
Ish lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka thënë se nga përgjimet e publikuara nga Gazeta Online Insajderi, është dëshmuar se bëhet fjalë për njerëz arrogantë dhe mënyrën se si ata i përmbushin premtimet parazgjedhore.
“E keqja ka shkuar tepër larg dhe nga këta njerëz që kanë qëllime të këqija nuk mund të presim rezultate të mira. Edhe në kohë të Jugosllavisë ka pasur diferencime ideo-politike sa i përket punësimit, nuk është vlerësuar profesioni, po të ka emëruar partia. Pra nga diferencimi ideopolitik i viteve`80 kemi kaluar në tek diferencimi partiak e klanor sot”, ka deklaruar Kurti.
Sipas Kurtit nga përgjimet kuptohet se qeveritarët pushtetin e shohin më shumë si pronësi private sesa si fuqi politike shërbyese.
“Nuk mund të shpresojmë të prokuroria dhe gjykatat, por duhet të bazohemi tek populli i cili duhet ta thotë fjalën e vet në protesta e demonstrata, dhe në zgjedhjet e ardhshme. Në Kosovë nuk ka sistem të drejtësisë, në Kosovë drejtësia është aksident, në Kosovë ka sistem të padrejtësisë”, tha ai.
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]
Deputeti Albin Kurti në një intervistë për “Kohën Ditore” ka thënë se nga bashkëbisedimi i Adem Grabovcit me prokurorin Bahri Hyseni tregon se dega e drejtësisë është tërësisht e nënshtruar ndaj njerëzve të ekzekutivit.
“Nga afera “Pronto 2” dhe episodet e saj ne e kuptojmë jo vetëm krimin e korrupsionin në përmbajtjen e vet të detajizuar por në të njëjtën kohë e kuptojmë pse nuk vepron prokuroria dhe gjykata kundër këtij krimi dhe korrupsioni”, tha ai.
Kurti duke e përsëritu edhe një herë se nuk beson në drejtësinë vendore, thotë se parakusht për përmirësimin e saj është rrëzimi i sistemit aktual qeverisës.
Ai ka kritikuar partitë opozitare me të cilat deri para pak kohë kishin qenë në koalicion për rrëzimin e qeverise, për mos reagim ndaj përgjimeve të njohur si Dosja e Shefave.
“Mendoj se heshtja e AAK-së dhe Nismas për aferën”Pronto 2”, flet shumë”, ka deklaruar Kurti.
Gazeta Insajderi ka filluar publikimin e përgjimeve të bëra nga Gjykata në vitin 2011, përmes të cilave dëshmohet se si zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës “rehatojnë” personat e lidhur me këtë parti nëpër pozita drejtuese në institucionet publike të vendit. /Insajderi.com