Pas tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, kishte reagime të shumta nga vende të ndryshme të botës, në mes e të cilëve edhe Kosova.
Në një intervistë për Anadolu Agency, Isa Memishi, profesor dhe shef i degës së Orientalistikës, në Universitetin e Prishtinës, u shpreh se 15 korriku ishte një natë me plot ankth, jo vetëm për popullin, qeverinë dhe presidentin e Turqisë, por edhe për gjithë dashamirët dhe miqtë e këtij populli.
Memishi theksoi se shteti i Turqisë do të arrijë shumë shpejt ta tejkalojë këtë situatë, duke rikuperuar dëmet të shkaktuara nga “forcat e errëta”, si i quante ai. Ai shtoi se ata që kanë bërë këtë hap armiqësor nuk ia vlen të përmenden as që janë pjesë e forcës së lavdishme ushtarake turke.
Akademiku Memishi, theksoi se ai që qëndron prapa këtyre forcave të errëta në Turqi, pra Fetullah Gylen, i cili ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në disa institucione arsimore dhe fondacione në Kosovë.
Ai shtoi se qeveria e Kosovës duhet të veprojë sipas kërkesave të Republikës së Turqisë, e cila është zgjidhur në mënyre demokratike, dhe se në qoftë se shteti turk kërkon që të merren masa për këto organizata apo institucione të lidhura me strukturat paralele, atëherë shteti i Kosovës duhet të ndërmarrë hapat e nevojshme.
“Nëse nisemi nga parimi që kush do që e dëmton mikun, e dëmton edhe të zotin e shtëpisë, atëherë unë mendoj që nëse këto institucione apo organizata janë në kundërshtim me interesat e popullit turk dhe qeverisë së Turqisë, s’do mend që të njëjtat organizata një ditë do ta dëmtonin edhe interesin e Kosovës”, u shpreh Memishi. /Insajderi.com