Mustafa: Kosova po shënon rritje solide ekonomike - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa: Kosova po shënon rritje solide ekonomike

    Insajderi
    29 July 2016 - 14:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim menaxherin e Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, me të cilin ka biseduar për projektet e përbashkëta për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

    Siç njofton Zyra e Kryeministri, Mustafa foli për prioritetet e Qeverisë duke theksuar projektet në energjetikë, në bujqësi, në zgjerimin e sistemit të ujitjes, përgatitjen dhe punësimin e të rinjve në tregun e punës, efiçiencën në energjetikë si dhe reformat që po ndërmerren në fuqizimin e sektorit privat.

    Në anën tjetër, menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, vlerësoi lartë të arriturat në Kosovë në shumë fusha.

    Ai foli edhe për punën që po bëhet në përgatitjen e strategjisë së Bankës Botërore për ndarjen e fondeve për Kosovën në periudhën e ardhshme, duke përmendur mundësitë që Banka Botërore të përkrah projektet energjetike, projektet për rritje ekonomike të qëndrueshme, për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë dhe gratë, projektet në bujqësi, në infrastrukturë, teknologji informative, e fusha të tjera.

    Strategjia e Bankës Botërore do të jetë kompatibile me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe programin qeverisës të Kosovës.

    “Gjatë takimit, ishte konkluzion i përbashkët se Kosova, falë reformave dhe përkushtimit të deritashëm, ka shënuar rritje solide ekonomike dhe ka arritur t’i adresojë disa prej sfidave të deritashme”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë./Insajderi.com

     

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark