Komuna e Prishtinës ia ka legalizuar kompanisë “Arti Group sh.p.k.” një objekt me sipërfaqe bruto prej 35 mijë e 115.02 metrash katrorë në maj të vitit 2025. Objekti përmendet në kontekstin e bisedave të Snapchat-it të Florent Maliqit, ish-drejtorit të Urbanizmit dhe më pas shefit të kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Dokumentet e siguruara nga Insajderi tregojnë se aplikimi për legalizim ishte dorëzuar në shtator të vitit 2023, ndërsa certifikata u lëshua më 15 maj 2025.

Dosja përmban të dhëna për pronën, përmasat e objektit, raportet teknike dhe inspektimin e kryer nga zyrtarët komunalë.
Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur pretendime për parregullsi në procedurat e legalizimit.
Sipas denoncimit, një pjesë e ndërtimit kishte nisur në vitin 2018, por objekti nuk ekzistonte atëherë në formën që ka marrë më vonë.
Përparim Rama dhe Florent Maliqi i kanë cilësuar si të fabrikuara pretendimet e ngritura lidhur me këto raste.
Insajderi kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës qasje në dokumentet që lidhen me procedurat e legalizimit. Dosja e “Arti Group” u sigurua pas një ankese dhe ndërhyrjeje të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Në dokumentacionin komunal, rasti figuron me numër reference 05-351/01-195121/23.
Kompania “Arti Group sh.p.k.”, kishte aplikuar më 21 shtator 2023 për legalizimin e një objekti banesor dhe afarist të kategorisë II.
Objekti ndodhet në rrugën “Ahmet Krasniqi”, në numrat 91, 93, 95 dhe 97, në Prishtinë, në parcelën kadastrale 6189-26, me sipërfaqe prej 7 mijë e 790 metrash katrorë.
Sipas dosjes, prona figuron në emër të dhjetë anëtarëve të familjes Mehmeti.
Në dokumentacion përfshihet edhe një kontratë për ndarjen e njësive të objektit banesor-afarist, e nënshkruar me pronarët e tokës më 6 shtator 2023 dhe e noterizuar nga L.Cana.
Objekti me mbi 35 mijë metra katrorë
Në dokumentet e legalizimit, objekti figuron me sipërfaqe bruto prej 35 mijë e 115.02 metrash katrorë.
Etazhiteti i tij është evidentuar si 2B+4S+P+8, që përfshin dy kate bodrum, katër kate suteren, përdhesën dhe tetë kate mbi tokë.
Në dosje, natyra e ndërtimit është shënuar si “Tejkalimi i lejes së ndërtimit”.

Dokumentacioni përfshin raporte teknike nga kompania “GEO GROUP sh.p.k.” për çështjet gjeodezike dhe nga “ENERGO PROJEKT sh.p.k.” për fushat teknike.
Raportet mbulojnë arkitekturën, stabilitetin e konstruksionit, instalimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, instalimet elektrike e mekanike, si dhe sigurinë nga zjarri.
Sipas dosjes, zyrtarët komunalë e inspektuan objektin më 18 prill 2025. Në dokumentacion është evidentuar se objekti i plotësonte kërkesat minimale për shëndetin dhe sigurinë.
Taksa prej 1,705.90 eurosh dhe certifikata e legalizimit
Më 10 prill 2025, Komuna kishte nxjerrë njoftimin për pagesën e taksës së legalizimit.
Kompania e kishte kryer pagesën prej 1,705.90 eurosh më 8 maj 2025, përmes bankës.
“Bazuar në kërkesën e lartshënuar, kjo drejtori, ka caktuar taksen administrative me shkresën zyrtare, Njoftimin për takse me nr 05-351/01-195121/23 dt. 10.04.2025, për ndërtimin në fjalë, si fazë paraprake për lëshimin e Certifikatës se legalizimit. Pas pranimit te dëshmisë se pagesës me nr. te transaksioni dt. 08.05.2025 nga BKT Prishtinë, me shumen prej 1,705.90€ (njëmijë e shtatëqind e pese euro e nëntëdhjet cent), kjo drejtori ka vazhduar procedurat për lëshimin e Certifikatës se Legalizimit“, thuhet në dokumentin që e ka siguruar Insajderi.
Një javë më vonë, më 15 maj 2025, Komuna e Prishtinës kishte lëshuar certifikatën e legalizimit.
Sipas dokumentit, certifikata shërben edhe si leje përdorimi për regjistrimin e objektit në kadastër.
Certifikata mban nënshkrimet e Fitore Shala Krasniqit, zyrtare e lartë për arkitekturë, dhe Arben Kqirës, udhëheqës i Sektorit të Legalizimit.
Më 30 korrik, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Florent Maliqit dhe zyrtarëve të tjerë nga kabineti i Përparim Ramës, lidhur me pretendimet për parregullsi në procedurat e legalizimit.
Sipas LVV-së, kallëzimi ishte bazuar në informacione të pranuara në mënyrë anonime nga një grup asamblistësh, përfshirë email-e, komunikime dhe materiale që, sipas tyre, ngrinin dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizime të kundërligjshme.
Në bisedat e Snapchat-it, sipas pretendimeve të bëra publike, është diskutuar për shuma deri në 30 mijë euro në lidhje me legalizimin e objekteve në Prishtinë, ndërsa në këtë kontekst është përmendur edhe emri i Florent Maliqit.

Maliqi i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar bisedat si “fabrikime e trillime”.
Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka cilësuar si të fabrikuara pretendimet e ngritura lidhur me këto raste.
E pyetur nga Insajderi për qasjen të plotë në dokumentacionin e kërkuar, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati, ka thënë se përcjellja elektronike e dosjeve të plota është teknikisht e pamundur për shkak të vëllimit dhe formatit të dokumenteve.
“Dosjet e kërkuara përmbajnë mbi 500 faqe dokumentacion. Krahas akteve administrative, përfshijnë dokumentacion teknik, skica, plane dhe shtojca të tjera, si dhe të dhëna personale e dokumentacion të palëve të treta. Përgatitja dhe digjitalizimi i tyre, së bashku me shqyrtimin, veçimin dhe anonimizimin e të dhënave të mbrojtura, kërkojnë angazhim të konsiderueshëm të kapaciteteve të njësisë përgjegjëse dhe ndërhyjnë në mënyrë të paarsyeshme në operimin efektiv të saj”, ka deklaruar Kastrati për Insajderin.
Lexo edhe: