Insajderi
Hulumtime/Analiza

Iu gjet copë metalike në injeksion, u dënua 15 herë me gjobë – “Liri Med” fiton sërish kontrata nga SHSKUK-ja

Insajderi
22 July 2026 - 14:22
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Iu gjet copë metalike në injeksion, u dënua 15 herë me gjobë – “Liri Med” fiton sërish kontrata nga SHSKUK-ja
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Blenera Karaxha

Kompania “Liri-Med”, në pronësi të biznesmenit Lirim Mustafa, po vazhdon të përfitojë kontrata nga institucionet shëndetësore, pavarësisht se ndër vite është përfshirë në disa skandale. Kjo kompani ishte dënuar 15 herë me gjoba për vonesa në furnizimin me barna, ndërsa vitin e kaluar SHSKUK-ja ia ndërpreu një kontratë për furnizim me kontrast jojonik, pasi tek pacientët u raportuan efekte anësore. Megjithatë, gjatë këtij viti kompania është rikthyer duke siguruar disa kontrata të reja.

Gazeta Insajderi

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi sot, më 22 korrik 2026, se ka dhënë kontrata për furnizim me barna.

Njërin nga lotët e fitoi kompania “Liri-Med”, me një vlerë prej rreth 50 mijë eurosh.

Në kontratë thuhet se kompania do të furnizojë SHSKUK-në me pantoprazol.

Kjo nuk është kontrata e vetme që institucionet shëndetësore ia kanë besuar kompanisë, e cila në të kaluarën është përballur me probleme serioze në zbatimin e kontratave.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën e-prokurimi, “Liri-Med” ka siguruar edhe kontrata të tjera gjatë këtij viti. Dy prej tyre iu dhanë në muajin maj, njëra në vlerë prej afro 50 mijë eurosh, ndërsa tjetra në vlerë prej 58 mijë eurosh.

Po ashtu, më 24 dhjetor 2025, SHSKUK-ja i kishte dhënë kompanisë edhe një kontratë tjetër në vlerë prej 45 mijë eurosh, shkruan Insajderi.

Megjithatë, vitin e kaluar kjo kompani ishte në qendër të një tjetër skandali.

Liri-Med po dyshohej se ka rrezikuar pacientët përmes një kontrasti

Në nëntor të vitit 2024, SHSKUK-ja i kishte dhënë kompanisë “Liri-Med” një tender në vlerë prej 123 mijë e 984 eurosh për furnizim me kontrast jojonik, me kohëzgjatje tre mujore.

Por kontrata nuk arriti të përfundohej.

Pas raportimit të efekteve anësore tek pacientët, Inspektorati Farmaceutik urdhëroi ndërprerjen e përdorimit dhe shpërndarjes së produktit.

Inspektorati konfirmoi se produkti ishte prodhim i kompanisë kineze “Shanghai Starry Pharmaceutical Co., Ltd”, ndërsa mostrat u dërguan për analiza në Laboratorin Kombëtar të Cilësisë pranë AKPPM-së.

Rastet e efekteve anësore u raportuan më 30 janar 2025 nga drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë në QKUK.

Skandalet në të cilat është përfshirë “Liri-Med”

Kompania e biznesmenit Lirim Mustafa ishte përfshirë edhe në vitin 2022 në skandalin e antibiotikut të kontaminuar që u zbulua në QKUK.

Një injeksion Ceftriaxone, i cili po përgatitej për t’u administruar pacientëve, rezultoi i kontaminuar pasi brenda tij u gjet një copë metali.

Ky ilaç ishte furnizuar në QKUK nga kompania “Liri-Med” përmes një kontrate me vlerë mbi 311 mijë euro, ndërsa produkti ishte prodhuar në Indi nga kompania “Syner Medico”.

Pas zbulimit të rastit, Inspektorati Farmaceutik urdhëroi pezullimin e të gjithë stokut të këtij produkti në institucionet ku ishte shpërndarë.

Po gjatë vitit 2022, kompania “Liri-Med” u dënua me mbi 17 mijë euro gjobë, pasi nuk kishte furnizuar me kohë barnat për të cilat ishte kontraktuar nga SHSKUK-ja.

Në atë periudhë, kompania ishte dënuar 15 herë me gjoba për vonesa në furnizim.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, Lirim Mustafa figuron pronar i vetëm i kompanisë “Liri-Med” Sh.p.k., e cila ndër vite ka përfituar kontrata me vlerë milionëshe nga prokurimet publike.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark