antibiotikë të rëndësishëm

Vendimi i AKPPM-së prek gjithsej 48 produkte medicinale të prodhuara ose të liruara nga dy njësitë e “Swiss Parenterals” në Ahmedabad të Indisë.

Mes produkteve janë Cefazolin, Ceftriaxone, Meropenem, Vancomycin, Ampicillin, Amikacin, Gentamicin, Piperacillin/Tazobactam, Imipenem/Cilastatin, Colistimethate, por edhe barna si Adrenaline, Diazepam, Midazolam, Lidocaine, Furosemide, Tramadol, Nitroglycerin dhe Pantoprazole.

AKPPM ka urdhëruar që këto produkte të mos shiten, furnizohen apo shpërndahen në Kosovë deri në një vendim tjetër.

Po ashtu, bartësit e autorizimeve për marketing apo përfaqësuesit e autorizuar janë obliguar që brenda 72 orëve të sigurojnë karantinimin e të gjithë stokut ekzistues dhe të raportojnë veprimet e ndërmarra te AKPPM dhe Inspektorati Farmaceutik.

Pse u ndalën barnat nga India?

Arsyetimi i AKPPM-së është i lidhur me një inspektim të autoriteteve të Kroacisë.

Sipas vendimit, gjatë inspektimit të zhvilluar më 13 mars 2026, në njësinë e “Swiss Parenterals”, u evidentuan 7 mangësi kritike dhe 9 mangësi madhore.

Problemet e evidentuara lidhen me sistemin e menaxhimit të cilësisë, kontrollin e devijimeve, menaxhimin e rrezikut, procedurat aseptike, trajnimin e operatorëve, kontrollin e kontaminimit dhe procese të tjera që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë e produkteve sterile.

Edhe dokumentet evropiane të publikuara në sistemin EudraGMDP e klasifikojnë “Swiss Parenterals Limited” si prodhues jo në përputhje me kërkesat e GMP-së, ndërsa autoriteti kroat ka propozuar tërheqjen e certifikatave aktuale GMP dhe masa ndaj autorizimeve të marketingut.

AKPPM thotë se i është drejtuar edhe autoritetit kompetent indian për sqarime. Përgjigjja e marrë nga pala indiane, sipas vendimit, konfirmoi vlefshmërinë e certifikatës WHO GMP, por nuk sqaroi gjetjet kritike të autoriteteve evropiane dhe as nuk tregoi masa rregullatore të ndërmarra në lidhje me to.

Për këtë arsye, AKPPM ka vlerësuar se vazhdimi i qarkullimit të produkteve para përfundimit të verifikimeve mund të paraqesë rrezik për shëndetin publik.

Pse emri i Liri-Med gjendet në vendimin për barnat indiane?

Në listën e subjekteve të cilave u dërgohet vendimi, krahas prodhuesit indian dhe institucioneve shtetërore, figurojnë Dreni Pharm dhe Liri Med Sh.P.K.

Dreni Pharm ka deklaruar publikisht se ka një bashkëpunim shumëvjeçar me “Swiss Parenterals” dhe se e përfaqëson kompaninë në Kosovë. Në një publikim të një përfaqësuesi të Dreni Pharm, kompania thotë se bashkëpunimi me “Swiss Parenterals” ka zgjatur 14 vjet dhe se prodhuesi indian “në Kosovë përfaqësohet nga Dreni Pharm”.

Ndërsa prania e Liri-Med në vendimin e AKPPM-së hap dyshime të tjera. Vetë kompania thotë se marrëdhënia e saj me këto produkte i përket së kaluarës.

Gazeta ka kontaktuar për këtë çështje përfaqësuesin e Liri-Med.

Ai ka mohuar se kompania aktualisht ka në posedim produktet e “Swiss Parenterals”, duke thënë se ato i ka Dreni Pharm.

“Ne nuk i kemi më ato produkte. I ka Dreni Pharm. Mundesh me kontaktu AKPPM, se ata ta sqarojnë më mirë. Që disa vite nuk i kam unë. Vendim ka ardhë sepse unë i kam pasë ato në fillim, por kur është gjetur një metal në ilaçe, unë u pata tërhequr. Edhe nuk kam vazhduar me to. Unë qe pesë vite nuk bashkëpunoj me ta”, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë Liri-Med për Gazetën Insajderi.

Pavarësisht historikut, kompania ka vazhduar të fiton sërish kontrata nga SHSKUK-ja

Kompania “Liri-Med” është përmendur më herët në rastin e një injeksioni ku ishte gjetur një copë metali.

Në vitin 2022, Liri-Med ishte furnizuese e QKUK-së për një produkt me ceftriaxone, i cili ishte prodhuar në Indi nga “Syner Medico”. Brenda një injeksioni të përgatitur për pacientë ishte gjetur një copë metali dhe Inspektorati Farmaceutik kishte urdhëruar pezullimin e stokut të produktit në institucionet ku ishte shpërndarë. Kontrata e Liri-Med për këtë furnizim ishte mbi 311 mijë euro.

Vetë përfaqësuesi i kompanisë, në reagimin e dhënë tani, e lidh tërheqjen e Liri-Med nga produktet e “Swiss Parenterals” me atë rast, duke pretenduar se kompania prej rreth pesë vitesh nuk bashkëpunon më me prodhuesin.

Por problemet e kompanisë nuk përfundojnë aty.

Në vitin 2022, Liri-Med ishte dënuar me mbi 17 mijë euro gjobë për vonesa në furnizimin e barnave dhe, sipas të dhënave të raportuara nga Insajderi, gjatë asaj periudhe ishte dënuar 15 herë me gjoba për vonesa në furnizim.

Më pas, në vitin 2024, SHSKUK i dha kompanisë një kontratë prej 123,984 eurosh për furnizim me kontrast jojonik. Kontrata u ndërpre pasi u raportuan efekte të dyshuara anësore te pacientët dhe Inspektorati Farmaceutik urdhëroi ndalimin e përdorimit dhe shpërndarjes së produktit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark