×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Kompania “Liri-Med” dënohet me mbi 17 mijë euro pasi nuk i dërgoi me kohë barërat në QKUK

    Insajderi
    29 September 2022 - 11:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kompania “Liri-Med”, e njohur për skandalin me antibiotikut të kontaminuar që u gjet disa herë në QKUK, së fundit është dënuar edhe nga Shërbimi Spitalor i Kosovës. Një gjobë prej 17 mijë e 349 euro është shqiptuar ndaj kompanisë së biznesmenit nga Podujeva, Lirim Mustafës këtë vit. Arsye për këtë është se nuk i dërgoi me kohë, barnat për të cilat ishte kontraktuar nga ky institucion.

    Kompania e biznesmenit Lirim Mustafa, “Liri-Med”, është dënuar 15 herë me gjobë nga Shërbimi Spitalor i Kosovës vetëm gjatë muajve të fundit.

    Sipas listës që ka siguruar Gazeta Insajderi nga ShSKUK-ja, kjo kompani nuk ka dërguar me kohë barnat për të cilat është kontraktuar. “Liri – MED”, vetëm me 4 korrik ishte dënuar me gjobën 7 mijë 863 euro nga Shërbimi Spitalor i Kosovës, për mosliferim të mallit.

    Në këtë listë kompania “Liri-Med” figuron 15 herë e dënuar për mos korrektësi në sjelljen e barnave. Gjoba e shqiptuar ndaj saj në total arrinë në 17 mijë e 349 euro.

    Kompania ”Liri-Med”, mësohet se ishte vonuar për të dërguar në Spitalet e Kosovës, tri injeksione – atë të “Amiodarone”, “Fluphenazine”, “Midazolam”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Të gjitha këto medikament janë barna esenciale që ShSKUK-ja do të duhej të ishte furnizuar me kohë, thotë Arianit Jakupit, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës për Gazetën Insajderi.

    Gazeta Insajderi, ka dërguar pyetje në kompaninë “Liri-Med” për të kuptuar se cila ka qenë arsyeja e vonesës në furnizim me barna, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e lajmit.

    Skandali i ilaçit me metal

    Një injeksion ceftriaxone i kontaminuar u zbulua në janar të këtij viti në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK, derisa po bëhej gati terapia për pacientët. Brenda injeksionit u gjet një copë metali.

    Ky ilaç në QKUK është blerë nga kompania ‘Liri-Med’ përmes një kontrate mbi 311 mijë euro në nëntor të vitit të kaluar.

    Antibiotiku është prodhim nga India i kompanisë ‘Syner Medico’.

    Inspektorati Farmaceutik pasi ka dalur në inspektim në QKUK kishte konstatuar se antibiotiku është i kontaminuar.

    Gjatë këtij inspektimi ishte bërë edhe bllokimi i stokut të këtij ilaçi në Barnatoren Qendrore të QKUK-së.

    “Stokun aktual në Barnatoren Qendrore, Inspektorati Farmaceutik i ka pezulluar (karantinuar). Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar pezullimin e produktit medicinal në fjalë nga personi përgjegjës i Barnatores Qendrore dhe i njëjti është urdhëruar po ashtu që të bëj pezullimin në të gjitha njësitë kërkuese që varen nga Barnatorja Qendrore e SHSKUK/QKUK”, kanë deklaruar nga MSH, bazuar në raportin e Inspektoratit

    Me leje të Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati kishte urdhëruar kompaninë ‘Liri-Med’ që të pezullojë gjithë sasinë e këtij produkti në institucionet që i ka shpërndarë.

    “Në vazhdim është kryer inspektim në Depon Farmaceutike ‘Lirimed’ ku është urdhëruar që pos sasisë së produktit në stok të bëj edhe pezullimin në institucionet që i ka shpërndarë. Pronari i depos ‘Lirimed’ ka deklaruar se lidhur me produktin Ceftriaxone ka njoftuar Prodhuesin, e po ashtu do të bëj njoftimin në Agjencinë e Kosovës për Products dhe Pajisje Medicoinale për tërheqjen (recall) të serisë për produktin ne fjale”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

    Gazeta Insajderi kishte raportuar se si kompania farmaceutike “Liri-Med” Sh.p.k. me bazë në Prishtinë, ishte përmendur në aktakuzën kundër grupit të Ilir Tolajt, ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

    Ish-sekretari i MSh-së, sipas aktakuzës së ngritur më 2012, dyshohej se kishte favorizuar kundërligjshëm kompaninë “Liri-Med” Sh.p.k. për të përfituar tenderë nga shteti./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark