Telashet për para dyshohet se kishin qenë shkak i grindjeve për 7 vite martesë mes çiftit nga Ferizaj, Hajriz Bajrami dhe Flora Omuri. Por, një grindje e tillë, në orët e para të së mërkurës, përfundoi me dy viktima. Hajriz Bajrami qëlloi me tre plumba gruan e tij Flora Omuri, e më pas një tjetër ia shkrepi vetes. Gjithë tragjedia ndodhi në dhomën e tyre të gjumit, në shtëpinë e familjes në dalje të Ferizajt.
Endri, 5 vjeç, po luan në oborrin e njërës shtëpi të familjes Bajrami nga Ferizaj, bashkë me kushërinjtë e tij, pak më të rritur.
Me buzë në gaz e shumë mirësi, tregon emrin e tij kur e pyetem se si quhej, e me gishtat e dorës na tregoi se ishte 5 vjeç.
Por, ai nuk e dinte pse shumë njerëz të mërkurën ia kishin mësyrë oborrit të shtëpisë së tij, e as pse nuk i ka takuar ende prindërit e tij.
Endri sot ishte kthyer nga dajat. Mbase është tepër i vogël që ta kuptojë, por prindërit e tij nuk do t’i takojë më kurrë.
Baba i tij, Hajriz Bajrami – 28 vjeçar, mesnatën e së mërkurës, me armë automatike, i shkrepi tre plumba për ta lënë të vdekur nënën e 5 vjeçarit, Flora Omurin. Pasi kreu vrasjen, bashkëshorti i viktimës, plumbin e katërt të AK-47 e shkrepi në trupin e tij, për të ndërruar jetë edhe vetë në vendin e ngjarjes – në dhomën e gjumit të çiftit.
Tragjedisë që ndodhi në shtëpinë e Familjes Bajrami nga Ferizaj, thuhet t’i ketë paraprirë një grindje mes burrit dhe gruas, të cilët pas lanë djalin e tyre 5 vjeç, Endrin – që në natën kur ndodhi vrasja e më pas vetëvrasja, ishte tek shtëpia e gjyshit dhe dajat e tij, në Topojan të Ferizajt.
12 orë pas ndodhisë, dy familjet, Bajrami dhe ajo Omuri, të tronditura nga fatkeqësitë e një nate më parë, po prisnin t’i merrnin trupat e familjarëve të tyre për t’i varrosur pas obduksionit.
Por, për grindje e probleme financiare mes çiftit i pohoi vëllai i 27 vjeçares Flora Omuri, Festimi nga fshati Topojan.
Ai tha se për grindjen e fundit, që përfundoi me fatalitet të dyfishtë nuk kanë qenë në dijeni, dhe ka qenë e papritur, porse telashe të tjera, të tejkalusheme pranon se motra e tij ka pasur me bashkëshortin, gjatë shtatë viteve martesë.
“Ai s’ka punu kurrë. Gjeth qasi probleme financiare kanë pasë”, i tha Festimi Gazetës Express, të mërkurën në mesditë, derisa te dera e oborrit të shtëpisë po priste burrat që vinin për ta ngushëlluar për të motrën e vrarë nga bashkëshorti– trupin e së cilës do ta varrosin pasdite, pasi autoritetet të kenë kryer obduksionin dhe procedurat tjera hetimore.
“Motra jem ka punu vazhdimisht. Këto e kemi shti në dy tri puna e se ka majtë punën”, tregon ai, tutje për çiftin e vdekur.