
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se në politikë nuk ka shumë raste kur deputetët munden të dëshmojnë kontributin e tyre për shtetin.
Por sipas tij, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë rastin kur më 1 shtator do të votohet për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Ahmeti ka kërkuar nga deputetët që të mos votojnë këtë marrëveshje duke thënë se ata nuk duhet t’i nënshtrohen presioneve që mund të vijnë nga partia.
“Kontributi për partinë nuk i afrohet as për së afërmi kontributit për shtetin e kombin”, ka thënë ai
“Andaj të gjithë ata që kërcënohen me largim nga partia ta dijnë se kjo është asgjë në krahasim me mbrojtjen që mund të ja bëjnë interesave të shtetit. Pozitat e partitë vijnë e shkojnë, e shteti do të mbetet”, ka shtuar ai.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se më 1 shtator do të dërgoj në Kuvend marrëveshjen e demarkacionit për ratifikim. Një gjë e tillë po kundërshtohet nga opozita./Insajderi.com