
Organizata joqeveritare nga Prizreni, Ec Ma Ndryshe, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të trajtojnë me prioritet zgjidhjen e rasti të vdekjes së një fëmije tre vjeçare nga rrënojat e një shtëpie të vjetër në Prizren që ndodhi në qershor të këtij viti.
Ec Ma Ndryshe ka thënë se është e shqetësuar se si deri tash për këtë rast askush nga ka dhënë dorëheqje ose nuk është duke u hetuar.
“Duke i marrë për bazë këto, EC konsideron se rasti i vdekjes tragjike të 3 vjeçes Xheneta Gashi në rrugën “Marin Barleti” duhet të trajtohet me urgjencë nga organet e hetuesisë dhe të drejtësisë, për arsye se dallon nga rastet e zakonshme, pasi kemi të bëjmë me neglizhencë dhe papërgjegjësi të drejtuesve të organeve qeveritare qendrore e lokale”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.
Kjo organizatë thotë se edhe pas asaj tragjedie, autoritetet nuk kanë kanë arritur që të rrisin nivelin e tyre të përgjegjësisë në raport me Qendrën Historike të Prizrenit.
“Për më tepër një trup ndërinstitucional si Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit nuk është mbledhur më që prej 30 majit të vitit 2016”./Insajderi.com