Insajderi
Hulumtime/Analiza

Shefi i Inspeksionit, Salih Kqiku lirohet nga aktakuza, ndërsa ish-drejtoreshës së Gjilanit, Entela Hyseni, i mbetet në fuqi aktakuza për rastin e biznesmenit Valon Salihu

Insajderi
28 October 2026 - 21:38
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Shefi i Inspeksionit, Salih Kqiku lirohet nga aktakuza, ndërsa ish-drejtoreshës së Gjilanit, Entela Hyseni, i mbetet në fuqi aktakuza për rastin e biznesmenit Valon Salihu
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në rastin e Salih Kqikut, lidhur me mosrrënimin e një muri në lagjen “Fidanishtja”.

Me vendimin e datës 15 tetor 2026, Apeli e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të nxjerrë më 24 shkurt 2026, me të cilin Kqiku është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Rasti kishte nisur pas ankesave të afaristit Valon Saliu, pronar i disa lokaleve në këtë lagje, i cili pretendonte se muri i ndërtuar para lokaleve të tij ia kishte pamundësuar shfrytëzimin e tyre.

Për këtë çështje ishte paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjilan nga biznismeni Valon Salihu, ndërsa ndaj Kqikut dhe ish-drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, Entela Hysenit, ishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, sa i përket Entela Hysenit, Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar aktakuzën.

Për çka akuzohet Entela Hyseni?

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, të cilën e kishte siguruar Insajderi, thuhet se Entela Hyseni, në cilësinë e drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, ka dështuar të zbatojë një aktvendim të Inspektoratit të Ndërtimit, i cili urdhëronte rrënimin e një ndërtese pa leje në lagjen “Fidanishtë”, në numrin 1.

Sipas dosjes, vendimi ishte lëshuar më 1 korrik 2024, por Hyseni dyshohet se nuk ndërmori veprimet e kërkuara për ekzekutimin e tij që nga ajo ditë.

Në aktakuzë thuhet se “nga data 02.07.2024 e në vazhdim, e pandehura, Entela Hyseni, në cilësinë e Drejtoreshës së Inspeksionit, me dashje, nuk i ka përmbushur detyrat e saj zyrtare”.

Ky veprim i dyshuar është cilësuar si moszbatim i aktvendimit të lëshuar nga Inspektorati i Ndërtimit, duke lejuar që ndërtesa të vazhdonte të qëndronte e paligjshme dhe të mbetej në përdorim, pavarësisht kërkesave të përsëritura për rrënimin e saj.

Një nga elementet kryesore të aktakuzës është pretendimi se Hyseni, në vend që të zbatonte ligjin dhe të përmbushte detyrat e saj zyrtare, e kishte shpërdoruar pozitën zyrtare për të favorizuar një palë të tretë.

Sipas dosjes, ky favorizim dyshohet se kishte ndodhur në dëm të të dëmtuarit, afaristit Valon Saliu, i cili kishte kërkuar vazhdimisht ekzekutimin e aktvendimit për rrënimin e ndërtimit pa leje.

Një tjetër detaj i theksuar në aktakuzë është se Hyseni dyshohet se kishte lejuar vazhdimin e ndërtimit ilegal edhe pasi Inspektorati i Ndërtimit kishte nxjerrë aktvendimin që urdhëronte fillimin e menjëhershëm të rrënimit të ndërtesës.

Përkundër këtij urdhri, sipas Prokurorisë, ajo nuk kishte ndërmarrë hapa për zbatimin e tij, duke bërë që ndërtesa të mbetej e paligjshme dhe, sipas pretendimeve të aktakuzës, të favorizohej një palë e tretë përmes mosveprimit të saj.

Prokuroria kishte kërkuar që, pas shqyrtimit të të gjitha provave dhe dëshmive, gjykata ta shpallte fajtore të pandehurën dhe t’i shqiptonte një dënim meritor, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Po ashtu, kishte kërkuar që gjatë përcaktimit të dënimit të merreshin parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Tutje, në aktakuzë përmendet se e pandehura, në pajtim me nenin 36, paragrafin 3, dhe nenin 3.2 të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, obligohet të paguajë taksën prej 50 eurosh.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan ishte rezultat i një kallëzimi penal të parashtruar nga i dëmtuari Valon Saliu, i cili kishte kërkuar drejtësi për moszbatimin e vendimeve ligjore.

Prokuroria kishte theksuar se, pas shqyrtimit të kallëzimit dhe provave të bashkëngjitura, ekzistonin dyshime të bazuara se e pandehura kishte kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe kishte vepruar në mënyrë selektive e të qëllimshme për të shmangur zbatimin e ligjit.

Sipas Prokurorisë, aktakuza ishte ngritur në përputhje me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenet 3.2 dhe 3.6, duke u mbështetur në prova materiale dhe dëshmi që, sipas saj, tregonin se Hyseni kishte vepruar në kundërshtim me detyrat zyrtare dhe kishte favorizuar palë të caktuara në dëm të qytetarëve dhe ligjit.

Lexo edhe:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark