
Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm mbrëmë në Shkup, ku raportohet se deri më tash kanë humbur jetën 20 persona, krerët e lartë të shtetit të Kosovës shprehin ngushëllime për viktimat në Maqedoni.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur ngushtimet e tij për viktimat nga reshjet e shiut në Shkup, duke thënë se institucionet e Kosovës janë të gatshme t’i dalin në ndihmë shtetit Maqedonisë.
“Jam i tronditur nga humbjet e jetëve nga pasojat e rrebeshit të madh të shiut në Maqedoni. Ngushëllime të gjithëve që janë prekur. Institucionet e Kosovës janë të gatshme të ndihmojnë”, ka shkruar presidenti Thaçi.
Gjithashtu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur ngushëllime për viktimat nga vërshimet në Shkup, duke thënë se institucionet e Kosovës janë me familjet e viktimave.
“Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave nga vërshimet në rrethinën e Shkupit. Në këto çaste të dhimbjes së thellë, ku ende disa qytetarë konsiderohen të zhdukur, populli i Kosovës dhe institucionet e saj janë me familjet e viktimave”, ka shkruar Veseli.
“Jam i bindur se fuqia e solidaritetit, ju jep forcë ta përballojnë këtë fatkeqësi dhe do të riktheni shpejt jetën në vendbanimet e shkatërruara”, ka shtuar më tej Veseli në facebook.
Po ashtu, edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmet, shprehu ngushëllime për viktimat e përmbytjeve në Shkup.
“Lajme dhe pamje të rënda nga Shkupi. Në këto momente shpresojmë për sa më pak viktima dhe dëme nga vërshimet. Ngushëllime për familjet!”, ka shkruar Ahmeti në facebook.
Gjatë ditës ka shprehur keqardhje edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, duke thënë se pjesëtarët e kërkim-shpëtimit të FSK-së janë të gatshme të intervenojnë në Maqedoni për t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet./Insajderi.com
Foto: Besnik Iseni