
Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm në Shkup, e kanë humbur jetën 20 persona, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë.
Nga 20 persona, 13 veçse janë identifikuar nga organet kompetente, ndërsa 7 të tjerë janë në proces të identifikimit.
Para pak orësh, Liza Bendevska, nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë., kishte konfirmuar se numri të vdekurve ishte 15.
“Deri më tani kemi 15 viktima nga shirat e mbrëmshme, 22 janë të lënduar, përderisa 6 llogariten të humbur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre . Të gjitha viktimat janë nga Hasanbegu, Haraçina dhe Stajkovci”, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë Liza Bendeska, zëdhënëse dikasterit të policisë.
Mësohet se viktimat e goditura nga vërshimet, si pasojë e motit të ligë, janë nga lagja Hasanbeg e Shkupit dhe fshatrat e rrethinës së Shkupit; Harqinë dhe Stajkovc.
Gjatë natës së kaluar, por edhe sot, ekipet e Shtabit për Siguri dhe Shpëtim të qytetit të Shkupit po intervenojnë për t’u pastruar rrugët e bllokuara nga reshjet e shiut.
“Për momentin të gjitha ekipet e Shtabit janë në terren dhe po punojnë për ta lehtësuar komunikacionin”, theksohet në komunikatën për media nga qyteti i Shkupit.
Me këtë rast, u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve të mos dalin pa nevojë nga shtëpitë e tyre dhe bllokojnë rrugët edhe ashtu të pakalueshme në këto lagje.
“Këtu është më kritike, duke pasur parasysh nga lagjia “Crna Gora” përmes Buliçanit erdhi sasi e madhe e ujit dhe është shpërndarë në Hasanbeg, dhe më pas ka shkuar në Inxhikovë.”
“Prezent janë ekipet e policisë dhe ushtrisë, zjarrfikësit dhe kompanitë private janë të përfshira me makinat e tyre, duke bërë gjithçka që munden.”
“Qëllimi ynë është për të thyer rreth-rrotullimin, sepse ka rrëshqitje të tokës…shumë automjete dhe makineri janë sjellë për të pastruar rrugën”, ka deklaruar për mediet kryetari i qytetit të Shkupit, KoceTrajanovsnki, pasi ka vizituar pjesët e goditura nga vërshimet.
Përderisa banorët e lagjes Hasanbeg të Shkupit, duke rrëfyer tmerrin që kanë kaluar gjatë natës së kaluar, thonë se ndërtimet pa plan urbanistik dhe mos pastrimi i kanaleve ka bërë që uji të del nga rrjedhat e kanalizimeve, duke shkaktuar vërshimet./rel.