Insajderi
Hulumtime/Analiza

Shteti u bllokon pasuritë e BKS-ja nuk i prek 21 të dyshuarit – BQK-ja godet menaxhmentin: S’na njoftuan

Insajderi
15 October 2026 - 15:34
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Shteti u bllokon pasuritë e BKS-ja nuk i prek 21 të dyshuarit – BQK-ja godet menaxhmentin: S’na njoftuan
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Edhe pse Hetuesia e Krimeve Ekonomike intervistoi 21 zyrtarë për dëm qindra-mijëra euro dhe u sekuestroi shtëpi e llogari bankare, BKS-ja s’ka ndërmarrë asnjë masë disiplinore. Ata ende janë të punësuar madje as nuk kanë masa disiplinore. Menaxhmenti fshihet prapa heshtjes, ndërsa BQK-ja zbulon për Insajderin se BKS-ja nuk e ka respektuar obligimin për ta njoftuar rregullatorin për stafin e hetuar

Visar Duriqi

Hetuesia e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren,  më 1 shtator të këtij viti ndërmori një tjetër nismë në sektorin e sigurimeve financiare, duke hapur gjerësisht dosjen e keqpërdorimeve milionëshe në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS). Ndërkohë që shteti ka nisur sekuestrimin e pasurive dhe llogarive, brenda këtij institucioni po zbatohet një amnistim total dhe i heshtur i stafit të hetuar dhe dyshuar.

Gazeta Insajderi merr vesh nga burime brenda BKS-së se menaxhmenti nuk ka marrë asnjë masë të vetme administrative apo disiplinore ndaj 21 zyrtarëve dhe punonjësve që u intervistuan më 1 shtator 2026 si të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i besimit”.

Të dyshuar se, në kundërshtim të plotë me rregullat e BKS-së, kanë mundësuar ose marrë pjesë në bartjen e mjeteve financiare pa mbulesë prej 2,000 deri në 53,000 euro për person — duke shkaktuar një dëm shtesë mbi 200 mijë euro dhe një dëm të përgjithshëm që tejkalon shifrën e 1 milion eurove — këta persona po vazhdojnë të mbajnë pozitat dhe zyrat e tyre në këtë institucion që direkt mbikëqyret nga shteti- Banka Qendrore.

Insajderi i është drejtuar BKS-së me pyetje për të kuptuar arsyet e këtij amnistimi të brendshëm, por udhëheqësia e këtij institucioni, menaxhmenti, Këshilli e Asambleja, deri më tani, asnjëri nga këta mekanizma nuk ka kthyer përgjigje.

Por, mbikëqyrësi, në këtë rast, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përmes një përgjigjeje me shkrim dhënë Insajderit ka shpërfaqur hapur faktin se BKS-ja ka dështuar të veprojë dhe madje ka shkelur obligimin ligjor për ta njoftuar rregullatorin.

Në përgjigjen e saj, Banka Qendrore thekson se përgjegjësia parësore për të garantuar se stafi dhe drejtuesit përmbushin kriteret e integritetit dhe se ndërmerren veprime ndaj rrethanave të reja i takon vetë institucionit financiar.

“Përgjegjësia parësore për të siguruar se këta persona janë të përshtatshëm dhe të duhur në vazhdimësi i takon vet institucionit financiar, i cili ka gjithashtu obligim ta njoftojë BQK-në dhe të ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore sa herë që paraqiten rrethana të reja që mund të ndikojnë në përshtatshmërinë e tyre. Në rastin konkret, një njoftim i tillë nuk është bërë nga BKS”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

BQK-ja ka bërë të ditur se çështjet në BKS janë trajtuar që nga Raporti i Ekzaminimit të fundvitit 2023, ku u evidentuan shkelje të rënda dhe u ndërmorën masa korrigjuese e kërkesa për forcimin e kontrollit të brendshëm. Pas kësaj, BQK-ja urdhëroi një auditim të fokusuar në dëme, shpenzime dhe teknologji informative, gjetjet e të cilit u proceduan te organet kompetente.

Megjithatë, rregullatori konfirmon se aktualisht ndodhet sërish në një proces të ri ekzaminimi në terren, ku po vlerësohen qeverisja institucionale, përshtatshmëria e zyrtarëve përgjegjës (Fit and Proper) dhe sistemet e kontrollit, duke paralajmëruar masa të mëtutjeshme të përshkallëzuara.

Shtëpi, banesa, garazhe dhe 21 xhirollogari të bllokuara – Çka zbuloi aksioni i 1 shtatorit?

Zgjerimi i hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe Krimet Ekonomike ka çuar në 69 numrin e përgjithshëm të të pandehurve. Krahas intervistimeve, shteti ka lëshuar urdhër për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të personave kryesorë të përfshirë:

Sami Mazrekut (ish-drejtor i BKS-së) i janë bllokuar parcela tokësore në zonën kadastrale Matiçan në Prishtinë (në vendin e quajtur “Njelmësina”), banesa në Laman A (87.1 m² dhe 76.6 m²), banesë në Laman B (78 m²), tri njësi garazhuese në Laman OG, si dhe mbi 12 njësi garazhuese shtesë. Po ashtu, janë sekuestruar dy shtëpi familjare në Çagllavicë (në Lagjen Qershia, prej 397 m² dhe 247 m² me garazh 23 m²), si dhe disa apartamente e objekte të tjera rezidenciale.

Valon Berishë (ish-shef i financave)i është vënë masë sekuestrimi mbi shtëpinë familjare prej 199 m² dhe garazhin prej 18 m² në adresën Martin Luter King në Çagllavicë (Lagja Qershia).

Yll Çollakuu i është bllokuar një banesë me sipërfaqe prej 104 m² e ndërtuar në Prizren.

Autoritetet kanë urdhëruar ngrirjen e menjëhershme të 21 xhirollogarive bankare të personave nën hetim për të parandaluar tjetërsimin e mjeteve.

Lista e 21 të dyshuarve që vazhdojnë të mbajnë zyrat në BKS

Përkundër faktit se ndaj tyre ekzistojnë dyshime dhe se emrat e tyre figurojnë zyrtarisht në dosjet e Prokurorisë si të dyshuar për veprën penale të keqpërdorimit të besimit, zyrtarët e mëposhtëm nuk janë prekur fare nga menaxhmenti i BKS-së: Liridon Makolli, Kevsere Veliu, Lindita Cakaj, Rrezarta Tafilaj, Fatime Restelica, Edona Ahmeti, Faik Sylejmani, Fatime Restelica Halimi, Afrim Kryeziu, Arta Kastrati Batalli, Bashkim Vitia, Dorentina Stublla, Lavdim Statovci, Samire Hoti, Saranda Sogojeva, Meriton Berisha, Venesa Gashi, Valmir Rexha, Ilir Prapashtica dhe Fehmi Kurtishaj.

Zgjerimi i hetimeve nga organet e drejtësisë dhe aksionet e fundit të Policisë nuk erdhën në një terren të panjohur. Gazeta Insajderi ka më shumë se dy vite që raporton në mënyrë të vazhdueshme dhe me dokumente zyrtare për skandalet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur në Byronë Kosovare të Sigurimit — një institucion që menaxhon dhjetëra miliona euro të grumbulluara nga policat e sigurimit obligativ të qytetarëve të Kosovës.

Përgjatë kësaj periudhe dyvjeçare, hulumtimet e Insajderit kanë nxjerrë në dritë një zinxhir të tërë keqpërdorimesh, të cilat sot përbëjnë bazën e dosjeve hetimore të Prokurorisë.

Insajderi ka publikuar dokumente konfidenciale që dëshmonin se si menaxhmenti i lartë i arrestuar (përfshirë ish-drejtorin Sami Mazreku dhe ish-shefin e financave Valon Berisha) tërhiqte mjete financiare me arsyetimin e “nevojave personale” apo “udhëtimeve pa fatura”. Hulumtimet zbuluan edhe “avullimin” e afro 250 mijë eurove kesh në kufi, nën “syrin e mbyllur” të kompanive të auditimit dhe vetë BQK-së.

Artikujt e Insajderit zbardhën vendimet e komisioneve të brendshme ku përshkruhej rreziku i lartë për tjetërsimin qindra mijë eurove nëpër llogari private, si dhe praktika e dhënies së avanceve “kesh” për zyrtarët pa asnjë mbulesë faktike.

Insajderi raportoi për aferën e punësimit të më shumë se 60 personave pa asnjë konkurs publik, si dhe për zyrtarë që merrnin paga mujore pa u paraqitur kurrë në vendin e tyre të punës.

Hulumtimet e gazetës Insajderi alarmuan publikun se si BKS-ja ishte lënë pa mbrojtje kibernetike, duke ekspozuar të dhënat dhe sistemet financiare, derisa zyrtarët përgjegjës zgjidhnin heshtjen.

Insajderi ka zbardhur prapaskenat e përplasjeve dramatike brenda Këshillit dhe Asamblesë së BKS-së, përgjimet e dëshmitë e menaxhmentit në prokurori, si dhe panikun e kapluar nga rrjedhja e dosjeve komprometuese në medie./ Gazeta Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark