Prokuroria ka marrë në hetim dosjet e katër objekteve të legalizuara nga Komuna e Prishtinës, të cilat janë përmendur në bisedat e publikuara në rrjetin social Snapchat. Në këto komunikime, sipas pretendimeve të bëra publike, është diskutuar për shuma deri në 30 mijë euro në lidhje me legalizimin e objekteve në kryeqytet. Në mesin e emrave të përmendur në këtë kontekst është edhe ai i Florent Maliqit.
Gazeta Insajderi kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës qasje në dosjet e këtyre legalizimeve në fund të korrikut, por procesi është zvarritur për gati tre muaj. Vetëm më 21 tetor, Komuna e ftoi Insajderin në një takim, ku ishte premtuar se do të mundësohej qasja në dokumentet e kërkuara.
Megjithatë, në takim, Fatos Dibra, udhëheqës i sektorit të legalizimit, nuk i vuri në dispozicion dosjet e plota. Ai u arsyetua se dokumentet ndodhen në Prokurori, për shkak të hetimeve që po zhvillohen për këto raste, dhe se për këtë arsye nuk mund të ofrohet qasje në to.
Ndërkohë, Komuna ende nuk ka dhënë përgjigje zyrtare se në çfarë baze ligjore po e mbështet refuzimin e qasjes në dokumentet e kërkuara.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, në një rast tjetër, kishte konstatuar se fakti që një çështje është nën hetime nuk përbën automatikisht arsye për refuzimin e qasjes në dokumente publike.
Për këtë çështje, Insajderi i është drejtuar edhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), duke kërkuar sqarime lidhur me kufizimin e qasjes në dokumentet e kërkuara.
Në vend të dosjeve të plota, Komuna i kishte ofruar Insajderit vetëm certifikatat e vendimeve për legalizim, pa mundësuar shqyrtimin e dokumentacionit përcjellës që do të ndihmonte në zbardhjen e procedurave përmes të cilave janë legalizuar objektet.
Katër objektet për të cilat Insajderi kërkoi qasje në dokumentacionin e plotë janë përmendur në bisedat e publikuara në Snapchat, rreth të cilave janë ngritur pretendime për parregullsi në proceset e legalizimit në Prishtinë.
Dokumentet që Komuna i vuri në dispozicion të Insajderit konfirmojnë se vendimet për legalizimin e katër objekteve janë marrë.
Bëhet fjalë për objektet e lidhura me:
Në një raportim tjetër, Insajderi kishte raportuar edhe për legalizimin nga Komuna e Prishtinës të një objekti të ndërtuar pa leje, në pronësi të djalit të biznesmenit Burim Gashi, i njohur si “Burim Agrollapi”. Objekti ishte përmendur gjithashtu në bisedat e publikuara në Snapchat.
Lexo raportimin e Insajderit për objektin e djalit të Burim Agrollapit.
Pas publikimit të bisedave në Snapchat, Prokuroria kishte nisur hetimet lidhur me pretendimet për parregullsi në proceset e legalizimit në Prishtinë.
Florent Maliqi i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar bisedat e publikuara si “fabrikime e trillime”. Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka cilësuar si të fabrikuara pretendimet e ngritura lidhur me këto raste.
Më 30 korrik, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Florent Maliqit dhe zyrtarëve të tjerë nga kabineti i Përparim Ramës, për pretendimet që lidhen me parregullsi në procedurat e legalizimit në kryeqytet.
Sipas LVV-së, kallëzimi penal ishte bazuar në informacione të pranuara në mënyrë anonime nga një grup asamblistësh. Materialet që kjo parti kishte përmendur përfshinin email-e, komunikime dhe dokumente, të cilat, sipas saj, ngrinin dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizime të kundërligjshme.
Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë të ditur gjithashtu se kishte dorëzuar në Polici materiale të tjera lidhur me këto pretendime.

Pas publikimit të këtij shkrimi, Komuna ka dhënë sqarime lidhur me mosofrimin e dokumenteve;
Lidhur me kërkesat/ankesat për qasje në dokumentet e legalizimit dhe takimin e paraparë për sot, më 21.10.2026, në orën 10:00, ju përcjell të bashkëngjitur emailin e pranuar nga z. Fatos Dibra.
Sipas njoftimit me email të z. Dibra, çështjet përkatëse janë në hetim nga Policia, me autorizim të Prokurorisë, me referencë DHKEK-P-513/2026, dhe dokumentet e kërkuara nuk mund të ofrohen. Shkresa e Policisë, e datës 17.08.2026, përmban kërkesën për dorëzimin e dosjeve përkatëse të legalizimit, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Speciale PPS.nr.156/2026.
Lidhur me këtë shkresë, kërkojmë udhëzim nga AIP-ja nëse ajo duhet t’u përcillet edhe palëve kërkuese apo vetëm Agjencisë për shqyrtim në kuadër të trajtimit të ankesave.
Neni 17, paragrafi 2, nënparagrafi 2.3 i Ligjit nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike përcakton si bazë të lejueshme për refuzimin e qasjes mbrojtjen e parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së veprave penale, në rastet kur publikimi i dokumenteve publike mund të dëmtojë procesin e hetimit.
Zyra për Qasje në Dokumente Publike është njoftuar për hetimet dhe mosofrimin e dokumenteve vetëm pak para takimit, pasi pjesëmarrja e palëve ishte konfirmuar. Gjatë komunikimit telefonik, z. Dibra ka sqaruar se vonesa në njoftim ka ardhur për shkak të ngarkesës në punë. Në të njëjtin komunikim, ai ka njoftuar se i ka pritur palët e paraqitura dhe i ka informuar për statusin e çështjes.