
Vdekja e njeriut që shërbeu si komandant i organizatës terroriste ISIS në Siri, Abu Omar al-Shishani, ka shkaktuar dhembje edhe tek shqiptarët, të cilët i kanë shprehur ngushëllime xhihadistit gjeorgjian të ISIS-it që vdiq javën e kaluar.
Ata këtë e kanë bërë publikisht në një faqe shqiptare në Facebook, me emrin “Islami është hak”, e cila është e regjistruar si “faqe edukuese” në këtë rrjet social, raporton Insajderi.
Në disa komente, komentuesit shqiptarë e konsiderojnë të “pazëvendësueshëm” komandantin e ISIS-it që ka luftuar në Siri.
“Allahu e pranoft Shehid Abu Omar al-Shishanin, njërin nga komandantat e Shtetit Islam”, shkruhet në lajmërimin e vdekjes së tij në faqen shqiptare “Islami është hak”.
I njohur si Tarkan Batirashvili, por që pasi iu bashkua forcave të ISIS-it në vitin 2013, ai e ndryshoi emrin e tij në Abu Omar al-Shishani, më parë kishte shërbyer si ushtar në Forcat e Armatosura të Gjerogjisë.
Vdekja e tij raportohet të jetë shkaktuar nga SHBA-të, pasi vetë shteti amerikan konfirmoi se kishin vrarë al-Shishanin përmes aeroplanëve ushtarak në fushë betejë. /Insajderi.com