
Një ditë pasi kryeministri Isa Mustafa përdori shprehjen popullore “Me kanë lehtë me majt shpi, Kola jem i kish’ majt’ dy”, për t’iu referuar sipas tij, paaftësisë së Shpend Ahmetit në menaxhimin e Komunës së Prishtinës, degët e partisë së kryeministrit, LDK, kanë vazhduar të përdorin thënie popullore kundër kryetarit të Prishtinës.
Por, për dallim prej Mustafës, Degët e LDK-së në Prishtinë kanë përdorur një thënie në të cilën kryetarit të Prishtinës i referohen si qen.
“Malësorja sot do të thoshte: “Shpendi le të …. Karvani ec..!”, thuhet në komunikatën e degëve të Prishtinës.
Në të vërtetë, version original i kësaj thënie është “Qentë le të lehin, Karvani ec”.
I pari i Prishtinës e kishte quajtur kryeministrin “rapsod të Facebookut”, duke reaguar ndaj thënies së kryeministrit.
Tutje në komunikatën e degëve të LDK-së, Shpend Ahmeti cilësohet si kryetar i dështuar i Prishtinës, duke i thënë se iu ka bërë “pikë në zemër puna e malësores, fjalët e të cilës, e përshkruajnë në mënyrën më të mirë paaftësinë e tij për të qeverisur me Prishtinën”.
“Ahmeti sot, pasi që i ka rregulluar krejt çështjet rajonale, evropiane e ndërkombëtare, i paska dal ren të merret edhe me Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së”, thuhet në fund të komunikatës së degëve të LDK-së./Insadjeri.com